Rreth 82% e maturantëve në Shqipëri u regjistruan në universitete.
Sipas Rrjetit Akademik Shqiptar, mjekësia dhe inxhinieria informatike janë më të preferuarat, ndërsa degët e mësuesisë mbeten më pak të preferuara – edhe pse krahasuar me një vit më parë, ka një rritje të lehtë.
Isa Halilaj, zvëndëspresident i Sindikatës së Pavarur të Arsimit të Shqipërisë, thotë se shkak për këtë, është fakti që, sipas tij, arsimi “nuk është në prioritetet” e qeverive në Shqipëri.
“Ai nuk do të preferohet si degë për aq kohë sa nuk dyfishohet paga. Ka pasur rritje dhe e përshëndesim, por nuk mjafton. Është profesion i vështirë”, thotë Halilaj për Radion Evropa e Lirë.
Paga mesatare e një mësuesi në Shqipëri, aktualisht, është rreth 600 euro neto.
Për t’i nxitur të rinjtë që të studiojnë për mësuesi, kjo degë, nga viti 2022, është ndër dhjetëra degët e shpallura si prioritare nga Ministria e Arsimit e Shqipërisë.
Maturantët që zgjedhin mësuesinë apo një nga degët e tjera prioritare, si: matematika, fizika, veterinaria etj., përjashtohen nga tarifa e shkollimit dhe stimulohen me bursë.
ursa është sa një pagë minimale çdo muaj, përkatësisht rreth 400 euro.
Për t’u regjistruar në degët prioritare, mesatarja e notave duhej të ishte 8.5 dhe nëse gjatë studimeve do të binte, do të humbej bursa.
Ata që e përfitojnë atë, do të duhet që pas studimeve të punojnë për tre vjet aty ku ka nevojë.
Megjithatë, mesatarja u hoq si kriter një vit më vonë.
Çfarë thonë studentët e rinj?
Rumejsa Bashvogli thotë se ka zgjedhur Degën e Psikologjisë. Ajo tregon se në asnjë moment nuk është joshur nga oferta për degët prioritare.
“Kam zgjedhur psikologji, sepse e kam pasion dhe jam kurioze për sjelljen e njeriut, t’i ndihmoj ata që kanë nevojë. Pse të zgjedh një degë që nuk është pasioni im?”, thotë Rumejsa.
Elida Rançi, gjithashtu, nuk ka interes për degët prioritare.
“Kam zgjedhur farmaci”, thotë ajo për Radion Evropa e Lirë.
“Nuk kam zgjedhur degët prioritare, sepse nuk i shoh me interes. Më vjen keq që nuk zgjidhet mësuesia, por mbase duhet vlerësuar më shumë si profesion, që të rinjtë ta zgjedhin”, thotë Elida.
Gevio Tabaku, drejtues i platformës “Portali Studentor”, thotë se 42.8% e programeve të studimit që janë prioritet kombëtar, rrezikojnë të mbyllen, pasi studentët nuk kanë treguar interes për to.
Numri i programeve të studimit që konsiderohen prioritet kombëtar, ka qenë 82 një vit më parë, ndërsa aktualisht është 21.
Referuar statistikave të regjistrimeve në universitete për vitin 2024-2025, Tabaku thotë se sivjet ka 20% më pak studentë se një vit më parë, në dhjetë universitetet publike kryesore të Shqipërisë.
Rënia më e theksuar është në Universitetin Bujqësor – për rreth 2.000 studentë.
Se cilat janë arsyet e sakta nuk është e qartë, por besohet se ato lidhen edhe me emigrimin e popullsisë.
Çfarë thonë ekspertët?
Eksperti i punësimit në Shqipëri, Erion Muça, thotë se klasifikimi i degëve si prioritare nuk ka bërë shumë punë.
“Duheshin shumë hapa plotësues, veç pagës minimale… Kishte zhgënjim, pasi 40% e studentëve e përfituan pagën minimale, ndërsa 60% të tjerët ose duhej të ruanin mesatare të lartë, ose do të paguanin faturën e studimit. Kjo shkaktoi zhgënjim dhe largime nga këto degë studimi”, thotë Muça për Radion Evropa e Lirë.
Drejtuesi i Sindikatës së Arsimit në Shqipëri, Halilaj, thotë se mësuesia nuk rekomandohet sot as nga vetë mësuesit për fëmijët e tyre.
Nëse dikur ka pasur një traditë që ky profesion të trashëgohej, kjo nuk ndodh më, thotë ai.
“Duke parë vështirësitë, me të cilat përballen këta mësues-prindër, ata nuk e rekomandojnë për fëmijët e tyre, sepse edhe nëse kanë 20 vjet përvojë, ndeshen me problematika. Për shembull, te rritja e pagave këtë vit ka pasur diferencime, për shkak se një numër i madh mësuesish e kanë mbaruar arsimin e lartë në kohën kur mësuesia ishte cikël i mbyllur 3-vjeçar, ndërsa sot konsiderohet si ‘bachelor’ dhe harrohet përvoja që kanë”, thotë Halilaj.
Ai shton se, aktualisht, ka mungesa për mësues, por nuk ofron ndonjë shifër.
Sipas tij, institucionet nuk e pranojnë drejtpërdrejt këtë problematikë, por fakti që merren vendime të tilla si shpallja e mësuesisë degë prioritare, tregon se ajo ekziston.
Më 9 shtator, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, kërkoi që mësuesit që kanë dalë në pension, të ftohen të kontribuojnë në mësimdhënie me një orar të reduktuar, por nuk specifikoi shumë.
“Duam t’i përfshijmë në tregun e punës edhe mësuesit pensionistë. Ne po punojmë intensivisht për këtë, me qëllim që të fillojmë integrimin e pensionistëve në hapësirën e rritjes ekonomike gjithëpërfshirëse”, tha Rama.
Halilaj thotë se pa dyfishim të pagave dhe pa reforma të studiuara mirë, nuk do të ketë interes për t’u shkolluar në mësuesi.
Sipas tij, mungesa më e theksuar e mësuesve në ciklin e ulët dhe parashkollor është në Tiranë, ndërsa në Tropojë, Pukë dhe zona të tjera ka mungesë të mësimdhënësve kryesisht për gjuhë të huaja apo matematikë e fizikë.
Ai thotë se kjo ndodh për faktin se rreth 600-700 mësues dalin në pension çdo vit, si dhe për shkak të emigracionit.
Mjekësia dhe Informatika – mundësi punësimi jashtë
Mjekësia dhe degët e saj, ashtu si dhe inxhinieria informatike mbeten prej vitesh më të preferuarat e studentëve.
Eksperti i punësimit, Muça, e lidh këtë trend me mundësitë më të mëdha të punësimit si në Shqipëri, ashtu edhe jashtë saj.
“IT (teknologjia informative) ka marrë hov e zhvillim të madh me orientimin drejt digjitalizimit të shumë proceseve dhe me përparimin e inteligjencës artificiale. Në këtë prizëm, shumë të rinj e shohin veten si pjesë të këtyre ndryshimeve. E mendojnë edhe për faktin se, nëse nuk emigrojnë, mund të punojnë nga Shqipëria për kompani në çdo vend të botës”, thotë Muça.
“Ndërsa, shkencat mjekësore përzgjidhen pasi që dihen tashmë politikat e rekrutimit [të stafit mjekësor] nga vende si Italia e Gjermania”, shton ai.
Viti i ri akademik në Shqipëri nisi më 7 tetor.