Studiuesi me renome ndërkombëtare, prof. Gëzim Visoka nga Dublin City University dhe bashkëpunëtori kërkimor në Universitetin e Oksfordit, transferohet edhe në Universitetin e Prishtinës, shkruan AlbanianEducation.net.
Në njoftimin e UP-së thuhet se me propozimin e rektorit, prof. Arben Hajrullahu, në mbledhjen e 20-të, të zhvilluar më 30 shtator 2025, Senati i Universitetit të Prishtinës njëzëri miratoi propozimin për transferimin e profesorit të Universitetit të Qytetit të Dublinit (DCU, Dublin City University, School of Law and Government, Ireland) si dhe bashkëpunëtorit kërkimor në Universitetin e Oksfordit (Department of Politics and International Relations, Oxford University, UK), Gëzim Visoka, në Departamentin e Shkencës Politike të Fakultetit Filozofik të Universitetit të Prishtinës, si profesor i asociuar.
Transferimi i profesorit të njohur u bë në bazë të Rregullores për transferim, programin ‘Brain Gain’ dhe rastet e nevojës së jashtëzakonshme të rekrutimit të personelit akademik, të miratuar më 30 prill 2025 nga Senati i UP-së. Kjo është hera e parë që, bazuar në këtë rregullore, po transferohet dhe afiliohet me Universitetin e Prishtinës një profesor i kalibrit të Gëzim Visokës.
Profesori Gëzim Visoka është profesor i asocuar i studimeve të paqes dhe konfliktit në Shkollën e Drejtësisë dhe Qeverisjes në Universitetin e Qytetit të Dublinit (DCU) dhe bashkëpunëtor kërkimor, hulumtues i asociuar, në Departamentin e Politikës dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare të Universitetit të Oksfordit.
Deri më tani, ai është autor dhe redaktor i 12 librave, 30 punimeve shkencore dhe 25 kapitujve të librave, të botuara nga revista dhe shtëpi botuese ndërkombëtare ndër më prestigjiozet.
Profesori që po rikthehet në Universitetin e Prishtinës, rrugën e tij akademike e nisi pikërisht në Fakultetin Filozofik të këtij universiteti, ku kreu studimet themelore, për të magjistruar pastaj në Universitetin e Suseksit në Angli dhe doktoruar në Universitetin e Qytetit të Dublinit në fushën e politikës dhe marrëdhënieve ndërkombëtare.
Përveç veprimtarisë së tij ekselente akademike, prof. Visoka ka mbi 20 vjet përvojë pune si këshilltar politik në shoqëritë e pasluftës dhe me grupe të shoqërisë civile.
Ardhja e profesorit Gëzim Visoka në UP hap një praktikë të re në kuadër të përpjekjeve të vazhdueshme për përmirësim të cilësisë së mësimdhënies dhe kërkimit shkencor, në kohën e zhvillimeve të hovshme teknologjike dhe inteligjencës artificiale.