Sot fillon gjysmëvjetori i dytë pothuajse në të gjitha shkollat në Kosovë, në komunat e Malishevës e Drenasit që e kanë shtyrë deri më 14 janar dhe të Fushë Kosovës e cila e ka shtyrë për 19 janar, për shkak të gjendjes jo të mirë nga vërshimet e fundit.
Komuna e Prishtinës njoftoi se do të rifillojë procesi mësimor në të gjitha shkollat e kryeqytetit.
Procesi mësimor do të vazhdojë pa u shtyrë më shumë, pasi Komuna thotë se ka ndërhyrë dhe menaxhuar suksesshëm situatën pas reshjeve të shumta.
“Pas ndërhyrjeve dhe menaxhimit të suksesshëm të situatës pas reshjeve të shumta, njoftojmë se nesër rifillon procesi mësimor në të gjitha shkollat e Kryeqytetit. Falë angazhimit të ekipeve në terren dhe masave të marra, është siguruar ambient i sigurt për nxënësit dhe stafin arsimor. Urojmë nxënësve një rikthim të mbarë në shkollë”, thuhet në njoftimin e Komunës së Prishtinës.
Për dallim nga Prishtina, disa komune të tjera kanë shtyrë fillimin e gjysmëvjetorit të dytë, konkretisht Komuna e Fushë Kosovës, Drenasit dhe Malishevës.
Drejtoria Komunale për Arsim në Fushë Kosovë ka njoftuar se fillimi i gjysmëvejetorit të dytë në të gjitha institucionet e arsimit parauniversitar në këtë komunë është shtyrë për një javë, deri më19 janar.
Sipas njoftimit zyrtar, vendimi është marrë duke u bazuar në gjendjen aktuale në territorin e Komunës së Fushë Kosovës, si pasojë e kushteve të rënda atmosferike dhe reshjeve të vazhdueshme, të cilat kanë shkaktuar vërshime në shumë lagje dhe fshatra.
Po ashtu thuhet se janë marrë parasysh vështirësitë serioze në sigurimin e ngrohjes në disa institucione arsimore, si dhe temperaturat e ulëta.
Komuna e Malishevës ka njoftuar se mësimi në shkollat e kësaj komune shtyhet deri më 14 janar.
Ky vendim vjen pas situatës së rëndë gjatë këtyre ditëve nga vërshimet e shiut.
Edhe Komuna e Drenasit ka shtyrë rifillimin e procesit mësimor deri të mërkurën si shkak i gjendjes së vështirësuar nga reshjet atmosferike kohëve të fundit në këtë komunë.
Lajmin e ka bërë të ditur kryetari i kësaj komune, Ramiz Lladrovci, i cili ka thënë se vendimi u mor si shkak i rrethanave të krijuara nga bora, ngricat dhe mungesa e ujit.
“Për shkak të rrethanave të krijuara nga vërshimet, bora, ngricat dhe mungesa e ujit, kam marrë vendim të pezullohet vijimi i mësimit në të gjitha nivelet e arsimit parashkollor e shkollor në komunën e Drenasit, deri të mërkurën, më 14.1.2026”, thuhet ndër të tjera në postimin e Lladrovcit.
Ministria e Arsimit veçse ka shtyrë nisjen e gjysmëvjetorit të dytë për 12 janar, për shkak të dëmeve të shkaktuara nga vërshimet.