E shtunë, 27 Korrik, 2024

Terapitë që ndihmojnë fëmijët me autizëm

- Advertisement1-

Kur profesionistët konstatojnë se fëmija ka autizëm apo diagnoza të lidhura me të, problemet vlerësohen në tri hapësira: ndërveprimi social, komunikimi dhe sjelljet/interesat jo të zakonshme.

Autizmi është një çrregullim kompleks që prek hapësira të shumëfishta të zhvillimit të fëmijës duke përfshirë ndërveprimin social, komunikimin verbal dhe joverbal, imagjinatën, sjelljet dhe interesat. Shenjat e këtij çrregullimi shfaqen shpejt në jetë, ndonjëherë në foshnjëri, por përgjithësisht përpara moshës tre vjeç. Ndaj dhe diagnostikimi i hershëm i autizmit që në moshën 3-vjeçare është shumë i rëndësishëm, sepse terapitë do të kenë me shumë sukses sesa kur ato fillojnë me vonë. Duhet përmendur se mjekësia deri në ditët e sotme nuk ka mundur të identifikojë shkaktarin e autizmit, përkundër përpjekjeve të mëdha që po bëhen. E megjithatë përparime të dukshme shfaqen në rast të trajtimit me terapi të ndryshme, ndihmuese në lehtësimin dhe përmirësimin e spektrit autik.

- Advertisement -

Si diagnostikohet autizimi?

Diagnoza e autizmit bazohet në sjelljet e fëmijës. Aktualisht, nuk ka ndonjë test mjekësor (për shembull analizë gjaku, rreze x etj.), që do të ndihmonte në diagnostikimin e autizmit. Mjekët mund të këshillojnë teste gjenetike për të gjetur një shkak gjenetik, si dhe mund të rekomandojnë teste apo studime të tjera që ndihmojnë në përcaktimin e kushteve të tjera shëndetësore të cilat mund të jenë të pranishme. Kur profesionistët konstatojnë se fëmija ka autizëm apo diagnoza të lidhura me të, problemet vlerësohen në tri hapësira: ndërveprimi social, komunikimi dhe sjelljet/interesat jo të zakonshme.

Ndërveprimi social: Fëmijët me autizëm shpesh kanë vështirësi në krijimin dhe mbajtjen e marrëdhënieve sociale. Krahasuar me fëmijët që zhvillohen normalisht, ata të diagnostikuar me autizëm mund ta kenë më të vështirë të vendosin dhe mbajnë kontakt me sy, të përgjigjen kur u flitet në emër, të luajnë lojëra të tilla si kukafshehthi, apo të përfshijnë fëmijë të tjerë në lojë. Ata mund të pëlqejnë të jenë me prindërit apo të përfshihen në lojëra aktive, por shfaqin më pak interes dhe reagim krahasuar me fëmijët e tjerë me zhvillim normal.

Komunikimi: Fëmijët me autizëm janë përgjithësisht më të ngadaltë në përdorimin e fjalëve apo frazave të thjeshta që janë normale për atë moshë. Gjithashtu, ata kanë më pak të ngjarë të përdorin gjeste të zakonshme të tilla si të kërkuarit e diçkaje, apo të drejtojnë vëmendjen e dikujt drejt një pamje apo tingulli. Disa fëmijë mund të kenë një zhvillim gjuhësor në kohën e duhur, por mund të shfaqin kthim pas apo humbje të aftësive të komunikimit rreth moshës 18-24 muaj. Kjo humbje e aftësive mund të përfshijë ulje të interesave sociale, sikurse edhe humbje të fjalëve apo frazave të cilat i kanë përdorur më parë. Fëmijët që kanë zhvillim të gjuhës mund të shfaqin modele jo të zakonshme të të folurit, të tilla si përsëritja apo bërja jehonë e frazave që dëgjojnë nga të tjerët apo nga televizori. Ata mund të kërkojnë gjëra që dëshirojnë por e kanë shumë të vështirë të mbajnë një bisedë të thjeshtë.

Sjelljet dhe interesat: Fëmijët me autizëm përgjithësisht shfaqin një shkallë më të kufizuar lojërash krahasuar me moshatarët e tyre, dhe shfaqin më tepër sjellje përsëritëse; për shembull, ata mund të fokusohen më tepër në rreshtimin e objekteve sesa në ushqimin e një kukulle apo arushi. Gjithashtu, ata mund të jenë të interesuar për disa objekte të caktuara apo të këmbëngulin në ndjekjen e rutinave të caktuara, apo mund të përsëritin lëvizje specifike si përplasja e duarve, hedhja apo lëvizja para-mbrapa.

Koha: Përveç shfaqjes së diferencave zhvillimore në tri hapësirat e mësipërme, fëmijët me autizëm i shfaqin këto modele përpara moshës trevjeçare.

- Advertisement -rrrrrrr

A ka sjellje apo karakteristika të tjera që shfaqen përgjatë çrregullimeve të spektrit të autizmit?

