Shifrat
Plot 50% e fëmijëve pohojnë se dhunohen fizikisht dhe psikologjikisht në shtëpi, ndërsa 33% dhunohen në shkollë
Shkaqet
Mosbindje në 32.8% të rasteve, mospërgatitje në mësime në 17.4% dhe zhurma në klasë nga rreth 26.9% e nxënësve
Viti 2015
Vërehet ulje në përqindje të formave të dhunës psikologjike, si: të bërtitura dhe ofendime, krahasuar me të dhënat e vitit 2006
Kartoni
Kartoni i verdhë përdoret më shumë nga mësueset femra dhe në shkollat rurale (1/2 në Shkodër, Kurbin, 6% në Librazhd
Qytet
Më shumë probleme në sjellje në shkollat brenda qytetit (mësuesit u përgjigjen këtyre sjelljeve me qëndrime më të ashpra)
Dhuna fizike
Është rritur numri i nxënësve që raportojnë përdorimin e dhunës fizike nga mësuesit, si: shkulje veshi, goditje, shtyrje, pickim
Klasat 8-13
Nxënësit e klasave 8-13 thonë se detyrohen të mësojnë si pasojë e dhunës fizike dhe psikologjike
Mësuesit meshkujt
Mësuesit meshkuj dhe ata në qytete i konsiderojnë trajtimet e dhunshme ndaj nxënësve të tyre si “normale”
Shpërndarja gjeografike
Korça, Librazhdi raportojnë nivelin më të ulët të përdorimit të dhunës, Tirana, Lezha, Vlora raportojnë nivel më të lartë
Pohimi
Gjatë zhvillimit të studimeve mësuesit njohën/pranuan se dhuna ka efekt shumë të dëmshëm në mirëqenien emocionale të fëmijëve
Mësuesit e Tiranës, Shkodrës dhe Lezhës më të “egrit”. Nivel i ulët dhune në Librazhd, Korçë
Plot 50% e fëmijëve pohojnë se dhunohen fizikisht dhe psikologjikisht në shtëpi, ndërsa 33% pranojnë se dhunohen në shkollë. Për sa u takon shkaqeve, që sipas mësuesve ndikojnë në ndëshkimin e nxënësve, ndër më kryesoret renditen: Mosbindje në 32.8% të rasteve, mospërgatitje në mësime në 17.4% dhe zhurma në klasë nga rreth 26.9% e nxënësve. Po nga ky studim rezulton se format më të përhapura të dhunës fizike janë pickimi, shkulja e veshit dhe goditja me dorë ose me një objekt tjetër, pa përjashtuar këtu edhe dhunën psikologjike, si: Kërcënimi, e bërtitura dhe ofendimi. Këto janë vetëm disa prej gjetjeve të studimit për “Dhunën ndaj fëmijëve”, të realizuar nga UNICEF, “World Vision”, “Save the Children” dhe Ministria e Arsimit, në vitin 2006, shifra që pasqyrohen edhe sot, pas 7 vitesh, ndonëse në disa shkolla vërehet një lloj minimizimi i fenomenit të dhunës, por jo në nivel të dukshëm, fakte që tregojnë se organet përgjegjëse nuk kanë bërë asnjë punë në këtë drejtim. Qëllimi i këtij studimi, sipas përfaqësuesve të UNICEF, është evidentimi i problematikave dhe ndërhyrja me masat e nevojshme për reduktimin e rasteve të dhunës së mësuesve/kujdestarëve ndaj fëmijëve si mjet disiplinimi në Shqipëri. Gjetjet “Studimi COMBI (Komunikim për Ndryshimin e Sjelljes) ka konfirmuar prezencën e niveleve të larta të përdorimit të dhunës nga mësuesit.
Gjatë fazave të studimit ka pasur një rënie te nxënësit që raportojnë se kanë pësuar të paktën një lloj dhune, ndërkohë që vërehen ulje në përqindje të formave të dhunës psikologjike, si: Të bërtitura dhe ofendime”, sqarohet në dokumentimin e fazës së parë të programit.
Sipas tij, disa prej arsyeve të mundshme që thuhet se mund të kenë ndikuar disi për mirë në minimizimin e fenomenit të dhunës në shkollat e mesme dhe 9-vjeçare në vend janë: Rritje e përgjithshme e ndërgjegjësimit dhe rritje e përdorimit të Kartave PEET nga mësuesit, ndryshe i njohur si “Kartoni i Verdhë”.
Megjithatë, krahas përpjekjeve edhe këtë vit raportohet nivel më i lartë i përdorimit të dhunës nga nxënësit e shkollave urbane krahasuar me ato rurale, në klasat e larta dhe kryesisht ndaj djemve.
