Lidhur me rolin që kanë mësuesit në mësimdhënine, por dhe rolin që kanë nxënësit në të nxënit, studiuesja Rovena Dokollari, sjell për ju një tjetër qasje e kush është drejtuesi i orës mësimore, dhe kur rritet përgjegjësia e nxënësit për orën mësimore. Si dhe pse klasa ka një rol të rëndësishëm në mësimin?
Mësimdhënia me në qendër nxënësin inicion një lëvizje progresive për përmirësimin e cilësisë së mësimdhënies. Mësimdhënia bashkëkohore nënkupton ndryshimin e roleve të mësuesit dhe të nxënësit, me qëllimin kryesor lehtësimin e të nxënit.
Mësuesi luan rolin e drejtuesit dhe të organizuesit, ndërsa nxënësi gjithë përfshihet në procesin mësimor. Mësuesit duhet të jenë të hapur ndaj përfshirjes së nxënësve në të gjitha hallkat e procesit mësimor. Këtu rritet dhe përgjegjësia e nxënësve për mësim, pasi ora e mësimit duhet të jetë e ndërtuar për të gjitha nivelet.
Lind pyetja: Pse klasa ka një rol të rëndësishëm në mësimin?
Klasa përfaqëson element parësor, pedagogjik dhe hapësinor i shkollës. Si element themelor të secilit institucion arsimor, ka rëndësi jashtëzakonisht të madhe për shkak se procesi i edukimit të njeriut, përkatësisht arsimi dhe edukimi i tij në një formë të organizuar fillon pikërisht në klasën. Ajo është pjesë nga sistemi arsimor, ku zbatohet procesi mësimor sipas parimeve didaktike edhe në përputhje me nevojat e arsimit.
Funksioni themelor i secilës klasë është realizim i mësimit.
Mësimi është proces në të cilin realizohen përmbajtja e planit ose programit mësimor. Plani dhe programi mësimor u përshtaten nevojave të shtetit, nevojave për përsosje personale dhe profesionale të individit. Në mes të planit dhe të programit duhet të qëndrojnë nxënësit, të cilët përveç diturive të nevojshme, duhet të përfitojnë edhe aftësi dhe qëndrime të cilat do t’i ndihmojnë nxënësit. Mësuesi, duhet të ndryshojë rolin e tij nga transmetues i njohurive në nxitësin e nxënësve për të marrë njohuri e informacion nga burime të ndryshme. Mësimdhënia është një proces në ndryshim të vazhdueshëm, që reflektohet në përmirësimin e cilësisë së shërbimit arsimor. Mësimdhënia si “art” mbështetet fuqimisht në intuitën, e cila është bazë për veprim.
Pra, mësimdhënia më e mirë, për të arritur të kuptuarit, duhet t’i kushtojë vëmendje këtyre aspekteve si:
• Krijimit të mjediseve të të nxënit, ku nxënësit mund të zhyten në një temë për një periudhë kohe dhe ta studiojnë atë në thellësi.
• Të ndihmojnë nxënësit të zhvillojnë njohuri parimore, duke i nxitur ata t’i shqyrtojnë thellë idetë, duke ua drejtuar vëmendjen tek idetë kryesore dhe strukturat e çështjet themelore.
• Të japë mësim, strategji të thelluara dhe të fuqishme për të kuptuar dhe mbajtur mend si dhe t’i mbështesë dhe t’i përforcojë ato vazhdimisht, deri sa të kthehen në shprehi.
• Të angazhojë nxënësit në diskutime të thella të gjërave, që lexojnë e studiojnë dhe t’i bëjë ata të mendojnë, të shkruajnë dhe të reagojnë për to, në mënyrë që t’i kuptojnë çështjet thellë dhe të zgjerojnë kureshtjen për gjërat dhe dukuritë e botës.
• Ta përqendrojë vëmendjen tek fjalori i temës, që nxënësit të zhvillojnë një mënyrë më të saktë të të menduarit dhe të diferencimit të ideve.
• Të “ushqejë” pyetjet e nxënësve dhe t’i marrë seriozisht pyetjet e tyre, duke i ndërthurur interesat e tyre në ndërtimin e orës apo të ditës së mësimit.
Qasja në kompetenca dhe rezultate të të nxënit, riorganizimi i fushave kurrikulare dhe shkallëve kryesore të kurrikulës, metodologjia e mësimdhënies dhe mësimnxënies, vlerësimi i arritjes së nxënësve, riorganizimi i kurrikulës me zgjedhje, si dhe aspektet tjera të organizimit në nivel shkolle. Në procesin e mësimdhënies, mësuesit i duhet të kryejë disa role, si të qenurit e një mësuesi motivues, menaxhues etj. Mësuesi dhe nxënësi marrin pjesë në procesin e përbashkët të të nxënit, dhe mësuesit më të mirë janë ata të cilët iu mundësojnë nxënësve dhe iu japin alternativa që vetë të arrijnë tek përfundimet dhe zbulimet, dhe jo që më përpara dhe të gatshme t’iu paraqesin rezultatet.
Motivimi është gjithçka që i motivon nxënësit për mësim. Motivimi i nxënësit nuk varet vetëm nga ngarkesa emocionale vetjake, por edhe nga qëndrimi ndaj lëndës që mësohet, përvojës, interesave, vështirësive të të nxënit, klimës që krijohet në klasë. Nxënësit do të kenë motiv më të madh atëherë kur detyrat e tyre të jenë pak mbi mundësitë e tyre. Disa nga karakteristikat kryesore janë: qartësia në mësimdhënie, lloj-llojshmëria në mësimdhënie, orientimi në detyrë, përfshirja në procesin e të nxënit, shkalla e suksesit të nxënësve. /portalishkollor/