Më shumë se 100 për secilin program, ia kishin mësyrë vitin e kaluar të bëheshin studentë të Gjuhës dhe të Letërsisë Shqipe, vendet e lira gati i mbushën në të dy programet, u shpenzuan mbi 100 mijë euro e shpejt u kuptua se prej të regjistruarve, rreth gjysma i vazhduan studimet në Gjuhë e nja 6 në Letërsi. Regjistrimet dolën të jenë sa për një mijë euro bursë që kishin kriter vetëm regjistrimin. Sivjet, me paralajmërimet se s’ka më bursa pa kritere, numri ka rënë në mënyrë drastike. Gjuhës ia mësynë 61, u pranuan gjysma e në letërsi jo më shumë se 18 veta prej të cilëve dy s’e kaluan provimin, njëri s’u paraqit fare
Joshja me një mijë euro bursë për regjistrim në Gjuhë e në Letërsi Shqipe në Fakultetin e Filologjisë në Universitetin e Prishtinës, tërhoqi jo pak të interesuar vitin e kaluar, kur Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit nisi për herë të parë ndarjen e tyre. Madje i tejkaloi parashikimet e personelit akademik të këtyre programeve, por më pas matematikat ndryshuan.
Studentët braktisën studimet e orët akademike zhvilloheshin edhe me pesë studentë. Në të dy programet u regjistruan nga afro 60 studentë, aq sa ishin vendet e lira të shpallura me konkurs, njësoj sikurse me konkursin e sivjetmë. Në Gjuhë i vazhduan studimet rreth gjysma prej 54 të pranuarve e në Letërsi, prej 60 të regjistruarve, nja 6.
Sivjet konstatohet se efekti i bursës e mbi të gjitha paralajmërimi për kritere për marrjen e saj, numri i aplikuesve në nivelin bachelor kanë rënë në mënyrë drastike.
Nga 102 aplikantë për Letërsi Shqipe sa kishte vjet në afatin e parë të pranimit të studentëve, sivjet kjo shifër ka rënë në 18 të interesuar. Prej tyre 15 janë të pranuar në afatin e parë, sipas rezultateve përfundimtare të publikuara më 11 korrik.
Ndërkohë në Degën e Gjuhës Shqipe, nga 139 aplikantë, sivjet pati 61, nga të cilët 30 u pranuan.
Profesor Shpëtim Elezi, kryesues i komisionit vlerësues të provimit pranues për aplikantët në Degën e Gjuhës Shqipe, ka thënë se në rënien e aplikantëve në raport me vitin e kaluar, ka ndikuar paralajmërimi se sivjet do të ketë kritere për marrjen e bursës.
“Se a ka pasur efekt kjo marrëveshje, sigurisht se po. Vitin e kaluar kemi pasur 139 kandidatë vetëm në afatin e parë. Nëse e krahasojmë me afatin e parë sivjet, numri dukshëm ka rënë, gati përgjysmë. Sivjet kemi pasur 61 kandidatë. Mund të aludoj se në këtë rënie ka ndikuar se ka pasur paralajmërime se bursat sivjet nuk do të jepen ‘blanco’, siç janë dhënë vitin e kaluar, por do të përcaktohen disa kritere”, ka thënë Elezi në një bisedë për KOHËN.
Sipas tij, sivjet do të praktikohen kritere për marrjen e bursës prej një mijë eurosh në vitin e parë.
“Kandidatët megjithëse do të pranohen, nuk do t’i marrin bursat menjëherë pasi të regjistrohen, por se do të identifikohet vijueshmëria dhe pasi të kenë kryer edhe një përqindje të provimeve të caktuara. Por këto modalitete ka mbetur të përcaktohen qartë midis Ministrisë dhe Dekanatit të Fakultetit të Filologjisë”, ka thënë Elezi, profesor në degën e Gjuhës Shqipe në Fakultetin e Filologjisë në UP.
Masa të tilla pati përmendur dekani Abdulla Rexhepi, tre muaj më parë kur KOHA raportoi për “studentët” e Gjuhës dhe Letërsisë shqipe sa për një mijë euro bursë.
“Tash e tutje ata do të regjistrohen, do të kalojnë gjysmën e provimeve e pastaj ta marrin gjysmën e bursës, pastaj ta kryejnë pjesën tjetër të provimeve dhe ta marrin gjysmën tjetër të bursës. Mund të jetë edhe një formulë e tillë”, pati thënë ai.
Bursat prej një mijë eurosh për studentët e Gjuhës dhe të Letërsisë u përmendën për herë të parë në shkurtin e vjetëm, kur MASHTI dhe Universiteti i Prishtinës nënshkruan memorandum bashkëpunimi.