Ka disa sjellje që shfaqen përgjatë shtrirjes së çrregullimeve të spektrit të autizimit, por këto karakteristika nuk janë të nevojshme në vendosjen e diagnozës, për shembull është e zakonshme për fëmijët me këto çrregullime të shfaqin një nivel të lartë aktiviteti. Ata mund të kenë një kohëzgjatje të shkurtër të vëmendjes për aktivitetet që nuk i pëlqejnë, por mund të jenë në gjendje të fokusohen në objekte që i pëlqejnë për një kohë të gjatë. Ata, gjithashtu, mund të kenë ushqime të parapëlqyera apo të kenë probleme me gjumin. Së fundmi, ata mund të shfaqin diferenca në procesimin e informacionit që marrin nga shqisat e tyre. Kjo do të thotë që ata mund të jenë të mbindjeshëm apo nënndjeshëm për gjëra që dëgjojnë, shikojnë, prekin, shijojnë apo nuhasin. Për shembull, një fëmijë me autizëm mund të mos e kthejë kokën kur i thonë emrin, por mund të dëgjojë çelësin që lëviz në derën e dhomës ngjitur.

A kanë të gjithë fëmijët me autizëm zhvillim të vonuar?

Jo, ka një shtrirje të gjerë të aftësive kognitive apo të të menduarit ndërmjet fëmijëve me autizëm. Disa prej tyre kanë një koeficient inteligjence nën mesataren, ndërsa të tjerë e kanë si prej gjeniu. Fëmijë të tjerë kanë vonesa domethënëse në të gjitha hapësirat e zhvillimit. Megjithëse diagnoza e autizmit nuk varet nga aftësitë kognitive të fëmijës, ajo ndihmon në ofrimin e informacionit lidhur me atë fushë që rezulton e dëmtuar, në mënyrë që të kuptohen më mirë nevojat dhe aftësitë e fëmijëve dhe të planifikohen ndërhyrje sa më efikase.

A shkaktojnë vaksinat autizëm?

Ka patur një shqetësim të konsiderueshëm publik, si dhe vëmendje të konsiderueshme mediatike lidhur me lidhjen e mundshme ndërmjet autizmit dhe vaksinave. Studime të shumta shkencore, janë përqendruar në këtë çështje, dhe së fundmi është arritur në përfundimin që vaksinat nuk janë të lidhura me autizmin. Gjithashtu, njihen edhe shumë rreziqe shëndetësore të lidhura me mosvaksinimin.

A u duhet treguar të tjerëve që fëmija ka autizëm?

Ky është një vendim tejet personal. Në mënyrë që të mundësohet një ndërhyrje e hershme apo shërbime shkollore për të cilat fëmija ka nevojë, do të ishte e dobishme të tregohej lidhur me diagnostikimin e fëmijës me këto probleme. Po ashtu, mjeku i familjes apo terapistë të tjerë duhet të jenë në dijeni të diagnozës, në mënyrë që të planifikojnë ndërhyrje sa më efektive kur është e nevojshme.

Gjithsesi, është prindi apo kujdestari që vendos nëse duhet ta ndajë këtë diagnozë me miqtë dhe të afërmit. Nëse ata kalojnë kohë me fëmijën autik, ndoshta vënë re diferencat zhvillimore. Ndoshta edhe kanë keqinterpretuar sjelljet e lidhura me autizimin duke e menduar fëmijën si të turpshëm apo shpërthyes. Ndarja e diagnozës ka të ngjarë t’i ndihmojë ata të kuptojnë se përse ky fëmijë ka vështirësi në ndërveprimin dhe komunikimin me të tjerët. Gjithashtu, kjo mund të shtojë mbështetjen e tyre për këtë fëmijë në të ardhmen.

Kush tjetër duhet të jetë në ekipin e ndërhyrjes për këtë fëmijë?

Kjo varet nga modelet dhe nevojat unike të çdo fëmije. Disa specialistë që janë shpesh shumë ndihmues në punën me fëmijët autikë janë specialistë të të folurit-gjuhës, terapistë të lëvizjes, fizioterapistë dhe terapistët e sjelljes. Ndoshta një fëmijë autik nuk ka nevojë për gjithë këta specialistë në të njëjtën kohë. Gjithsesi, një prind që ka një fëmijë me probleme të tilla duhet të ketë informacion për këta specialistë.

Specialisti i të folurit-gjuhës, është i trajnuar në vlerësimin, trajtimin dhe parandalimin e problemeve të komunikimit. Ai vlerëson dhe trajton vështirësitë në të kuptuarin dhe shprehjen e gjuhës, si dhe problemet me të folurin (artikulimi dhe rrjedhshmëria). Duke qenë se komunikimi me gjeste dhe fjalë është i vështirë për fëmijët me autizëm, këta specialistë luajnë shpesh një rol themelor në skuadrën ndërhyrëse. Ka raste kur këta specialistë kanë njohuri edhe në trajtimin e çrregullimeve të të ngrënit, gjë që i ndihmon të kuptojnë qëndrimet e disa fëmijëve autikë që hanë një numër të kufizuar ushqimesh, apo kanë vështirësi të tolerojnë disa shije apo përbërje ushqimore.

