- Advertisement -
Studentët e Fakultetit Juridik të Universitetit të Prishtinës kanë shënuar një sukses të jashtëzakonshëm duke u renditur në vendin e 6-të në garën prestigjioze ndërkombëtare “Nuremberg Moot Court 2025”.
Rundet finale të kësaj gare janë mbajtur në ambientet e Gjykatës së Nurembergut (Salla historike Nr.600, ku janë gjykuar përgjegjësit nazistë për krimet e Luftës së Dytë Botërore) nga data 23-26 Korrik 2025 në Nuremberg të Gjermanisë.
Nga 140 ekipe pjesëmarrëse në fazën e shkrimit të memorandumeve, nga fakultete juridike/universitete prestigjioze botërore, vetëm 40 janë kualifikuar për rundet finale me gojë, e në mesin e tyre edhe ekipi i Fakultetit Juridik-UP që është renditur në 6 ekipet me të mira në nivel botëror.
Ky është një sukses i jashtëzakonshëm që konfirmon një përgatitje të nivelit të lartë të studentëve të juridikut në fushën e së drejtës penale ndërkombëtare, duke simuluar praktikën e Gjykatës Penale Ndërkombëtare (ICC) përballë një jurie të përbërë nga juristë eminentë botërorë (profesorë, prokurorë e gjyqtarë të kësaj fushe).
Ekipi që ka përfaqësuar Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës është përbërë nga studentet: Morea Pula, Liza Rexhepi, Enxhi Avdyli, Rea Hadri dhe Greta Spahiu. Ekipi i studentëve ka pas një mentorim me shumë dedikim nga trajnerët: Nisa Ferati (që ka shoqëruar ekipin gjatë fazës finale në Nuremberg), Ass.Besnik Beqaj dhe Argjira Asllani (Alumni e Fakultetit Juridik dhe pjesëmarrëse në Nuremberg Moot Court 2023), si dhe mbështetjen e vazhdueshme nga Prof.Avni Puka, njëherit Dekan i Fakultetit.
“Nuremberg Moot Court” është në mesin e garave ndërkombëtare me prestigjioze, e që nga viti 2022, pas reformave në Fakultetin Juridik është pjesë e programit të përhershëm dhe financohet nga buxheti i dedikuar për këtë qëllim.
Me këtë sukses të jashtëzakonshëm të studentëve, dëshmohet se Fakulteti Juridik tashmë ka ndërtuar një traditë të përfaqësimit në forume ndërkombëtare dhe po ndërton një brez të juristëve të së ardhmes. /AlbanianEducation.net/.