Sqarim nga Fatmire Latifi, drejtoreshë e shkollës në Kërpimeh të Podujevës pas ankesave të prindërve

- Advertisement5 -

Të nderuar prindër dhe qytetarë,

- paragrafi 1 -

Duke respektuar të drejtën e secilit për të shprehur mendimin e tij, ndiej obligim të sqaroj disa pretendime të paraqitura publikisht.

- Advertisement - M1

Së pari, akuzat se ekskursioni është organizuar pa plan dhe pa pëlqimin e prindërve nuk qëndrojnë. Shkolla disponon të gjithë dokumentacionin përkatës, përfshirë fletëpëlqimet e prindërve, faturat dhe dëshmitë e realizimit të ekskursionit. Në këtë aktivitet kanë qenë të pranishëm Kryetari i Këshillit të Prindërve, ekipi i mësimdhënësve mbështetës, si dhe personat përgjegjës për organizimin dhe mbarëvajtjen e tij.

Më 15.05.2025 është mbajtur mbledhja me Këshillin Drejtues të Shkollës, ku është diskutuar organizimi i ekskursionit dhe të gjitha çështjet që lidhen me realizimin e tij. Më pas, më 20.05.2025, është mbajtur mbledhje me prindërit e tri paraleleve, ku janë dhënë informatat e nevojshme dhe janë trajtuar çështjet organizative lidhur me ekskursionin.

Gjatë këtij takimi, mësimdhënësja Melihate Januzi deklaroi para prindërve se nuk kishte marrë informacione lidhur me organizimin e ekskursionit, gjë që nuk përputhet me faktet dhe komunikimet e zhvilluara paraprakisht. Po ashtu, gjatë diskutimit janë ngritur akuza dhe pretendime ndaj meje si drejtoreshë, të cilat i konsideroj të pabazuara dhe që kanë ndikuar në krijimin e një atmosfere jo të përshtatshme për një debat konstruktiv.

- Advertisement - m2

Gjithashtu, gjatë mbledhjes, një familjar i mësimdhënëses Melihate Januzi, i cili ishte i pranishëm në takim, paraqiti para prindërve një propozim alternativ duke pyetur nëse preferonin që ekskursioni të realizohej sipas organizimit të shkollës apo të shtyhej për një ditë tjetër me transport pa pagesë. Si drejtoreshë e shkollës, e konsiderova të papërshtatshme që në fazën përfundimtare të organizimit të ekskursionit të paraqiteshin iniciativa të tilla pa dokumentacion, pa procedura të qarta dhe pa garanci institucionale për sigurinë e nxënësve.

Për mua, si drejtoreshë, prioritet absolut ka qenë dhe mbetet siguria e nxënësve, respektimi i procedurave ligjore dhe zhvillimi i procesit edukativo-arsimor në mënyrë të rregullt. Mbledhja nuk kishte karakter politik apo elektoral, por kishte për qëllim ekskluzivisht diskutimin e çështjeve që lidhen me organizimin e aktivitetit shkollor dhe interesin më të mirë të nxënësve.

Po ashtu, vlen të theksohet se gjatë organizimit të ekskursionit është treguar kujdes që asnjë nxënës të mos mbetej jashtë aktivitetit për arsye financiare. Për këtë arsye, kemi pasur edhe nxënës të liruar nga pagesa, me qëllim që të gjithë të kenë mundësi të marrin pjesë në mënyrë të barabartë. Kjo dëshmon se qëllimi ynë ka qenë gjithmonë interesi dhe përfshirja e çdo nxënësi, e jo përfitimi material nga organizimi i aktivitetit.

Pas ekskursionit, është kërkuar që kujdestarët e klasave të paraqiten në zyrë për të diskutuar çështjet organizative dhe financiare, përfshirë edhe mjetet e mbetura që duhej t’u ktheheshin nxënësve. Nga tre kujdestarët e ftuar, vetëm njëri iu përgjigj ftesës, ndërsa dy të tjerët nuk morën pjesë në takim.

Po ashtu, nuk është e pranueshme që prindërit të përfshihen në mosmarrëveshje personale apo profesionale. Çdo shqetësim që lidhet me punën në shkollë duhet të trajtohet përmes procedurave dhe kanaleve zyrtare, duke respektuar hierarkinë institucionale dhe kompetencat e secilit.

Sa i përket pretendimeve të ngritura, dua të theksoj se çdo çështje mund dhe duhet të diskutohet hapur, me argumente dhe fakte. Unë kam qenë dhe mbetem e gatshme të ballafaqohem me secilin që ka shqetësime apo pyetje lidhur me punën time dhe funksionimin e shkollës. Megjithatë, nuk e konsideroj të drejtë që akuza të tilla të bëhen nga profile apo adresa të rreme. Prandaj, kërkoj që komentet dhe akuzat t’i bëni me emër e mbiemër dhe me përgjegjësi të plotë për atë që thuhet, në mënyrë që të kemi një debat të ndershëm, transparent dhe të bazuar në fakte.

Si drejtoreshë, kam respekt të plotë për çdo prind dhe për të drejtën e tyre për t’u informuar dhe për të kërkuar llogaridhënie. Megjithatë, çdo takim dhe aktivitet që lidhet me shkollën duhet të organizohet në përputhje me rregullat dhe procedurat në fuqi.

Qëllimi ynë i përbashkët duhet të jetë mirëqenia e nxënësve dhe avancimi i cilësisë së arsimit, duke shmangur keqinformimet dhe interpretimet që nuk mbështeten në fakte.

Me respekt,

Fatmire Latifi
Drejtoreshë e shkollës

711045128 1969791100576815 599120876329637044 n

Shqip | English