Ministria në detyrë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI), Arbërie Nagavci, të premten njoftoi se kanë marrë vendim për tërheqjen e 16 licencave të mësimdhënësve, pas gjetjeve të Inspektoratit të Arsimit lidhur me mospërfillje të procedurave ligjore në një shkollë të Komunës së Rahovecit, shkruan AlbanianEducation.net.
Ndaj këtij vendimi sot doli me sqarim drejtori i ri i Arsimit në Rahovec, Muhahmet Morina, ndërsa ish-drejtori i Arsimit në këtë komunë i reagoi më ashpë Nagavcit.
Drejtori i ri i Arsimit në Rahovec, Muhamet Morina, ka sqaruar se fjala është për mosrespektim procedurash gjatë procesit të vlerësimit të performancës së mësimdhënësve dhe mësimdhënësit në fjalë, duhet ti nënshtrohen një procesi tjetër të vlerësimit të performancës (tanimë duke ndjekur hapat e kërkuar) për tu pajisur me licencë nga MASHT-i, shkruan AlbanianEducation.net.
“Fjala është për mosrespektim procedurash gjatë procesit të vlerësimit të performancës së mësimdhënësve dhe mësimdhënësit në fjalë, duhet ti nënshtrohen një procesi tjetër të vlerësimit të performancës (tanimë duke ndjekur hapat e kërkuar) për tu pajisur me licencë nga MASHT-i”, sqaroi ai.
Morina tutje ka thënë se që nga e hëna të fillojë vizitat në të gjitha shkollat.
Kurse, ish drejtori i Arsimit në Rahovec, Avni Morina, ka theksuar se për hir të opinionit publik duhet të sqarohet e vërteta e plotë rreth këtij rasti, duke deklaruar se mësimdhënësit në fjalë kanë qenë të rilicencuar pas përfundimit të afatit të licencës së parë, por se gjatë procesit mund të kenë ndodhur lëshime teknike apo gabime procedurale në plotësimin e dokumentacionit përkatës, shkruan AlbanianEducation.net.
Sipas tij, procesi i licencimit dhe rilicencimit është i rregulluar me procedura të qarta ligjore, ndërsa përgjegjësia për pajisjen me licenca nuk bie mbi komunën, por mbi institucionet përkatëse të Ministrisë së Arsimit.
“Pyetja kryesore është se kush i ka pajisur këta mësimdhënës me licencat e reja. Jo komuna, por vetë organet përgjegjëse të ministrisë”, ka theksuar Morina, duke shtuar se licencat janë lëshuar nga institucionet qendrore në kohën kur ministria drejtohej nga e njëjta udhëheqje.
“Komuna? Jo, ministre! Organet përgjegjëse të Ministrisë ku ti ke udhëhequr i kanë licencuar ata mësimdhënës. Dhe sot, si në halucinacion, pas 5 viteve të paska dalë gjumi për të na treguar se në Rahovec qenka bërë hataja! Ik bre!”, ka shkruar ndër të tjera ai. /AlbanianEducation.net/.