Qeveria e Kosovës, në fund të muajit nëntor dha një lajm shumë të mirë për studentët. Ajo, ekzekutoi nga 100 euro për studentët në kuadër të Pakos për Përballje me Inflacionin. Njoftimin e kishte bërë ministri i Financave, Hekuran Murati i cili dha lajmin se 50 mijë e 778 studentë kanë përfituar nga kuleta e shtetit.
Mirëpo, jo të gjithë studentët gjetën mbështetja te Qeveria. Pas ekzekutimit të shtesave, në lajmin e dhënë nga Murati, morën hov ankesat nga studentët të cilët komentuan se megjithëse kanë aplikuar në e-Kosova, në xhirollogarinë bankare nuk pranuan asnjë transaksion.
Një komentuese thotë se jo vetëm asaj por as kolegëve të saj nuk u janë ekzekutuar 100 euro ndërsa kërkon sqarim nga Murati se pse nuk kanë dalë të hollat.
“Unë jam vet studente, dhe jam dëshmitare që këto të holla/shtesa për studentë jo vetëm mua por edhe më shumë se gjysmës së kolegëve të mi që kanë aplikuar nuk na kanë dalë, gjithashtu fenomenin e përmendur e gjeni edhe në komentet e mësipërme…”.
“Nëse Qeveria është për studentat, atëherë është detyrë e juaja që t’a merrni përgjegjësinë të na informoni se ku qëndron problemi dhe mos ikni e të fshiheni nga pyetjet e shumta të studentëve…”, ka shkruar studentja.
Probleme dikush pati edhe me portalin shtetëror e-Kosova. Një studente thotë senuk ka arritur të aplikoj përmes këtij portali pasi i njëjti ka qenë i paqasshëm.
“Faqja për aplikim ka qenë jo e disponueshme gjatë kohës kur është dashtë të aplikoj. Madje as me u kyq nuk më ka leju. Çuditërisht pasi mbaroi afati i aplikimit, faqja u kthye në dispozicion…”, ka shkruar ajo.
Ndërsa një student pyet ministrin Murati se studentët që nuk kanë përfituar nga pakoja e Qeverisë, “a keni bë plan me i informu që s’janë kualifiku për pagesë?”.
Studentët kërkuan me ngulm përgjigje nga ministri ndërsa ky i fundit, ende nuk dha asnjë sqarim se pse disa studentë nuk kanë përfituar nga Pakoja për Përballje me Inflacionin.
Aplikimi për studentët ka qenë i hapur deri më 6 nëntor, në platformën eKosova ndërsa të drejtë aplikimi kanë pasur të gjithë studentët aktivë që studiojnë në programet e akredituara në Kosovë.
Deri më tash shtesat nga qeveria janë ndarë për pensionistët nga 100 euro, për kategoritë sociale dhe për punonjësit e sektorit publik për muajin shtator dhe tetor nga 50 euro.
Për punëtorët e ndërmarrjeve publike ende nuk janë ndarë shtesat e një hershme nga 100 euro. Sindikatat nga kompanitë publike njoftojnë për KosovaPress se qeveria ka kërkuar listat e punëtorëve për ndarjen e mjeteve shtesë për punëtorët që kanë pagë më të vogël se 1 mijë euro.
Ekzekutivi me pakon e fundit për përballje me inflacionin ka paraparë ndarjen e shtesave direkte për punëtorët e sektorit publik me nga 50 euro nga muaji shtator, të ndërmarrjeve publike me 100 euro të njëhershme, si dhe pensionistët dhe studentët me nga 100 euro të njëhershme.
Ndërsa, për punëtorët e sektorit privat, ditë më parë ministri i Financave, Hekuran Murati ka njoftuar se qeveria do të mbështesë secilin biznes që rrit pagat e punëtorëve duke subvencionuar 50% të rritjes së pagës, për tre muajt e parë, sipas kushteve dhe kritereve të aplikueshme.
Sipas Muratit secili biznes që ka rritur pagat e punëtorëve nga shtatori e këtej, dhe dëshiron të përfitojë nga mbështetja e qeverisë, mund të aplikojë deri më 20 dhjetor.