Gratë që lyejnë flokët e tyre në shtëpi nuk kanë gjasa që të rrisin mundësitë për t’u prekur nga kanceri, sipas gjetjeve të një studimi të ri të botuar së fundmi.
Studiuesit janë përpjekur të gjejnë një lidhje të mundshme mes produkteve të bojës së flokëve dhe llojeve të caktuara të kancerit për vite me radhë, por ndonëse agjencia kërkimore mbi kancerin në Organizatën Botërore të Shëndetësisë i ka klasifikuar produktet e bojës nëpër parukeri si produkte me rrezikshmëri të mundshme, nuk ka dhënë asnjë paralajmërim për produktet që përdoren në shtëpi.
Studimi i fundit është botuar në revistën mjekësore BMJ dhe të dhënat u grumbulluan nga 117,200 gra infermiere në Brigham and Women’s Hospital në Boston. Gratë nuk kishin kancer në fillim të studimit dhe u ndoqën për 36 vjet.
Rezultatet nuk treguan rritje të rrezikut të kancerit ose vdekje nga kanceri te gratë që raportuan se kanë përdorur produkte permanente për të lyer flokët, krahasuar me gratë që nuk kanë përdorur produkte të tilla. Studimi zbuloi se përdorimi i bojës së flokëve nuk rrit rrezikun e kancerit të fshikëzës, trurit, zorrës së trashë, veshkave, mushkërive, kancerit të lëkurës dhe gjirit.
Bojrat më agresive janë llojet permanente (bojë që mbetet në flokë derisa flokët rriten dhe ekspozohet rrënja natyrale) dhe këto zënë afërsisht 80% të bojrave të flokëve të përdorura në SH.B.A., Europë dhe Azi. Ngjyrosja e flokëve vlerësohet të përdoret nga 50% deri 80% e grave dhe 10% e burrave të moshës 40 e më shumë në Shtetet e Bashkuara dhe Europë, sipas studimit.
Autorët theksuan disa kufizime në studim, duke përfshirë mungesën e diversitetit racor te pjesëmarrëset, pasi u përfshinë kryesisht gra të bardha amerikane me prejardhje europiane. Ata shtuan se faktorë të tjerë, siç është përdorimi i produkteve të tjera, mund të kenë ndikuar në rezultate.