Me rastin e tetorit rozë, muajit të ndërgjegjësimit kundër kancerit të gjirit, ekzaminimet do të jenë falas.
Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu ka bërë të ditur se kabinetet e mamografisë do të punojnë me oraret të zgjatura, nga dita e hënë në të premte, ora 8.00-18.00 dhe të shtunën, nga ora 9.00-14.00, duke ofruar falas ekzaminimet për të gjitha gratë.
Përmes një postimi në rrjetin social facebook, ministrja shkruan se ndodhemi në kushtet e epidemisë dhe duhen respektuar me rigorozitet masat anti-COVID në fushatën për ndërgjegjësimin e kancerit të gjirit. Ministrja e shëndetësisë u ka bërë apel grave të kryejnë kontrollin e gjirit, pasi diagnostikimi i hershëm të shpëton jetën!
“Tetori Rozë, muaji i ndërgjegjësimit kundër kancerit të gjirit.
Edhe në kushtet e epidemisë, me masa #antiCOVID do të vijojmë fushatën e ndërgjegjësimit për kontrollin e gjirit falas, afër vendbanimit
Përgjatë gjithë muajit, në kabinetet e mamografisë, shërbimi do të ofrohet me orar të zgjatur nga dita e hënë në të premte, ora 8.00-18.00 dhe të shtunën, nga ora 9.00-14.00. Merr pak kohë nga koha jote për të kryer kontrollin e gjirit Diagnostikimi i hershëm të shpëton jetën!”, shkruan Manastirliu.
Mamografia falas mund të kryhet në spitalet rajonale të Gjirokastrës, Dibrës dhe Kukësit, Lezhës, Elbasan, Berat, Gjirokastër, Korçë, Shkodër, Materniteti Mbreteresha Geraldine, Poliklinika Qendrore Tiranë, QSUT.
Gjithashtu janë në dispozicion edhe dy mamografitë e lëvizshme të cilat do të jenë gjatë gjithë muajit në zonat rurale dhe urbane në të gjithë vendin sipas një kalendari të hartuar nga Instituti i Shëndetit Publik.
Personeli që shërben brenda njësisë lëvizëse të mamografisë, do të jete i pajisur me mjete mbrojtëse personale kundër virusit.