Profesori i Universitetit të Prishtinës, Halil Ibrahimi ka reaguar pas raportimeve se ushtruesja e detyrës së rektorit, Luljeta Plakolli – Kasumi, është kusherirë e presidents Vjosa Osmani.
Ibrahimi përmes një shkrimi në Facebook, me ironi ka propozuar që posti i rektorit të bëhet me rotacion mes partive politike.
“Me një ligj të veçantë postin e rektorit bëjeni me rotacion midis partive politike. Edhe ashtu në praktikë tash e tri dekada kështu është. Le ta dimë bile zyrtarisht që jemi të zaptuar”, ka thënë ai.
Vendimi për shkarkimin e Naser Sahitit është marrë në mbledhjen e sotme të Këshillit Drejtues, pa praninë e mediave të cilat nuk janë lejuar të hyjnë në takim.
“Sot me datën 21 tetor 2022, Këshilli Drejtues i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” ka emëruar si ushtruese të detyrës (u.d.) së rektorit, Prof. Ass. Dr. Luljeta Plakolli-Kasumi, profesoreshë në Fakultetin Juridik të UP-së. Prof. Ass. Dr. Plakolli-Kasumi ka marrë përsipër këtë detyrë që të ndihmojë mbarëvajtjen e punës në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina” dhe të sigurojë ligjshmëri në konkurrencë gjatë procedurës së zgjedhjes së rektorit të UP-së. E njëjta, nuk pretendon të marrë pjesë në konkursin për rektor dhe pas përmbylljes së procesit do t’i kthehet angazhimeve të saj në Fakultetin Juridik.” – thuhet në njoftimin e UP-së.