Instituti Kombëtar i Shëndetit Publikë të Kosovës (IKSHPK), u ka bërë thirrje qytetarëve që të kenë kujdes gjatë këtyre ditëve pasi që temperaturat e larta janë rikthyer.
IKSHPK përmes një njoftimi për media ka thënë se duke u ekspozuar në diell për një kohë të gjatë mund të pësojmë goditje nga të nxehtit që çon në dehidrim të organizmit përcjellur me ngërçe, vjellje, çrregullime diarreike, skuqje dhe djegie të lëkurës duke komplikuar sistemin kardiovaskular deri në insufiçiencë renale.
IKSHPK ka kërkuar që personat e moshuar assesi të mos ekspozohen ën rrezet e diellit në intervalin kohor prej orës 10:00-17:00.
“Është e domosdoshme marrja e 2 litrave lëngje gjatë ditës, qoftë si 8 gota ujë ose në formë supe ose qaji; poashtu duhet anashkaluar ushqimin e fërguar, shumë të njelmët ose të ëmbël ose me mëlmesa të shumta, ndërsa duhet marrë shumë pemë dhe perime sezonale”, thuhet në njoftimin e IKSHPK-së.