Fëmijët mund të jenë më të mbrojtur nga koronavirusi për shkak të sistemit të fortë imunitar, të cilin e kanë që nga lindja, sipas një studimi të ri.
Studiuesit në universitetin “Yale” dhe në kolegjin “Albert Einstein”, zbuluan se të rriturit që infektohen me koronavirus kanë 9 herë më shumë mundësi që të vdesin, në krahasim me fëmijët.
Ata analizuan gjakun dhe plazmën e të rriturve si edhe atë të fëmijëve, për të parë se si reagonin secili prej tyre në momentin që infektoheshin me Covid-19.
Studiuesit zbuluan se fëmijët kanë një sistem imunitar më të fortë, ndërsa të rriturit prodhuan më shumë antitrupa, por sistemi imunitar i tyre nuk ishte “i lindur”, por “adaptues”.
Përfundimet tregojnë se përse fëmijët mund ta përballojnë më mirë koronavirusin në krahasim me të rriturit.
Nisur nga këto rezultate, studiuesit mendojnë se sistemi imunitar i lindur mund të ofrojë elementë të përshtatshëm për të luftuar virusin, që nuk ofrohen nga antitrupat apo nga sistemi imunitar adaptues.
Në fillim të pandemisë, disa shkencëtarë dolën në përfundimin se fëmijët ishin plotësisht imunë ndaj virusit dhe nuk mund të infektoheshin.
Por, shumë shpejt u zbulua se fëmijët mund të jenë mbartës të Covid-19 dhe mund ta transmetojnë atë tek të rriturit.
Deri më tani, po bëhen përpjekje për të prodhuar vaksina, të cilat do ta mësojnë trupin të krijojë antitrupa vetë.