Emanoela Çoçaj, studente e Fakultetit të Edukimit në Universitetin “Ukshin Hoti” në Prizren ka hapur një thirrje për bashkëpunim drejtuar edukatorëve dhe mësimdhënësve klasorë në Kosovë, në kuadër të një hulumtimi shkencor mbi procesin e tranzicionit nga edukimi parashkollor në arsimin fillor.
Studimi, i cili realizohet në kuadër të tezës së diplomës në programin “Mësimdhënie dhe Kurrikulë me specializim”, do të zhvillohet përmes një metodologjie të kombinuar, duke përfshirë pyetësorë dhe intervista me edukatorë dhe mësimdhënës klasorë në të gjitha komunat e vendit.
Përmes këtij hulumtimi synohet mbledhja e të dhënave që do të kontribuojnë në përmirësimin e praktikave arsimore në Kosovë.
Studimi synon të mbledhë përvoja dhe perceptime nga terreni për të kuptuar më mirë sfidat dhe praktikat që ndikojnë në këtë fazë të rëndësishme të zhvillimit të fëmijëve.
Ajo thotë se qëllimi i këtij studimi është të analizojë procesin e tranzicionit nga edukimi parashkollor në arsimin fillor në Kosovë, duke eksploruar dhe krahasuar perceptimet e edukatorëve dhe mësimdhënësve klasorë lidhur me gatishmërinë e fëmijëve, aftësitë e nevojshme për fillimin e shkollimit, sfidat dhe pengesat e këtij procesi, si dhe praktikat dhe strategjitë që kontribuojnë në përmirësimin e një tranzicioni të suksesshëm.
Pyetësori për edukatore: https://forms.gle/H95G8EQ8vFNpdNZeA
Pyetësori për mësimdhënëse të klasës së parë dhe dytë: https://forms.gle/mexXntrWaVNRfXB29
Njoftimi i plotë:
Të nderuara edukatore dhe të nderuar mësimdhënës,
Jam studente në Universitetin “Ukshin Hoti” në Prizren, në Fakultetin e Edukimit, në nivelin master. Në kuadër të përgatitjes së tezës me titull “Procesi i tranzicionit nga edukimi parashkollor në arsimin fillor në Kosovë: Perceptimet e edukatorëve dhe mësimdhënësve klasorë”, po ju drejtohem me kërkesë për të mbledhur të dhëna të rëndësishme pikërisht nga ju.
Qëllimi i këtij studimi është të analizojë procesin e tranzicionit nga edukimi parashkollor në arsimin fillor në Kosovë, duke eksploruar dhe krahasuar perceptimet e edukatorëve dhe mësimdhënësve klasorë lidhur me gatishmërinë e fëmijëve, aftësitë e nevojshme për fillimin e shkollimit, sfidat dhe pengesat e këtij procesi, si dhe praktikat dhe strategjitë që kontribuojnë në përmirësimin e një tranzicioni të suksesshëm.
Duke pasur parasysh se ju jeni aktorët kryesorë që përjetoni çdo ditë kalimin e fëmijëve nga një nivel në tjetrin, perceptimi dhe përvoja juaj praktike janë jashtëzakonisht të vlefshme për këtë studim.
Pjesëmarrja juaj në këtë hulumtim është plotësisht vullnetare dhe ju garantoj konfidencialitet të plotë – të dhënat e mbledhura do të përdoren ekskluzivisht për qëllime akademike, ndërsa identiteti juaj nuk do të zbulohet në asnjë rrethanë.
Ju falënderoj për kohën, përkushtimin dhe gatishmërinë tuaj për të mbështetur këtë kërkim shkencor!
Me respekt,
Emanoela Çoçaj