“Vërehet prezencë e klasave më të ulëta në shkollat rurale, më shumë probleme në sjellje në shkollat brenda qytetit (mësuesit u përgjigjen këtyre sjelljeve me qëndrime më të ashpra); Është shqetësues fakti se është rritur numri i nxënësve që raportojnë përdorimin e dhunës fizike nga mësuesit, si: shkulje veshi, goditje, shtyrje, pickim; nxënësit e klasave më të larta (8-13) mendojnë se dëshira e tyre për të mësuar dhe për të ndjekur shkollën, ndikohet shumë nga dhuna si fizike dhe psikologjike; mësuesit gjithashtu raportojnë nivel të lartë të përdorimit të dhunës fizike dhe verbale ndaj nxënësve të tyre; frekuencat pak më të larta të vërejtura nga mësueset e seksit femër dhe ata nga shkollat rurale, na sugjerojnë se mësuesit meshkuj dhe ata në qytete mund të konsiderojnë trajtimet e dhunshme ndaj nxënësve të tyre si “normale”, e përdorin atë më shumë, por nuk e raportojnë”, janë disa prej arsyeve të mundshme që mendohet se ndikojnë në dhunën që ushtrojnë mësuesit në shkolla.
Por, nuk mbarojnë me kaq! Të tjera fakte tregojnë se: Korça dhe Librazhdi raportojnë nivelin më të ulët mesatar të përdorimit të dhunës, ndërkohë që mësuesit e Lezhës, Vlorës dhe Tiranës raportojnë nivel më të lartë. Gjatë zhvillimit të studimit mësuesit raportuan se: Përdorin më pak dhunë (veçanërisht më pak të bërtitura dhe shkulje të veshit); rënia më e madhe u raportua në Vlorë dhe Dibër; mësuesit në Shkodër dhe Elbasan raportojnë nivelin e të bërtiturave më të rritur; Librazhdi ishte qyteti që raportoi rënie të të gjitha formave të dhunës, duke arritur në 0%; gjatë zhvillimit të studimeve mësuesit njohën/pranuan se dhuna ka efekt shumë të dëmshëm në mirëqenien emocionale të fëmijëve; vetëm një e treta e përgjithshme e mësuesve raportojnë se përdorin “kartonin e verdhë” për t?u dhënë mundësi nxënësve të shprehen; kartoni përdoret më shumë nga mësueset femra dhe ata në shkollat rurale (1/2 e mësuesve në Shkodër dhe Kurbin dhe vetëm 6% e atyre në Librazhd).
Rekomandimet Nisur nga konstatimet e arritura në studimin për “Dhunën në shkolla”, ekspertët rekomandojnë formulimin e një përgjigjeje konkrete ndaj dhunës kundrejt fëmijëve në Shqipëri. “Rritja e ndjeshmërisë ndaj dhunës te nxënësit dhe humbja graduale e së drejtës për dhunë që familjet i njihnin shkollës, kërkon që: Mësuesit të vazhdojnë të informohen mbi MRD; Nxënësit të rrisin ndërveprimin me mësuesit dhe prindërit në këtë drejtim; Prindërit të ndajnë më shumë informacion mbi mbarëvajtjen e shkollës dhe të fëmijëve të tyre brenda mjediseve të shkollës; Të përmirësohet legjislacioni që mbron fëmijët nga dhuna fizike, duke ndërmarrë masa kundër atyre që ushtrojnë dhunë; Drejtoritë Arsimore Rajonale dhe Zyrat Arsimore të matin performancën e mësuesit në kuadër të MRD dhe të promovojnë së bashku me grupin zbatues të programit procesin e akreditimit të Programit COMBI {Komunikim për ndryshimin e sjelljes}, program që duhet konsoliduar si praktikë dhe të përfshihet në kurrikulën mësimore”, rekomandohet në studimin për gjetjen e një zgjidhjeje për minimizimin e dhunës në shkolla. Sipas tij, metodologjia e kartonit të verdhë duhet të përfshihet në kurrikulat universitare për mësuesit e rinj, duhen krijuar profile edukative dhe pedagogjike pranë universiteteve publike dhe private, monitorimi i nivelit të dhunës në institucionet arsimore duhet të jetë i vazhdueshëm, bazuar në një plan konkret; duhet të përgatiten module të mirëfillta trajnimi, ku praktika pozitive konkrete t?u ofrohen mësuesve; duhet të përgatiten module informimi për prindërit dhe familjarët; duhet të përmirësohet shërbimi i psikologut në shkolla.
Sipas ligjit, shkolla duhet të ketë psikologun dhe punonjësin social, ndërkohë që në shumë shkolla mungojnë të dy këta aktorë; Duhet të ndërtohet një sistem i mirëfilltë dhe funksional për parandalimin e dhunës ndaj fëmijëve, përfshirë ngritjen e mekanizmave për ruajtjen e të dhënave.