Reformat e fundit në arsim dhe debatet që i kanë shoqëruar atë dëshmojnë për një rritje të ndërgjegjësimit të shoqërisë për problemet e arsimit dhe shkollës. Këto probleme duket se i përkasin gjithë shoqërisë dhe jo vetëm një pjese të saj…
Shkolla është një nga institucionet themel bazë, ku nis dhe merr rrugë dija dhe edukimi i kapacitetit njerëzor dhe potencialit te tij.
Arsimi është një nga fushat më të rëndësishme të çdo shoqërie dhe të çdo sistemi. Përmes arsimimit shoqëritë dhe kombet u transmetojnë pjesëtarëve të tyre dijen, kulturën, trashëgiminë kulturore, vlerat përmes të cilave shkon përpara shoqëria.
Arsimi është edhe një nga fushat që jo vetëm i prin shoqërisë, por edhe ndikohet fuqishëm prej saj dhe ndryshimeve shoqërore. Fakti që sistemet e arsimimit janë në ndryshim të përhershëm, nuk tregon paqëndrueshmëri, përkundrazi, ato shërbejnë për t’iu përshtatur sa më mirë ndryshimit të shoqërisë.
Ashtu si në çdo institucion tjetër, rregullator i marrëdhënieve te ndërsjella mes asaj që ofron ky institucion dhe individëve bashkëpunues dhe ndërveprues, është ligji. Kjo do të thotë se shkolla funksionon dhe kryen veprimtarinë e saj edukuese dhe sociale mbi bazë të një legjislacioni themelor, përcaktuar enkas për të. Si çdo sistem, edhe ai arsimor, fillimisht si bazë ligjore njeh Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, së cilës i bashkëngjiten ligjet dhe aktet e tjera ligjore, Konventa e të Drejtave të Fëmijëve me nenin 28 dhe shumë nene të tjera në mbrojtje të fëmijëve, të cilat përcaktojnë dhe ruajnë balancat e prioriteteve te saj.
Dhe çdo ditë pyes veten… Çfarë ndryshimi do të kishte në botë nëse nuk do të ekzistonte shkolla dhe nivelet e arsimimit? Si do të organizohej bota dhe si do të drejtohej ajo?
A do të ishin gjërat më të thjeshta apo më të vështira?
A do të ishte më e bukur çdo gjë apo jo?
Çfarë kuptimi do të merrte jeta dhe veprimtaritë e saj botërore?
Bota pa njerëz të arsimuar do të ishte si një operacion i parealizueshëm. Shkollat e para janë hapur shumë shekuj më parë, duke bërë që çdo gjë përreth njeriut të marrë një kuptim domethënës.
Arsimi jo vetëm që është një nga fushat që i prin shoqërisë por edhe ndikohet fuqishëm prej saj dhe ndryshimeve shoqërore.
Më anë te arsimit ne ecim me kohën. Arsimi si në çdo vend të botës, edhe në Shqipëri po ecën përpara, gjithnjë e më shumë duke nxjerrë njerëz me shumë vlera e të talentuar.
Shqiptarët janë shumë të etur dhe kanë shumë vullnet për ndryshime përparuese të arsimit në Shqipëri. Gjithnjë e më shumë po nxirren njerëz të talentuar dhe të arsimuar në fusha të ndryshme.
Çdo reformë që ndërmerret në arsim ka si qëllim zhvillimin e çdo vendi duke i dhënë kuptim çdo gjëje në tokë që përbën botën në tërësi, duke plotësuar çdo nevojë të njeriut dhe duke krijuar kushte të mira ekonomike. Reformat arsimore në vitet e fundit kanë ndryshuar shumë me qëllim zhvillimin dhe aktivizimin e plotë të mendjes së nxënësit.
Tashmë po realizohet një ndryshim arsimor i cili ka si qëllim aktivizimin e plotë të mendjes së nxënësit në orën e mësimit, duke bërë që në periudhat e mëvonshme të nxirren personalitete shumë të talentuara dhe me aftësi të plota në fushat e tyre.
Por në lidhje me reformat arsimore flasim edhe për ndërtimin e shkollave të reja të cilat po shtohen gjithnjë e më tepër dhe zgjerimi i tyre duke bërë të mundur edhe realizimin e aktiviteteve të tjera argëtuese dhe çlodhëse për nxënësit siç janë: vrapimi, kërcimi, lojëra të tjera, etj. Këto realizohen më anë të investime që bëhen nga shtetasit ose nga shtetas të vendeve të ndryshme. Arsimi është gjithçka në jetën tonë, është i jetës në tokë dhe përfundimi i gjithçkaje në univers dhe në botë.
Por lind pyetja: “A ka reforma të cilat do ta përmirësonin edhe më shumë nivelin arsimor duke ndihmuar dhe në këtë mënyrë edhe nxënësit ?” .
Jam plotësisht e sigurt që ka, dhe që së shpejti edhe kjo reformë do të arrihet, por ndikimi që do ketë ajo reformë në fushën e arsimit ngelet për t’u parë dhe për tu vlerësuar.
Eksperimentimi në arsim nuk është diçka e keqe, por kur ky eksperimentim kalon caqet hapësinorë dhe kohorë, atëherë ai bëhet i dëmshëm dhe ndikon negativisht.
