Studentët e mjekësisë kanë mbajtur këtë të enjte një protestë për të kundërshtuar projektligjin e qeverisë që i detyron të punojnë 5 vite në spitalet brenda vendit për të marrë diplomën.
Një nga studentet që protestonte deklaroi për Euronews Albania se vitin tjetër nuk do të shkojnë në shkollë nëse nuk anulohet ky vendim.
“Ne kërkojmë që të anulohet ky vendim që është marrë për ne ku ne jemi të detyruar të shkojmë të punojmë ku të na caktojnë dhe po na mbahet peng edhe diploma sipas viteve të shkollimit ku secili ka një detyrim për pengmarrje të diplomës në vite të caktuara sipas viteve. Ne do të vazhdojmë të protestojmë derisa të anulohet ky vendim. Nëse vazhdohet dhe më tej dhe ky vendim nuk anulohet ne do të shkojmë deri në masa më të rrepta në vazhdim që do të thotë deri në bojkot të vitit të ardhshëm arsimor,” – u shpreh ajo.
Nën thirrjet “Bashkohuni me ne”, “E duam Mjekësinë si gjithë Europa” apo dhe “Anuloni vendimin, zero kompromis!”, studentët u grumbulluan në Fakultetin e Mjekësisë dhe marshuan drejt Kuvendit të Republikës.
Qeveria shqiptare ka marrë vendimin për të miratuar një projektligj, i cili ka të bëjë me një paketë mbështetjeje për trajtimin e veçantë të studentëve që ndjekin studimet në Mjekësi të Përgjithshme në institucionet publike të arsimit të lartë.
Sipas këtij projektligji, studentët që do të pranohen në vit të parë në Mjekësi, do të nënshkruajnë një marrëveshje per t’u punësuar për 5 vite në Shqipëri pas përfunidmit të studimeve, duke ju garantuar punësimin dhe politika të tjera lehtësuese. Ndërsa, studentët që janë në proces studimi, do të kenë mundesi zgjedhjeje mes punësimit të sigurt, me detyrimin për të punuar për 3 vite në Shqipëri, nëse janë studentë të vitit të dytë deri në të katërtin; studentët e vitit të pestë dhe të gjashtë me detyrimin për të punuar 2 vite në Shqipëri, ose, në të kundërt, do të paguajnë koston reale të tarifës së studimit për vitet e mbetura.