Karriera dhe arritjet individuale po shtyjnë moshën e mëmësisë tek gratë. Ky fenomen është përhapur në Shqipëri, Europë dhe në botë.
Sipas të dhënave nga Instat në vitin 2020 është vënë re një rritje e numrit të lindjeve në grup-moshat 30-34 vjeç, 35-39 vjeç dhe 40-44 vjeç në krahasim me vitin 2016.
Instat tregon shembullin se si në vitin 2016 në 1000 gra të moshës 20-24 vjeç numëroheshin 74 lindje, ndërsa në vitin 2020 vetëm 55 lindje.
Në grup-moshën 35-39 vjeç në vitin 2016 kishte 29 lindje për 1000 gra, ndërsa në vitin 2020 kishte 34 lindje për 1000 gra.
Rritje pati edhe për gratë mbi të 40-tat. Në vitin 2016 kishte 4,9 lindje në 1000 gra të moshës 40-45 vjeç, ndërsa në vitin 2020 në 1000 gra të kësaj moshe linden 5.8 fëmijë.
Rënia e numrit të lindjeve vit pas viti duket se ka përkeqësuar cilësinë e zëvendësimit të brezave, pasi po rritet hendeku i zëvendësimit të gjinisë femërore.
Koeficienti Bruto i Riprodhimit (KBR) është një tregues i mirë për matjen e rritjes së brezave të ardhshëm. Ai mat normën me të cilën gratë zëvendësojnë veten e tyre gjatë viteve të jetës riprodhuese.
Në vitin 2020, KBR-ja është 0,65 që do të thotë se gratë në Shqipëri janë rreth 35 për qind larg zëvendësimit të vetvetes. Ky tregues ndikohet direkt nga sjellja riprodhuese e grave dhe nga preferenca për të lindur djem.
Numri i lindjeve të vitit 2020 është 28.075 lindje. Raporti gjinor në lindje është 107, që tregon se për çdo 100 vajza të lindura, lindin 107 djem.
INSTAT sqaron se ky raport është më i lartë se raporti natyral, i cili është 105. Në vlera absolute, rënia e numrit të lindjeve krahasuar me vitin 2020 është 486 lindje. Për lindjet djem kemi një rënie prej 2,7 %, ndërsa për lindjet vajza rënia është 0,6 %. Indeksi sintetik i fekonditetit (ISF),i cili tregon numrin mesatar të fëmijëve që pritet të lindë një grua në moshë riprodhuese shënon 1,34 fëmijë për vitin 2020, nga 1,36 që ishte me 2019, një nga normat më të ulëta në Europë.