“Prej se u punësova fillova me kredi deri në këtë kohë kur jam para pensionit jam me kredi, d.m.th mësimdhënësit kalojnë një jetë të tërë në kredi”.
Kështu mësimdhënësi Naser Miftari e përshkruan jetën e mësimdhënësve. Sipas tij rritja prej 10 % e rrogave në arsim nuk arsyetohet për shkak shtrenjtimit. Miftari thekson se pagat po ndikojnë edhe në interesin e ulët të të rinjve për çka po hasin në mungesë të mësimdhënësve.
“Në çdo shitore apo vend ku bëjmë ne një shërbim e shohim sesa është çmimi. Çmimet e të gjithë artikujve sot nuk janë ata që ishin para një muajve mos të them më herët, kurse pagat tona mbeten me vite të tëra në këtë nivel. Kemi mungesë të mësimdhënësve atë e shohim, nuk është një profesion që do të tërheq qe dikush kishte lakmi dhe luftonte që të arrij në këtë shkallë sot nuk është ajo”.
Për ekonomistët rritja e pagave në një periudhë të tillë do të jetë e pamundur dhe sfidë e rëndë për Qeverinë, ndërsa rritjen prej 10% e shohin të logjikshme. Ekonomisti Ali Maksuti thekson se rritja e pagës mund të sjell krizë tjetër ekonomike.
“Kjo rritje që kërkohet deri 18% do të ndikojë në inflacion. Cila është hapësira tjetër që mund të ndërmerr është ndikimi në taksa dhe tatime në rritjen e tyre dhe kjo do të ndikojë në rritjen e çmimeve edhe më tej të produkteve në treg dhe vijmë në një situatë ku as Qeveri as Sindikata nuk do të jenë të kënaqur. Në aspektin profesional është shumë edhe 10% në këtë periudhë por në periudhë tjetër, situatë tjetër kushte tjera domosdo sektori arsimit duhet vlerësuar”.
Ndryshe Qeveria doli me kumtesë se për grevistët do të paguaj vetëm kontributet e pagave, e për këtë nga SASHK për TV21 theksuan se këtë e shohin si kërcënim të radhës.
“Është njëfarë kërcënimi i cili kërcënim nuk është i pari edhe në vitin e 2015 e njëjta ndodhi nga Qeveria e mëparshme, mirëpo ne nuk do dalim nga greva deri sa nuk nënshkruajmë marrëveshje për paga. Besoni mësimdhënësit janë në gjendje të mos marrin edhe paga por ti qëndroj grevës deri në fund”, tha Tafa Ademi, nënkryetar i SAShK-ut.
Ndryshe SASHK ka refuzuar ofertën e Qeverisë prej 10% duke kërkuar rritje të pagave prej 18.4%.