Higjiena e duarve është një mënyrë e rëndësishme për të parandaluar përhapjen e Covid-19 dhe, kur nuk ka ujë dhe sapun, pastruesi i duarve me bazë alkooli është mënyra tjetër më e mirë për ta bërë këtë.
Dezinfektantët janë shfaqur në qendrat tregtare, shkollat, vendet e punës etj, për ta bërë më të lehtë për njerëzit që të dezinfektojnë duart e tyre.
Sidoqoftë, një pasojë, e dokumentuar në Francë, ka qenë dëmtimi tek fëmijët të cilët aksidentalisht kanë marrë dezinfektant në sy.
Rastet e fëmijëve që kanë patur ekspozim të syve ndaj këtyre produkteve janë rritur me 7 herë gjatë prillit dhe gushtit të 2020-ës.
16 fëmijë përfunduan në një spital pediatrik sepse kishin spërkatur dezinfektant në sy, krahasuar me vetëm 1 rast në vitin 2019. Dy raste të rënda përfunduan në operacione, që fatmrësisht rezultuan me sukses.
Rastet e spitalit ishin të gjitha me fëmijë nën moshën 4 vjeç. Rreziku më i madh, sipas kërkimit, mund të vijë nga dezinfektantët e instaluar në vende publike. Kjo për shkak se lartësia në të cilën vendosen ato, përkon zakonisht me të njëjtën gjatësi ku gjenden sytë e fëmijëve në këto mosha.
Në një studim tjetër, mjekët në Indi detajuan rastet e dy fëmijëve që aksidentaisht kishin marrë dezinfektant në sy. 4-vjeçarja u ankua se nuk duronte të shihte dritën, ndërsa 5-vjeçari kishte dëmtime të qepallës. Të dy fëmjët u rikuperuan përfundimisht pas trajtimeve përkatëse.
Mjekët rekomandojnë hapat e mëposhtëm:
– Nxitja e larjes së duarve me sapun dhe ujë më shumë se sa me dezinfektant
– Mësimi dhe trajnimi i fëmijëve se si t’i përdorin dezinfektantët
– Të paturit dezinfektantë të ndryshëm për fëmijë (mundësisht në lartësi më të ulët) dhe të rritur në qendra tregtare etj.
Ata këshillojnë:
“Në një rast urgjence lagni sytë me ujë pas ekspozimit kimik.”
Burimi: CNN