Më 15 dhe 16 maj 2025, edhe shkollat dhe kopshtet në Tiranë, Kamzë, Vorë dhe Krujë do të jenë pushim, për shkak të mbajtjes së Samitit të Komunitetit Politik Europian në Tiranë. Vendimi vlen për të gjitha institucionet arsimore parauniversitare në këto bashki.
Për shkak të zhvillimit të mbledhjes së radhës të Komunitetit Politik Europian, e cila do të mbahet në Tiranë më 16 maj, Këshilli i Ministrave ka shpallur datat 15 dhe 16 maj 2025 ditë pushimi për punonjësit e administratës shtetërore në disa bashki të vendit.
Sipas Vendimit Nr. 295, datë 09.04.2025, pushimi do të aplikohet për të gjithë punonjësit e institucioneve publike me seli në bashkitë Tiranë, Kamzë, Vorë dhe Krujë. Ky vendim përfshin edhe institucionet arsimore parauniversitare në këto bashki, që do të thotë se më 15 dhe 16 maj do të qëndrojnë të mbyllura edhe shkollat 9-vjeçare dhe të mesme, si dhe kopshtet publike në Tiranë.
Zyra Vendore Arsimore në Tiranë e ka konfirmuar këtë vendim përmes një njoftimi zyrtar të shpërndarë me email.
Dita e punës për këto dy data do të zëvendësohet më vonë gjatë vitit 2025, në ditë pushimi, sipas udhëzimeve që pritet të përcaktohen në vijim për institucionet arsimore.