Nga ky vit akademik, të gjithë studentët e nivelit bachelor dhe master që studiojnë në universitet publike, vetëm kur regjistrojnë për herë të parë semestrin janë të liruar nga pagesat.
Kjo me udhëzim administrativ të nxjerrë nga MASHTI-i në shtator të këtij viti. Por, gjithashtu, nga ky vit akademik, sipas udhëzimit Administrativ nr.09/2021 për Aplikimin e Pagesave të Studentëve në Institucionet Publike të Arsimit të Lartë i nënshkruar nga Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, parashihet që studentët e nivelit bachelor dhe master të mos paguajnë as për shërbime administrative në universitete kur e regjistrojnë semestrin për herë të parë. Kjo e fundit vlen edhe për studentët e doktoraturës. Tarifat aplikohen kur paraqitja e provimeve bëhet për të dytën herë e tutje, sikurse edhe semestrat.
Nga ky vit akademik, udhëzimi i ri administrativ i MASHTI-it, i ngarkon me pagesa shtesë të shërbimeve administrative, të gjithë studentët që regjistrojnë më shumë se një herë semestrin. Tarifa këto që të paktën për paraqitjen e provimeve, deri këtë vit, nuk janë aplikuar në universitetet publike në Kosovë për student e nivelit bachelor.
Ndërsa nga ky vit akademik, të paktën Universiteti “Hasan Prishtina” ka nisur t’i aplikojë pagesat administrative tek studentët e bachelor-it që kanë regjistruar më shumë se një herë semestrin në fakultete.
Studentët e nivelit bachelor, udhëzimi administrativ i MASHT-it i obligon që të paguajnë nga 1 Euro për paraqitje të provimit për herë të dytë e tutje në fakultet, derisa 2.50 Euro është tarifa që aplikohet për studentët e nivelit master kur paraqesin provimin për herë të dytë e tutje. Shtoja këtu edhe minimumi 50 centë taksë shtesë që i ngarkojnë studentët institucionet financiare ku kryhen pagesat.
Në fakt këto taksa administrative parashiheshin edhe me Udhëzimet Administrative të nxjerra më parë nga Ministria e Arsimit, por që nga to ishin përjashtuar deri më tash studentët e nivelit bachelor. Derisa tek ata të nivelit master e tutje aplikoheshin edhe në herën e parë të paraqitjes së provimeve.
Këtë e ka konfirmuar të premten për Gazetën Online Reporteri.net edhe zëvendësministri i Arsimit, Dukagjin Popovci. Ai thotë se me ketë është bërë balancim për të gjithë studentët.
“Sa për informimin tuaj, sipas Udhëzimit paraprak, të gjithë studentët e nivelit Master kanë paguar 2.50 euro për paraqitjen e secilit provim, qoftë për herë të parë ose të përsëritur, ndërsa për nivelin Bachelor ka qenë falas. Tani, kemi arritur një balans – hera e parë është falas për të gjithë dhe kjo do të duhej të ishte stimuluese për studentët”, tha ai.
Tutje, Zëvendësministri i Arsimit, Dukagjin Pupovci, ka sqaruar se “me Udhëzimin Administrativ Nr. 9/2021 është falas regjistrimi i semestrit në nivelin Bachelor dhe Master për herë të parë, por jo edhe përsëritja e semestrit”.
“Me analogji, është falas edhe paraqitja e provimit për herë të parë, por jo edhe paraqitja e përsëritur e provimit të njëjtë”, shton ai.
“Me këtë synohet që tek studentët të zhvillohet sensi i përgjegjshmërisë që t’i kryejnë obligimet e tyre me kohë dhe me cilësinë e duhur. Në rastin e provimeve, dëshirojmë t’i minimizojmë rastet e paraqitjeve sa për të provuar fatin, siç ndodhë shpesh në sistemin tonë. Përndryshe, tarifat për paraqitje të përsëritur të provimit janë 1 EUR për Bachelor dhe 2.50 EUR për Master”, tha zëvendësministri Popovci për Reporteri.net.
Megjithatë, nisja e aplikimit të tarifave administrative nga ky vit akademik për studentët e bachelor-it ka nxitur reagimin e Parlamentit të Studentëve të Universitetit të Prishtinës.
Nënkryetari i këtij Parlamenti, Fatlind Azizi në një bisedë për Gazetën Online Reporteri.net e ka paraqitur si diçka shqetësuese aplikimin e tarifave administrative për studentët që paraqesin provimet më se një herë në UP.
Ka thënë se këtë shqetësim kanë dashur ta paraqesin edhe në Ministrinë e Arsimit, por përkundër insistimeve ata nuk janë pranuar nga ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci.
“Një tarifë e tillë nuk ka qenë më herët për studentët e nivelit themelor të studimeve.
Parlamenti Studentor është i shqetësuar me faktin qe studenteve do t’u duhet të paguajnë përsëri tarifa për të regjistruar një semestër për herën e dytë, ose për nënshtrimin për herë të dytë të një provimi. Që nga emërimi i ministres së re, ne nuk jemi ftuar në takim njoftues apo konsultativ, në të njëjtën kohë as nuk na janë pranuar kërkesat e pareshtura për takim”, tha Azizi.
Sipas tij udhëzimi i nxjerrë nga Ministria e Arsimit është shumë i paqartë.
