Më 25 korrik, kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, shkoi në Ministrinë e Arsimit, dhe atje zhvilloi një takim, jo me ministren Arbërie Nagavci, por me zëvendësin e saj, Taulant Kelmendi, dhe kështu u ‘thye akulli’, pas akuzave të vazhdueshme mes tyre.
Megjithatë, në njoftimet që lëshuan pas takimit SBASHK dhe MASHT, prapë nuk ishin një zë për temat që biseduan në takim.
SBASHK-u në komunikatën e saj tha se kanë biseduar edhe për koeficientin e pagave, kurse MASHT nuk ka shkruar asnjë fjalë të vetme për këtë gjë, shkruan AlbanianEducation.net.
Komunikata e MASHT
Ministria e Arsimit tha se zëvendëskryeministri Taulant Kelmendi, ka diskutuar me përfaqësuesit e SBASHK-ut, (nuk ia përmend fare emrin kryetarit Rrahman Jasharaj), në lidhje me çështje të ndryshme në fushën e arsimit.
Tutje thuhet se zëvendësministri Kelmendi i informoi përfaqësuesit e SBASHK-ut në lidhje me rregulloret e aprovuara, e përkatësisht Rregulloren për procedurat e përzgjedhjes dhe emërimit të drejtorëve dhe zëvëndësdrejtorëve, mësimdhënësve, bashkëpunotorëve profesional, asistentëve instruktorëve dhe personelit të shërbimeve të përbashkëta në institucionet publike edukativo-arsimore dhe aftësuese (IEAA) të arsimit parauniversitar.
Poashtu thuhet se diskutuan për proceset në vazhdimësi sa i përket përgatitjeve për vitin e ri shkollor.
“Me këtë rast, zëvendësministri Kelmendi i siguroi përfaqësuesit e Sindikatës se në koordinim të plotë me Drejtoritë Komunale të Arsimit janë duke u bërë përgatitjet e duhura për një fillim sa më të mbarë të vitit të ri shkollor.
Përfaqësuesit e SBASHK-ut adresuan të gjitha sugjerimet e tyre për furnizimin me tekste shkollore si dhe çështje tjera që ndërlidhen me arsimin parauniversitar”, njoftoi MASHTI.
Komunikata e SBASHK-ut:
SBASHK-u në njoftimin e saj thotë se kryetari Rrahman Jasharaj, duke iu përgjigjur ftesës, u takua me zëvendësministrin e Arsimit, Taulant Kelmendi, me të cilin diskutoi për fillimin e vitit të ri shkollor, pakënaqësitë dhe kërkesat e mësimdhënësve karshi Qeverisë.
Në njoftim thuhet se Jasharaj, kërkoi nga Kelmendi që takime të tilla mes MASHTI-t dhe Sindikatës të ketë më shpesh ngase sipas tij në këtë mënyrë mund të plotësohen kërkesat e mësimdhënësve dhe zgjidhen problemet aktuale në arsim.
Kryetari Jasharaj kërkoi që furnizimi me tekste shkollore këtë vit të bëhet nga MASHTI duke i dërguar tekstet shkollore në shkolla si dhe të ketë libra të rinj për të gjithë nxënësit e nivelit fillor dhe të mesëm të ulët, pra nga klasa 1 deri 9.
Tutje thuhet se Jasharaj kërkoi nga Kelmendi që Qeveria të bëjë rritjen e koeficientit për mësimdhënës dhe të plotësohen edhe kërkesat tjera të anëtarësisë, të cilat në formë të shkruar ia dorëzoi zv/ministrit Kelmendi.
Jasharaj u shpreh se kur ka dialog dhe angazhim për realizimin e kërkesave të anëtarësisë atëherë nuk ka kërkesa për veprime sindikale.
SBASHK njoftoi më tej se nga ana e tij, zëvendësministri Taulant Kelmendi premtoi se do t’i shqyrtojë me kujdes kërkesat e SBASHK-ut e pastaj informoi kryetarin Jasharaj për angazhimet dhe përgatitjet që po bën MASHTI lidhur me vitin e ri shkollor.
/AlbanianEducation.net/.