Reformat e fundit në arsim dhe debatet që i kanë shoqëruar atë dëshmojnë për një rritje të ndërgjegjësimit të shoqërisë për problemet e arsimit dhe shkollës. Këto probleme duket se i përkasin gjithë shoqërisë dhe jo vetëm një pjese të saj. Reformimi i arsimit tashmë ka prekur të gjithë sistemin arsimor dhe duket se po kulmon me ligjin për arsimin e lartë. Duke qenë se intensiteti i reformave ka qenë i madh dhe koha e kryerjes së tyre, relativisht e shkurtër, janë vënë re dhe po dalin në pah shumë problematika. Duke filluar me sistemin 9-vjeçar, gjimnazin e ri, altertekstin, Maturëm Shtetërore, etj.
Këtu fillon konflikti i vërtetë mësues-nxënës. Dhe gjithçka fokusohet tek nota. Vlerësimi bëhet kështu nga një mjet nxitës, pasqyrues i rezultateve, një mjet presioni psikologjik dhe burim konflikti. Shkolla nga një vend miqësor kthehet në makthin e shumë nxënësve dhe të rinjve, të cilët, në vend që të marrin në të edukimin se si duhet të formojnë sjelljen e tyre në jetë, në shoqëri dhe më gjerë, marrin mësimet e para se si t’ia hedhin sa më lehtë. Ndikimi i shoqërisë dhe presioni i madh që bën shoqëria jonë për të nxitur arritjen e rezultateve ka bërë efektin e kundërt, duke mos rritur dëshirën dhe interesin për të mësuar, por për të pasur një diplomë. Pra gjithçka është kthyer në kërkesën për një diplomë dhe jo dije. Reforma e MSH (Maturës Shtetërore), e cila me konceptimin e saj shumë bashkëkohor synoi të vinte në baraspeshë vlerat e secilit, u kthye në të kundërtën e saj si rezultat i një “pakujdesie“ të vogël keqadministrimit.
Dëshira për të qenë “humanë” aty ku duhet seriozitet, bëri që administratorë të papërgjegjshëm dhe mësues shumë “zemërgjerë”, të shkatërrojnë vit pas viti këtë sistem duke arritur që edhe nga vetë institucioni i MASH të deklarohet se në MSH kopjohet. Kjo duket si diçka shumë e parëndësishme, por në thelb ajo dëmton rëndë imazhin e sistemit arsimor dhe vlerat që duhet të përçojë ai. Nëse kjo reformë po shfaq problematikën e saj, kjo nuk do të thotë se duhet të kthehemi pas, por të shohim shkaqet e problemeve dhe të gjejmë rrugëzgjidhje më të mira.
Problematika më e bujshme dhe më shqetësuese, sa herë që fillonte viti shkollor kishte të bënte me tekstet. Mungesa e tyre, shitja në mënyrë të paligjshme, cilësia e dobët, sasia e pamjaftueshme dhe mbi të gjitha përmbajtja e tyre dhe ngarkesa e madhe me mangësi në aparatin pedagogjik, u kthyen në një problem tjetër që shoqëroi shkollën gjatë viteve të tranzicionit. Problematika e re që shfaq reforma e altertekstit ka të bëjë me tekstet e përkthyera, të cilat vërtet u përkasin shkencave natyrore dhe si të tilla sigurisht që mund të jenë më të mira në cilësi dhe përmbajtje se tekstet që mund të përgatiten nga specialistët shqiptarë, por nuk duhet harruar tradita e vendit nga vijnë këto tekste dhe mbi të gjitha, përkthimi problematik që shpesh është edhe qesharak dhe amatorial.
Një reformë nuk mund të kuptohet pa burimet njerëzore që i japin asaj vlerën e vërtetë. Mësuesi është aktori kryesor dhe faktori i rëndësishëm që u jep jetë politikave dhe materializon reformat.
Por çfarë është bërë për mësuesin në këto njëzet vjetët e fundit?
Kjo pyetje do të merrte shumë përgjigje dhe do të lakohej shumë nëse do të futeshim në “kalendarin” e politikës, por për hir të së vërtetës, duhet thënë se për mësuesin nuk është bërë aq sa duhet. Në këto njëzet vjet tranzicion vihet re se profesioni i mësuesit, që dikur ka qenë shumë i kërkuar dhe shumë i vlerësuar, tashmë është në fund të preferencave të të rinjve. Mjafton t’i hedhësh një sy librit të transparencës dhe kupton se sa pak kërkohet ky profesion madje edhe kur kërkohet, fatkeqësisht jo prej nxënësve shumë të mirë. Faktori kryesor që ndikon, kuptohet që ka të bëjë me pagën. Në ekonominë e tregut dhe të konkurrencës së lirë është e natyrshme që çdokush do të kërkojë më të mirën dhe dihet që profesioni i mësuesit nuk është.
Duke qenë se arsimi shihet jo vetëm si faktor, por dhe si prioritet i zhvillimit të qëndrueshëm të kapaciteteve të burimeve njerëzore, krijimit të paqes dhe zhvillimit të vlerave universale, ai duhet të ofrohet sa më cilësor dhe bashkëkohor duke ecur njëtrajtësisht dhe paralelisht me ritmin e zhvillimit shoqëror, ekonomik e social.
Pa dyshim, ndryshimet e shumta, por të rëndësishme të diktuara nga ky zhvillim, reformat e ndërmarra, programet dhe kurrikulat e bazuara mbi metoda e teknologji të reja, ndikojnë drejtpërdrejt në rritjen cilësore të tij, dhe si i tillë, ai gjithmonë do të vijë si progres jo vetëm si arsim, por si një gjerësi informimi dhe edukimi shumëplanësh në formimin e individit në veçanti dhe të shoqërisë në përgjithësi.
Nga Suela Patoshi, Zv/drejtore në shkollën 9-vjeçare “Fiqiri Kurti”, Kavajë
©Portali Shkollor-