Varfëria emocionale është një fenomen i heshtur që dëmton marrëdhëniet në familje, në klasë dhe në kolektivin e shkollës.
Në këtë mini-studim, mësuesja Teuta Bilçari analizon si mungesa e ndjeshmërisë ndikon te vetëbesimi i fëmijëve dhe si inteligjenca emocionale ndërton klimë mbështetëse e bashkëpunuese sot!
Në një kohë kur diskutimet për cilësinë e arsimit përqendrohen kryesisht te programet, rezultatet dhe metodat e mësimdhënies, shpesh mbetet në hije një element po aq i rëndësishëm: klima emocionale në familje, në klasë dhe në kolektivin e shkollës. Pikërisht këtë dimension trajton një mini-studim reflektues i realizuar nga mësuesja Teuta Bilçari, e cila analizon një fenomen të padukshëm, por me ndikim të thellë në zhvillimin e fëmijëve dhe në marrëdhëniet shoqërore, varfërinë emocionale.
Në analizën e saj, Bilçari e përshkruan këtë fenomen si një “gangrenë të heshtur”, që nuk shfaqet domosdoshmërisht me konflikte të hapura, por me indiferencë, nënvlerësim, krahasime dhe mungesë vlerësimi për përpjekjen e tjetrit. Sipas autores, kjo klimë mund të krijohet gradualisht në familje, në marrëdhëniet mes nxënësve, në komunikimin mësues-nxënës, por edhe në kulturën profesionale të shkollës, duke ndikuar drejtpërdrejt në vetëbesimin, motivimin dhe dëshirën për të kontribuar.

Studimi vë përballë këtij realiteti konceptin e inteligjencës emocionale, të cilin psikologë dhe studiues si Daniel Goleman, Carl Rogers apo Albert Bandura e konsiderojnë thelbësor për ndërtimin e marrëdhënieve të shëndetshme dhe për zhvillimin e potencialit njerëzor. Përmes shembujve konkretë nga jeta familjare dhe shkollore, autorja argumenton se mënyra si komunikojmë, si reagojmë ndaj suksesit të tjetrit dhe si ndërtojmë klimën e bashkëpunimit ndikon drejtpërdrejt në mirëqenien emocionale dhe në cilësinë e procesit arsimor.
Ky mini-studim synon të nxisë reflektim për rolin që luajnë prindërit, nxënësit, mësuesit dhe drejtuesit e shkollave në krijimin e një mjedisi ku përpjekja vlerësohet, gabimi shihet si mundësi për të mësuar dhe suksesi i njërit bëhet motivim për të gjithë.