Ministria e Arsimit ka kohë që ka deklaruar se gjysmëvjetori i parë në shkollat e Kosovës do të përfundojë më 27 janar, pra një muaj më vonë, kjo për shkak të grevës 1-mujore që ndodhi në shtator.
Për këtë çështje është deklaruar kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, i cili ka deklaruar se ende nuk dihet sakt kur përfundon gjysmëvjetori i parë.
“Ka mbetur në mjegull edhe çështja e përfundimit të gjysmëvjetorit të parë, ngase Nagavci nuk ka pasur takime, dhe në qoftë se Këshilli i Prindërve insiston për një pushim që atyre do t’ju konvenojë dhe mendojnë se është i drejtë, ne pavarësisht se me ligjet ekzistuese kolegët janë të obliguar të paraqitën në shkollë për t’u përgatitur për gjysmëvjetorin e dytë, por edhe nëse janë të gjithë në shkollë, pavarësisht kësaj nëse mungojnë nxënësit nuk mund të thuhet se është mbajtur procesi mësimor dhe pushimi e ditët që Nagavci po i konsideron të punës mund të dështojnë”.
“Pra, kisha këshilluar dhe lutur Nagavcin që të ulet edhe më Këshillin e Prindërve dhe SBASHK-un dhe e të tjerët në mënyrë që të saktësohet dhe të pajtohen të gjithë për arsyen e vetme që qytetarët e Kosovës ta dinë saktë kur mbyllet gjysmëvjetori i parë, cili është pushimi dhe a do të ketë pushim”, ka deklaruar Jasharaj për Kosovapress.