Ekipi Kosova Cyber Team po përfaqëson Kosovën në Vienna International Ethical Hacking Boot Camp, një nga aktivitetet ndërkombëtare të dedikuara trajnimit praktik të të rinjve në fushën e sigurisë kibernetike dhe forcimit të bashkëpunimit ndërkombëtar në ethical hacking.
Kampi po zhvillohet në Vjenë dhe mbledh rreth 120 pjesëmarrës nga 12 shtete.
Që në garat e para, studentët nga Kosova shënuan rezultate të shkëlqyera. Lorik Kelmendi ishte i pari që zgjidhi sfidën e parë dhe e përfundoi garën “AI Mini CTF” në vendin e parë. Pas tij u rendit Senad Mehmeti, duke i siguruar ekipit kosovar dy pozitat kryesore të garës.
Në kategorinë junior u dallua edhe Era Dragusha, e cila grumbulloi 1.050 pikë, duke konfirmuar potencialin e saj në fushën e sigurisë kibernetike.
Për suksesin e ekipit është vlerësuar edhe puna e trajnerëve Kastriot Fetahaj, Robert Shala dhe Arbnor Halili, të cilët janë përgëzuar për angazhimin dhe përgatitjen e vazhdueshme të pjesëmarrësve.
Aktiviteti do të vazhdojë me garat attack/defense, ku ekipet do të përbëhen nga pjesëmarrës ndërkombëtarë, ndërsa pritet që përfaqësuesit e Kosovës të vazhdojnë paraqitjet e suksesshme. /Albinfo.ch