Tre studentë të Fakultetit Juridik të Universitetit të Prishtinës kanë zënë vendin e parë në garën e negociatave të Shoqatës Europiane të Studentëve të Drejtësisë (ELSA) “ELSA Albania Negotiation Competition”, të mbajtur në Tiranë.
Studentët Armira Muqolli, Dion Ejupi dhe Agnesa Misini janë fituesit e garës, të cilët e kanë dhënë lajmin për KALLXO.com.
Ekipi i studentëve të UP-së i ka fituar tre trofe dhe së bashku fituan çmimin e vendit të parë më 21.05.2026.
Po ashtu, ata janë dalluar edhe për nga aftësitë që kanë treguar gjatë garës: Armira Muqolli ka zënë vendin e parë si negociuesja më e mirë, kurse Dion Ejupi vendin e tretë si negociuesi më i mirë, në tërë garën.
“Jemi shumë të lumtur që angazhimi dhe puna jonë intensive po njihet ndërkombëtarisht, si dhe po i jep frytet e veta.” – u shprehën tre studentët e Juridikut të vitit të tretë në UP.
Në finale të garës ata kanë zhvilluar debat në lidhje me një temë të caktuar me ekipin e studentëve të Universitetit të Vlorës.
Ndërsa thanë se gara ka filluar më 30.04.2026 dhe çdo javë kanë pasur runde të debateve me tema të ndryshme.
Sipas tyre, pjesëmarrës në garë kanë qenë universitetet shqipfolëse të Kosovës, Shqipërisë dhe të Maqedonisë së Veriut.
“ELSA Albania Negotiation Competition” është një konkurs ndërveprues i cili stimulon një proces negociator midis dy ekipeve të përbëra nga dy deri tre studentë.
Studentët kanë treguar për KALLXO.com se formati i kësaj gare është i atillë ku secili ekip nga universitetet përfaqësojnë njërën palë nga dy palë që kanë mosmarrëveshje.
“Palët ulen në tavolinë për ta zgjidhur mosmarrëveshjen përmes negociatave para se të shkojnë në ndërmjetësim apo procedura gjyqësore/arbitrazh. Secila palë ka objektivat e veta edhe palët pra negociojnë për t’i arritur objektivat e tyre.” – kanë thënë tre studentët e UP-së.