Studentët e Fakultetit të Arteve me filmin e tyre hynë në garën prestigjioze të Festivalit të Oberhausenit

- Advertisement5 -

Studentët e Fakultetit të Arteve në UP që me filmin e tyre u përzgjodhën në garën ndërkombëtare të edicionit të 72-të të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit të Shkurtër të Oberhausenit (Internationale Kurzfilmtage Oberhausen), u takuan sot me drejtuesit e Universitetit të Prishtinës.

- paragrafi 1 -

Filmi i shkurtër studentor „Prej 6-ve në 5” i punuar nga studentët e Departamentit të Arteve Dramatike, prodhim i Universitetit të Prishtinës, trajton një ditë pune të një punëtori të sigurimit në një hotel dhe përbën një sukses të rëndësishëm të drejtimit të ri Kamerë dhe Montazh Filmi në kuadër të Fakultetit të Arteve.

- Advertisement - M1

Krijuesit e këtij filmi, Ardian Dubova e Erlisë Beqiri të shoqëruar nga dekani i Fakultetit të Arteve, prof. Hazir Haziri dhe profesorët e këtij fakulteti, prof. Astrit Kabashi, prof. Isak Duraku dhe prof. Latif Hasolli, u pritën nga rektori, prof. Arben Hajrullahu dhe prorektorët Albana Berisha-Qehaja, Majlinda Gjelaj dhe Adem Beha.

Në takim studentëve, profesorëve dhe aktorëve të filmit iu dëshirua përfaqësim dinjitoz i Fakultetit të Arteve dhe Universitetit të Prishtinës dhe triumf në garën e njohur ndërkombëtare me 121 filma të përzgjedhur nga 48 shtete.

I realizuar si temë diplome e studentit Ardian Dubova nën mentorimin e profesorit Isak Duraku, me regji dhe skenar të studentes Erlisë Beqiri, drejtor fotografie dhe producent Ardian Dubovën, si dhe skenografi dhe kostumografi të studentes Fjolla Mani, filmi paraqet një bashkëpunim të frytshëm ndërmjet departamenteve të Fakultetit të Arteve.

- Advertisement - m2

Rolet kryesore në këtë film pa kurrfarë kompensimi material i luajtën aktorët Astrit Kabashi e Eshref Durmishi.

Internationale Kurzfilmtage Oberhausen është një prej festivaleve më të rëndësishme në botë për filmin e shkurtër dhe pjesëmarrja në të shënon një sukses historik për Universitetin e Prishtinës. Filmat e përzgjedhur nga ky festival kanë gjasa reale të hyjnë edhe në garën për Çmimin Evropian të Filmit që jepet nga Akademia Evropiane e Filmit.

Fakulteti i Arteve në kuadër të Universitetit Ndërkombëtar Veror të Prishtinës çdo vit organizon edhe Festivalin e Filmit Studentor „UPward”.