Nusja kosovare e dhëndrit nga Struga nuk pranon ndryshimin e emrit të djalit të saj. Ajo thotë se do ta dërgojë rastin deri në Gjykatën e Strasburgut
Deformimi i emrave shqip në Maqedoninë e Veriut – Problemet që po u shkakton alfabeti cirilik. Heshtja e politikanëve shqiptarë të Maqedonisë së Veriut tregon (pa)fuqinë e tyre karshi një problemi madhor që ju shkakton telashe të theksuara familjeve të tëra shqiptare të Maqedonisë, me emra e mbiemra të deformuar në dokumente zyrtare të udhëtimit.
Luljeta dhe Lavdrimi ishin fëmijë kur familjet e tyre kishin emigruar në Zvicër. Ata u rritën larg vendlindjes, por pa e shkëputur asnjëherë kontaktin me vendin e prejardhjes. Luljeta nga Gjilani dhe Lavdrimi nga Struga e Maqedonisë së Veriut janë një bashkim i zakonshëm i shqiptarëve të Zvicrës.
Lidhjen e tyre të gjatë, këta dy të rinj, e kanë kurorëzuar me martesë, duke u bërë keshtu vitin e kaluar edhe prindër. Për fëmijen e tyre të parë, djalin, ata kishin zgjedhur një emër shumë të veçantë, me të cilin e kishin regjistruar tek organet zvicerane, pa e menduar që këtë emër shteti maqedonas nuk do të pranonte ta regjistronte në dokumentet shtetërore ashtu siç i kishin vendosur Luljeta dhe Lavdrimi.
Organet komunale e shteti maqedonas kërkonin nga prindërit ta regjistronin djalin e tyre pa Y-në e gjuhës shqipe. Sepse maqedonishtja nuk njeh këtë formë emërtimi në dokumente zyrtare, si pasaporta e çertifikatë të lindjes. Kjo nuk i ka pëlqyer fare nuses nga Kosova. Ajo ka insistuar që emri i djalit të saj të shkruhet shqip në pasaportë, pa asnjë ndryshim.
Luljeta thotë se nuk do të pranojë kurrë ndryshimin e emrit të djalit të saj. «Do ta dërgoj rastin deri në Gjykatën e Strasburgut dhe këtë ua kam thënë edhe komunarëve shqiptarë të komunës së Strugës, e cila është nën drejtimin e partisë së Zijadin Selës, Aleanca për Shqiptarët», shprehet ajo e mllefosur.
Kujt i pengon emri Lyrian?
“Emrin Lyrian kemi vendosur t‘ia lëmë për arsye të prejardhjës sonë ilire apo siç njihet në gjermanishte, `Illyrer`” thotë në një toskërishte të rrjedhshme Lavdrimi.
“Po ashtu Lyriani duhej të lindej në kohën e një shiu meteoresh “Lyriden” (Meteorschauer). Ishte pothuajse patjetër të pagezohej si Lyrian”, thonë prindërit, Luljeta dhe Lavdrimi, derisa theksojnë se për ata është me rëndësi që si Lyriani po ashtu edhe pasardhësit e tij të dinë për prejardhjen e tyre. Mirëpo që ky emër të mbetet i shkruar ashtu siç e kanë regjistruar prindërit në Zvicër, po del problematike.
Kur çifti vendosi që fëmijën ta regjistrojë në librin amzë të Maqedonisë së Veriut, në zyrën përkatëse u thanë se emri i djalit duhet të regjistrohet “Lirian” apo “Lurian” dhe jo “Lyrian” për shkak se maqedonishtja nuk njeh në alfabetin e saj Y-në
“Lyrianin e kemi regjistruar në librin Amzë të Maqedonisë së Veriut në Ladorishtë- fshat i komunës së Strugës. “Ata na thanë se këtu mbetet emri Lyrian në gjuhën shqipe dhe nuk do të ketë dokument tjetër ku shkruan emri ndryshe. Më vonë kur ata i bënë gati edhe dokumentat internacionale, pamë që e kishin shkruar emrin “Lurian” dhe këtë ne nuk e pranuam”. Kështu shprehet Luljeta, që kishte kaluar pushimin e verës në Strugë duke kërkuar të drejtat e djalit të saj, për ta regjistruar ashtu si e ka emrin dhe jo ashtu siç ua kanë deformuar emrat pothuajse çdo shqiptari që jeton në këtë shtet.
