Një studim i ri, sugjeron se fëmijët mund të bëjnë një gjumë me probleme, nëse i përdorin smartfonët e tyre deri pak çaste para se të shtrihen të flenë.
Por studiuesit nga Instituti i Barcelonës për Shëndetin Global shtojnë se nuk gjetën ndonjë lidhje midis ekspozimit ndaj fushave elektromagnetike gjatë ditës, dhe fëmijëve që flenë më pak orë sesa zakonisht gjatë natës.
Autorët e studimit, janë gjithsesi të sigurt se përdorimi i telefonit, është një nga arsyet pse shumë fëmijë nuk pushojnë mjaftueshëm gjatë gjumit, edhe pse ky i fundit është jetik për rritjen dhe zhvillimin e tyre. Ata vënë në dukje se lidhja midis përdorimit të telefonit dhe mungesës së gjumit, mund të shkaktohet nga stresi mendor, ekspozimi ndaj dritës blu dhe fushave elektromagnetike të radiofrekuencës që vijnë nga pajisjet dixhitale.
Megjithatë, studiuesit zbuluan se përdorimi i tepërt i telefonit gjatë ditës, nuk e bën më të vështirë fjetjen e fëmijëve gjatë natës. Në studimin e ri, ekspertët shqyrtuan zakonet online të 1500 fëmijëve 9-12vjeçarë në Spanjë dhe Holandë.
Ata vlerësuan se sa ekspozim hasin fëmijët çdo ditë ndaj fushave elektromagnetike të radiofrekuencës, që vijnë nga telefonat, laptopët, tabletët, TV, valët e radios dhe pajisjet WiFi. Po ashtu ata mblodhën përmes një pyetësori informacione për përdorimin e telefonit të tyre.
Më pas ekipi mblodhi informacione se sa shpesh i përdornin telefonat e tyre pas orës 19:00 një grup prej 300 fëmijësh, ndërsa matën kohën e gjumit të tyre për 1 javë, duke përdorur një pajisje elektronike që mbahen në dorë dhe “ditarë të gjumit”.
Rezultatet treguan se fëmijët kalonin 50 minuta në ditë mbi ekranet e telefonit të tyre, dhe 2 minuta e gjysmë në ditë duke kryer telefonata. Fëmijët flinin mesatarisht 7 orë e gjysmë në natë. Megjithatë, 1 në 5 fëmijë që kryenin telefonata në mbrëmje, flinin 12 minuta më pak se bashkëmoshatarët e tyre.
Megjithëse rezultatet treguan një lidhje të mundshme me përdorimin e telefonit gjatë natës, nuk kishte asnjë lidhje midis përdorimit të telefonit gjatë ditës dhe mungesës së gjumit në mbrëmje. “Dihet se gjumi është vendimtar për shëndetin dhe zhvillimin e adoleshentëve.
Dhe kohëzgjatja apo cilësia e pamjaftueshme e gjumit, shkakton pasoja negative të shëndetit fizik dhe mendor”-shkruan profesoresha Monika Guxens nga Instituti i Barcelonës për Shëndetin Global në revistën “Environmental Research” .
“Pavarësisht rëndësisë së tij mbi shëndetin, kohëzgjatja e pamjaftueshme e gjumit dhe përgjumja që shkaktohet gjatë ditës, janë dukuri shumë të përhapura tek adoleshentët. Disa faktorë biologjikë, socialë dhe mjedisorë, luajnë një rol në përcaktimin e modeleve të gjumit, dhe kanë qenë të lidhura me kohëzgjatjen e pamjaftueshme të gjumit”-vazhdon studiuesja.
Sipas saj përdorimi i pajisjeve të komunikimit celular si telefonat celularë dhe tabletët, është përshkruar si një faktor potencial që dëmton gjumin e adoleshentëve. Por pavarësisht këtyre gjetjeve, autorët e studimit vërejnë se ka shumë pak studime që shqyrtojnë efektin e mundshëm tek gjumi të fushave elektromagnetike të radiofrekuencës.
“Nuk mund të përjashtojmë mundësinë, që ky efekt të ndodhë për shkak të faktorëve të tjerë që lidhen me thirrjet telefonike, dhe jo të ekspozimit ndaj fushave elektromagnetike të radiofrekuencës (RF-EMF). Por rezultatet tona sugjerojnë se dozat e RF-EMF të absorbuara nga truri gjatë natës, mund të jenë më të rëndësishme për gjumin e adoleshentëve”- thotë Alba Kabre-Riera, një ndër autoret e këtij studimi. / StudyFinds