“Udhëzimi Administrativ për pagesat në arsimin e lartë, është shumë i paqartë dhe në vete ngërthen komplikime të tilla, ku studenteve do të duhen të japin para nga xhepi i tyre, pra arsimi publik nuk do të jetë tërësisht falas.”, u shpreh Azizi për Gazetën Online Reporteri.net.
Azizi ka thënë se Parlamenti i Studentëve do ta ngrisë këtë shqetësim edhe në organet më të larta të Universitetit por edhe të shtetit.
Nënkryetari i Parlamentit të Studentëve thotë se në rast se shqetësimet e tyre nuk merren parasysh ata do të shikojnë edhe mundësinë e protestave.
“Aktet e tilla të kundërshtimit ende nuk janë paraparë, por në qoftë se studentët vazhdojnë të ankohen dhe MASHTI nuk përgjigjet, atëherë do na duhet ta rishikojmë si opsion”, tha ai.
Megjithatë, zëvendësministri Dukagjin Pupovci e demantuar Azizin rreth kërkesës për takim me ministren. Ai thotë përfaqësuesit e Parlamentit Studentor kanë kërkuar takim për të diskutuar për vendet e rezervuara për përfaqësuesit studentorë në konvikte, gjë që sipas tij edhe ka ndodhur.
“Unë jam në dijeni që përfaqësuesit e Parlamentit Studentor kanë kërkuar takim për të diskutuar për vendet e rezervuara për përfaqësuesit studentorë në konvikte, rreth së cilës unë kam komunikuar me kryetarin dhe nënkryetaren e Parlamentit më 29 shtator gjatë një punëtorie”.
“Rreth kësaj teme nuk ka pasur ndonjë problem që kërkon ndërhyrjen tonë. Sigurisht që do t’i takojmë edhe për tema të tjera kur ka një kërkesë për takim”, tha Popovci për Reporteri.net.
Gazeta Online Reporteri.net ka provuar të marrë sqarime nga UP-ja në lidhje me nisjen e aplikimit të këtyre tarifave për studentët, gjithashtu edhe qëndrimin e tyre në lidhje me kundërshtimet e studentëve për këtë pagesa, por të njëjtit nuk janë përgjigjur në pyetjet e gazetës.
Ndryshe, Neni 2 i këtij udhëzimi administrativ që përcakton “Tarifat e shkollimit” parasheh që Institucionet publike të arsimit të lartë do të realizojnë pagesat për shkollim nga studentët si në vijim: Pagesat për semestër për studentët e rregullt, në nivelin – Bachelor- 25 €; Pagesa për semestër për studentët me korrespondencë në nivelin –Bachelor – 125€; Pagesa për semestër për studimet në nivelin Master -150 €; 1.4. Pagesa për semestër për studime të doktoratës -500 €”.
Gjithashtu i njëjti udhëzim administrativ në Nenin 3 që i përcakton “Pagesat për shërbime administrative”, i obligon Studentët që të paguajnë edhe për këto shërbime administrative: Për provim pranues -2.5 €; Për secilin provim diferencial për regjistrimin e studimeve të nivelit Master – 5 €.
Po ashtu, studentët i obligon të paguajnë edhe për paraqitje të provimit për herë të dytë e tutje: Në nivelin Bachelor -1€; Në nivelin Master -2.5 €; Në nivelin e Doktoratës -5€. Për certifikatë të notave -2.5 €; Për certifikatë të diplomës -5 €; Për secilin provim të pranuar në rastin e transferimeve nga institucionet tjera -0.50 €; Për diplomë -5 €; Për diplomë dublikat -25 €; 1.9. Për ID dublikat- 10 €; Për ndërrim programi të studimeve -25 €.
Megjithatë, Neni 5 i këtij udhëzimi administrativ, i parasheh edhe përjashtimet nga pagesat në rastet si në vijim: “Të gjithë studentët lirohen nga pagesa e tarifës së shkollimit nga neni 2, paragrafi 1, nënparagrafi 1.1 dhe 1.3 dhe nenit 3 paragrafit 1 nënparagrafit 1.1 dhe 1. 2 të këtij Udhëzimi, kur e regjistrojnë semestrin për herë të parë”.
Studentët e doktoratës do të lirohen nga pagesat e semestrit të përsëritur, nëse përsëritja e semestrit është shkaktuar nga rrethanat jashtë kontrollit të studentit siç janë: vonesat në caktimin e mentorëve, në realizimin e punës hulumtuese ose në publikimin e rezultateve të punës hulumtuese.
“Lirimi nga pagesa nga paragrafi 2 i këtij neni, do të bëhet për më së shumti dy semestra gjatë periudhës së studimeve, me vendim të organit kompetent të institucionit i cili mund të merret: Për individë, grupe ose kategori studentësh të doktoratës për të cilat ekzistojnë njohuri se i plotësojnë kushtet nga paragrafi 2 i këtij neni. Në bazë të kërkesës së argumentuar të studentit ose grupit të studentëve”.
Nxjerrjen e këtij udhëzimit administrativ të MASHTI-it, që i parasheh këto përjashtime, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci e cila e nënshkroi udhëzimin administrativ në fjalë në shtator të këtij viti, nga ta u prezantuar si përmbushje e premtimit elektoral të tyre për arsim të lartë publik falas, nga shtatori i këtij viti. /Reporteri.net/.