Një prind përmes një letre dërguar në median për arsim AlbanianEducation.net ka shprehur shqetësimin lidhur me vlerësimin përfundimtar të vajzës së tij, e cila po përfundon klasën e nëntë.
Sipas prindit, nxënësja ka arritur rezultate shumë të mira gjatë vitit shkollor dhe në të gjitha lëndët ka notën 5, përveç një lënde ku është vlerësuar me notën 4.
Prindi thotë se arsyetimi i mësimdhënësit lidhet me një rezultat më të ulët që nxënësja kishte marrë në një test vlerësues gjatë periudhës së parë të vitit shkollor.
Megjithatë, ai ngre pyetjen se sa duhet të ndikojë një rezultat i tillë në vlerësimin përfundimtar, duke pasur parasysh performancën e përgjithshme të nxënëses gjatë vitit.
Sipas tij, shqetësimi nuk qëndron te nota 4 në vetvete, por te mënyra e vlerësimit dhe standardet që aplikohen për nxënësit.
Prindi kërkon sqarime nëse raste të tilla duhet të diskutohen në organet profesionale të shkollës, në mënyrë që vlerësimi të jetë sa më i drejtë dhe në përputhje me arritjet reale të nxënësve.