Terapistët e lëvizjes fokusohen në dhënien e ndihmës për të zhvilluar aftësitë motorike fine (lëvizjet përfshirë muskujt e vegjël të krahëve, duarve dhe fytyrës), procesimin e informacionit nga shqisat dhe kryerjen e aktiviteteve të përditshme të tilla si të ngrënët, të veshurit etj. Për fëmijët me autizëm, këta terapistë ndihmojnë shumë për të zhvilluar aftësitë për lojë, të mësuarin e aftësive të vetë kujdesit, si dhe në përballjen me diferencat në përjetimin e ndjesive të ndryshme.

Fizioterapistët janë të trajnuar për trajtimin e problemeve me lëvizjen dhe qëndrimin. Ndryshe nga të parët, këta fokusohen në zhvillimin e aftësive motorike të mëdha (lëvizje që përfshijnë muskujt e mëdhenj të duarve e këmbëve). Këta fizioterapistë mund të ndihmojnë fëmijët me autizëm që kanë vështirësi në koordinim, balancë apo planifikim të lëvizjes kundrejt ambientit, si dhe pjesëmarrjen në lojëra dhe aktivitete rikrijuese.

Terapistët e sjelljes ndryshojnë në backgroundin e tyre të formimit. Përgjithësisht terapistët e sjelljes aplikojnë Analizën e Sjelljes së Aplikuar (ABA), e cila është një qasje e organizuar e ndryshimit të sjelljes ku nxiten sjellje pozitive, mësohen aftësi të reja duke shpërblyer aftësitë që terapisti kërkon të zhvillojë.

Qëllimet e kësaj terapie janë rritja e sjelljeve pozitive, të mësuarit e aftësive të reja, rënia e sjelljeve të padëshiruara, si dhe ndihma për fëmijët që t’i përdorin këto aftësi të reja në shtëpi, shkollë, apo në situata ku ata luajnë apo ndër veprojnë me të tjerë.

A ka nevojë një fëmijë autik për specialistë mjekë?

Fëmijët me diagnozën e çrregullimeve të spektrit të autizimit duhet të vlerësohen nga një mjek ekspert në vlerësimin dhe menaxhimin e këtyre çrregullimeve. Nuk është e rrallë për këta fëmijë të kenë edhe probleme shëndetësore të tilla si konstipacioni, diarreja, refluksi, probleme të gjumit, probleme të të ushqyerit etj. Duke qenë se për autizmin nuk ka një kurë, trajtimi i problemeve që zhvillohen përgjatë këtyre çrregullimeve mund të shtojë rehatinë e fëmijës. Kur fëmijët ndihen më mirë, ata mund të jenë më pranues ndaj të mësuarit dhe, rrjedhimisht, mund të përfitojnë më shumë nga ndërhyrjet edukative dhe terapeutike. Rreth 15% e fëmijëve me çrregullimeve të spektrit të autizimit kanë një sindromë të identifikueshme (për shembull sindromën X i brishtë). Mjeku i familjes mund të ndihmojë që prindërit apo kujdestarët të drejtohen te gjenetisti, i cili mund të rekomandojë edhe testet e duhura.

A janë fëmijët e lindur më pas në rrezik për autizëm?

Studimet kanë arritur në përfundimin se, të paturit një fëmije me autizëm rrit rrezikun për fëmijët e lindur më pas. Sipas studimeve, një familje që ka një fëmijë me autizëm ka 15-20% më shumë mundësi për të patur një fëmijë të dytë me autizëm. Rreziku është më i lartë nëse ka dy apo më shumë fëmijë autikë në familje. Ky shtim i rrezikut shfaqet edhe nëse fëmija është diagnostikuar me ndonjë sindromë gjenetike të lidhur me autizmin.

Share

Të fundit

Të tjera nga kategoria

Gjest human: Mërgimtari që jeton në Gjermani do ta paguajë shumën për shërimin e 13 vjeçares

Dje dhe sot nëpër media ka qarkulluar thirrja për ndihmë ndaj Rinesa Danit. Për trajtimin...

9 vjeçarit nga Prizreni, Benjamin Beqirit i duhet ndihmë financiare për shërim

Benjamin Beqiri nga Prizreni, i cili po përballet me disa sëmundje që në lindje...

Alp Morina (1-vjet e gjysmë), nga Lumishta e Malishevës ka nevojë për ndihmë

Apel për ndihmë! Alp (Liridon) Morina, nga fshati Lumishtë komuna Malishevë, mosha 1vit e gjashtë...

Vipa çips: Sigurinë e kemi gjithmonë në nivel, po eksportojmë në Itali pa asnjë pengesë

Kompania ‘Pestova’ ka reaguar lidhur me lajmin që u publikua në media lidhur me...