Nxënësja Sofie Ahmeti nga Shkolla e Mesme e Mjekësisë në Pejë ka arritur një sukses të jashtëzakonshëm, duke siguruar rezultat maksimal në Olimpiadën Republikane të Kimisë në nivel shtetëror, e mbajtur më 25 prill 2026 në Kosovë.
Ky rezultat vlerësohet edhe më i rëndësishëm duke pasur parasysh dallimet në fondin e orëve mësimore ndërmjet profileve shkollore. Ndryshe nga gjimnazet, ku kimia zhvillohet me tri orë në javë, në profilin e mjekësisë kjo lëndë zhvillohet vetëm një orë në javë.
Pavarësisht këtij kufizimi, Ahmeti ka dëshmuar përkushtim të lartë, disiplinë dhe punë të vazhdueshme, duke arritur të konkurrojë me sukses në nivelin më të lartë shtetëror.

Suksesi i saj është vazhdimësi e rezultateve të mëparshme. Në vitin 2024, ajo u rendit e para dhe u nderua me medalje të artë në garën ndërkombëtare “Knowledge Competition”, ku fitoi edhe një bursë të plotë trevjeçare.
Arritja e Sofie Ahmetit konsiderohet një shembull frymëzues për nxënësit e tjerë dhe një dëshmi se angazhimi dhe vullneti mund të kapërcejnë sfidat, duke promovuar njëkohësisht vlerat e arsimit dhe duke ngritur lart emrin e Shkollës së Mesme të Mjekësisë në Pejë.