Testi i Arritshmërisë mbahet nesër, Ministria e Arsimit paralajmëron masa ndaj kopjimeve

- Advertisement -

Rreth 24 mijë nxënës të klasave të nënta, në të gjithë Kosovën, do t’i nënshtrohen testit të arritshmërisë këtë të premte.

- paragrafi 1 -

Zyrtarë nga Ministria e Arsimit kanë thënë për Radio Kosovën se janë të angazhuar mbi 1500 administrues dhe se do të marrin masa në rastet kur do të provohet të ketë kopjime, nga nxënësit.

- Advertisement -

Njohës të arsimit ndërkaq, thonë se rëndësia e këtij testimi është duke u zbehur, si pasojë e kopjimeve që ndodhin.

Nxënësit e klasave të nënta në gjithë Kosovën, nesër do t’iu nënshtrohen testit të arritshmërisë, për të cilin sipas Ministrisë së Arsimit janë bërë të gjitha përgatitjet. Udhëheqësi i Divizionit për Vlerësim në MASHT, Fatmir Elezi, ka treguar për Radio Kosovën, numrin e nxënësve që do të testohen si dhe detaje tjera në lidhje me testimin.

“Në testin e arritshmërisë në klasat e nënta janë diku rreth 24 mijë nxënës të shpërndarë në 170 qendra të testimit, me 1 mijë e 550 administrues të angazhuar. Këtë vit, testimi organizohet vetëm në një ditë, për të gjitha lëndët. Testi i arritshmërisë është orientues, rezultatet shërbejnë për regjistrim në klasën e dhjetë dhe nuk ka prag të kalueshmërisë”, tha ai.

- Advertisement -

I pyetur në lidhje me masat parandaluese kundër kopjimit në testim, Elezi ka thënë se do të kujdesen edhe në këtë drejtim.

“Nga viti i kaluar kemi filluar shpërndarjen e nxënësve nëpërmjet platformës e-kosova, ku nxënës të të njëjtës klasë më nuk janë në të njëjtën sallë të testimit. Këtë vit, në testimin e maturës, ka pasur disa raste ku nxënësit e kanë përdorur telefonin, por diku mbi 80 nxënës janë përjashtuar nga testimi, si pasojë e përdorimit të telefonit. Edhe nxënësit e klasave të nënta do të kenë mbikëqyrje nga komisioni dhe shpresojmë që nuk do të ketë largime nga testimi për shkak të përdorimit të telefonave”, tha ai.

Njohësi i arsimit, Rinor Qehaja nga Instituti “EdGuard” pohon se testi i arritshmërisë ka rëndësi të madhe për të ardhmen nxënësve, andaj edhe kërkoi miradministrim të procesit.

“Një administrim i mirë i testimit është i domosdoshëm, pasi që na garanton një filtrim meritor të nxënësve për kalim nga klasa e nëntë në të dhjetën. Në të kundërtën, me këto manipulime e shpërdorime që ndodhin dhe kopjimet në testin e arritshmërisë, pesha e tij jo vetëm që është duke u zbehur, por edhe është duke u kthyer në një testim jo të drejtë që nuk është reprezentativ i dijes së vërtetë të semi-maturantëve”, tha ai.\

Sipas Ministrisë së Arsimit, rezultatet e testit te arritshmërisë për nxënësit e klasave të nënta, pritet të shpallen deri më 5 korrik.