Politikanët shqiptarë të Maqedonisë së Veriut, pjesë e deformimit të emrave të shqiptarëve
“Ne nuk pranuan që emri i fëmijës tonë, Lyrianit, të ndryshohet. Pas ankesave tona në institucione shtetërore përkatëse të Maqedonisë së Veriut, ata na thënë se kjo ndodh për shkak se emrat përkthehen sipas shablonit në sistem, gjë që nuk mund të ndryshohet nga komuna”, tregon gjilanasja, Luljeta Salihu-Sulejmani.
“Kur ne u ankuam në komunën e Ladorishtës dhe në departamentin e regjistrimit për pasaportë në Strugë, na thanë qe sistemi në Maqedoni është i tillë, që emrat (shkronjat) përkthehen sipas shablonit në sistem dhe këtë ne nuk mund ta ndrydshojmë”, u kishin thënë prindërve.
Ndërsa ne kemi menduar gjithmonë se gjuha shqipe është gjuhë zyrtare, do me thënë që gjuha dhe shkronjat shqipe (latine) si dhe emrat shqiptarë duhet të mbeten si janë dhe jo që sistemi i shtetit i ndryshon sipas shabllonit të tij. Më tutje na thanë, nëse na pengon ky fakt, ne duhet t‘ju drejtohemi politikanëve shqiptarë në Maqedoni. Për ne është e padrejtë të na ndryshohet emri dhe identiteti për shkak se alfabeti çirilik është i kufizuar me shkronjat e tij”, rrëfen çifti.
Megjithatë, Luljeta dhe Lavdrimi kishin kërkuar sqarime rreth këtij problemi edhe nga deputetë e këshilltarë politik të partive politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut. Mirëpo pa sukses, thotë Luljeta. “Ata arsyetoheshin me faktin se `ja edhe unë e kam kështu`…”. Këtu ajo i referohej kështilltarit të subjektit politik “Aleanca për Shqiptarët», Imer Imerit. Pastaj Surija Rashiti e të tjerë që ishin në dijeni të kësaj anomalie shtetërore, por që nuk ndermerrnin asgjë”, thotë Luljeta, e habitur me qëndrimin nënshtrues të politkanëve shqiptarë në këtë shtet. “Madje kryeshef i Departamentit për çështjet Administrative në Ohër, Burim Hoxha, përgjegjës për qytetet Ohër, Strugë, Dibër dhe Kërçovë, as që na është përgjigjur fare», tregon Lavdrimi.
Pse refuzojnë organet komunale ta regjistrojnë Lyrianin me shkronjën “Y”?
Organet komunale nuk mund ta regjistrojnë Lyrianin me emrin zyrtar – sipas tyre „internacional“ – me shkronjën “Y” sepse në Alfabetin cirilik nuk ekziston kjo shkronjë. (Shkronja “Y” ekziston në alfabetin çirilik, mirëpo maqedonët e theksojnë si “U”.) Do të thotë emri „përkthehet“ prej shqip në maqedonisht dhe prej maqedonisht në „internacional“ me shkronja latine.
Lyriani regjistrohet në Kosovë
Pas gjithë këtyre telasheve, tashmë Lyrianin e kanë regjistruar në Kosovë dhe ai ka pasaportë të Kosovës. Ndërkaq, Luljeta thotë se nuk do të pranojnë në asnjë formë që t`i ndryshohet emri të birit dhe se do të ankohen edhe tek avokati i popoullit e deri në Gjykatën e Strasburgut. “Ne do të ankohemi tek avokati maqedonas i popullit se Lyrianit i shkelet e drejta e emrit që ne prindërit ja kemi lënë. Ne duam zgjidhje për këtë çështje dhe do të zgjasim procedurën aq sa duhet për të drejtën e Lyrianit që të mos i ndryshohet emri”, thotë e ëma e Lyrianit.