Studenti Granit Spahiu ka reaguar ndaj qasjes së Qeverisë ndaj studentëve, duke kritikuar mungesën e kushteve dhe mbështetjes reale për të rinjtë gjatë viteve të fundit.
Në një reagim publik drejtuar kryeministrit, Spahiu theksoi se studentët nuk duhet të shihen si mjet për fushata politike, por si një kategori që meriton investim serioz në arsim, laboratorë, biblioteka dhe kushte dinjitoze studimi.
Ai kritikoi faktin se, sipas tij, për gjashtë vite qeverisje janë dhënë shumë premtime për rininë, ndërsa realiteti në universitete ka mbetur i rëndë, me mungesë të kushteve bazike, sallave të stërmbushura dhe mungesë të praktikave profesionale.
Spahiu përmendi edhe ndihmën prej 100 eurosh për studentët, duke e cilësuar atë si të pamjaftueshme dhe të lidhur me periudha zgjedhore.
“Kur 100 euro ndahen në 72 muaj qeverisje, i bie rreth 1.38 euro në muaj. Me aq para sot nuk blihet as një tost në ditë”, u shpreh ai.
Postimi i tij i plotë:
I nderuar Kryeministër,
Studentët nuk janë për fushatë. Studentët janë për laboratorë, biblioteka, dhe për kushte dinjitoze studimi. Ata nuk kanë hyrë në universitete për të mbijetuar, por për të ndërtuar të ardhmen e tyre në këtë vend.
Për 6 vite qeverisje janë dëgjuar shumë fjalë për rininë, por realiteti i studentëve ka mbetur pothuajse i njëjtë. Universitetet vazhdojnë të përballen me mungesë të kushteve bazike, sallat janë të stërmbushura, praktikat profesionale mungojnë, ndërsa kostoja e jetesës për një student është bërë pothuajse e papërballueshme.
“Ndihma” më e madhe që u përmend për studentët ishin 100 euro të shpërndara në kohë zgjedhjesh. 100 euro për 6 vite qeverisje. Kur ato i pjesëton me 72 muaj, i bie rreth 1.38 euro në muaj. Me aq para sot nuk blihet as një tost në ditë, e jo më të mbulohet jeta e një studenti për një muaj apo me gjatë!
Nëse e ke me të vërtetë këtë “ndihmë” prej 100 eurosh, bëje traditë çdo 3 muaj e jo vetëm në kohë zgjedhjesh. Studentët dhe qytetarët nuk blihen me ndihma të përkohshme që shfaqen vetëm kur afrohen votat. Ne kemi nevojë për mbështetje të vazhdueshme, kushte më të mira dhe politika që na ndihmojnë realisht, jo për marketing politik.
Po, u dha edhe një bursë mobiliteti. Por ajo nuk përfshiu të gjithë studentët. U vendosën kritere të të ardhurave familjare, sikur sot një familje mesatare në Kosovë ta ketë të lehtë të mbajë një student në Prishtinë. Në një qytet ku vetëm qeraja më e lirë arrin 300 euro, si mund të pritet që një familje të përballojë qiranë, rrymën, ushqimin, transportin dhe shpenzimet e fakultetit? Vetëm mbijetesa e një studenti sot është bërë barrë.
Shumë studentë detyrohen të punojnë punë të ndryshme, me orare të gjata e lodhëse, vetëm që të mos ua rëndojnë gjendjen familjeve të tyre. Punojnë natën e ndjekin ligjëratat ditën. Shkojnë në provime të lodhur, pa gjumë, duke u munduar të mbajnë mesataren dhe njëkohësisht të sigurojnë bukën e muajit. Kjo nuk është jetë normale studentore. Kjo është mbijetesë.
Ndërkohë, miliona euro harxhohen nëpër fushata, reklama, organizime e propagandë politike, ndërsa për studentët gjithmonë thuhet se “nuk ka buxhet”. Ka para për pankarta, spote e premtime, por jo për kushte më të mira në universitete, jo për më shumë bursa, jo për konvikte dhe as për lehtësimin e jetës së studentëve.
Të rinjtë vazhdojnë të largohen nga vendi çdo vit. Jo sepse nuk e duan Kosovën, por sepse nuk po shohin perspektivë këtu. Studentët nuk kërkojnë luks e as privilegje, por vetëm kushte minimale për të studiuar me dinjitet në vendin e tyre, sepse një shtet që nuk investon në studentë, gradualisht po humb rininë dhe të ardhmen e vet.