Kryesisht parashihej mbështetje financiare për botime në fushën e albanologjisë, si dhe përkrahjen e seminaristëve që ndjekin Seminarin Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare. Aty parashiheshin edhe bursat nga një mijë euro për studentët e programeve Gjuhë dhe Letërsi shqipe për vitin e parë në nivelin bachelor dhe në atë master. Në korrikun e vjetëm, bursa u përdor edhe si thirrje.
Edhe sivjet parashihet që 60 studentë të pranohen në secilin prej dy programeve. Sipas konkursit, 50 vende janë për kandidatët e komunitetit shqiptar dhe 10 për komunitete joshumicë dhe kandidatë nga trojet tjera shqiptare. Ka edhe një afat konkursi që pritet të hapet në gusht.
Interesim edhe më i ultë është vërejtur në programin e Letërsisë shqipe.
“Interesim nuk ka pasur shumë. 18 veta kanë konkurruar, njëri nuk është paraqitur dhe dy nuk kanë kaluar pragun prej 40 për qind”, ka thënë profesoresha Marjela Progni-Peci, anëtare e komisionit vlerësues për aplikantë në këtë program.
Të dy programet në nivelin master kanë më shumë aplikantë sesa ai i Letërsisë në nivelin themelor të studimeve. Këtë vit në Letërsi Shqipe në nivelin master janë 15 të pranuar nga 26 aplikantë gjithsej, ndërsa në Gjuhë Shqipe, në të njëjtin nivel, janë 17 të pranuar nga gjithsej 23 kandidatë.
Sipas Progni-Pecit, bursa nuk ka pasur ndikim në ngritjen e interesimit të studentëve të rinj për të vijuar studimet në këtë degë.
“Bursa, siç po shihet, në vitin e dytë menjëherë nuk po ndikon në ardhjen ose mosardhjen e studentëve”, ka thënë ajo shkurt për KOHËN derisa ka theksuar rëndësinë e këtij programi. “Ne përgatisim mësues për shtyllën e kombit. Gjuha dhe Letërsia janë lëndë shtyllë, së paku deri në klasën e 12-të”, është shprehur profesoresha Marjela Progni-Peci, anëtare e komisionit vlerësues të studentëve bashkë me Albanë Mehmetaj ndërsa të kryesuar nga profesori Ag Apolloni.
Komisioni për Degën e Gjuhës Shqipe është kryesuar nga Shpëtim Elezi ndërsa anëtarë kanë qenë Bahri Koskoviku dhe Mensur Vokrri.
Elezi ka konsideruar se vitin e kaluar ka pasur rritje artificiale të numrit të studentëve për shkak të mospërcaktimeve të kushteve për të marrë bursë.
E sivjet, sipas tij, ka studentë që vërtetë mendojnë ta studiojnë Gjuhën Shqipe.
“Duket se ka qenë një infuzion artificial, që nuk na ka rezultuar me sukses. Qëllimi ka qenë absolutisht i mirë të cilin e mirëpres dhe e vlerësoj si qëllim të mirë për të mbështetur disiplinat albanistike, por nuk na ka rezultuar në praktikë duke qenë se nuk ishin përcaktuar me kohë modalitetet e kriteret për t’u dhënë këto bursa. Ky ka qenë defekti i vetëm. Kjo siç duket ka lënë hapësirë që të na vijnë kandidatë me potencial në Gjuhë, por këtë e kanë shfrytëzuar vetëm sa për t’u pranuar dhe për të vazhduar në drejtime tjera”, është shprehur profesori Elezi.
Mbi 100 mijë euro i kanë kushtuar buxhetit të shtetit bursat që u janë dhënë atyre që kanë regjistruar studimet në programet Gjuhë shqipe dhe Letërsi shqipe në Fakultetin e Filologjisë, në Universitetin e Prishtinës, një nismë e aplikuar për herë të parë nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit në vitin akademik 2024/25, e proklamuar si një mënyrë për të nxitur rritjen e interesimit për këto dy programe që përballen me rënie të interesimit.
Në shtator, ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, nëpërmjet rrjetit social kishte njoftuar se ka “nënshkruar vendimin për ekzekutimin e mjeteve për 113 studentët e regjistruar në vitin e parë në programet Ba në: Gjuhë shqipe dhe Letërsi shqipe në Fakultetin e Filologjisë, në UP, për vitin akademik 2024/2025”.
Pas botimit të artikullit “’Student’ i Gjuhës dhe i Letërsisë shqipe sa për një mijë euro bursë”, në fillim të majit, ministrja në detyrë e Arsimit, Arbërie Nagavci, kishte thënë se kjo ministri do të kërkojë raport zyrtar nga Universiteti i Prishtinës për ata që morën bursa për regjistrim si “studentë” në programin Gjuhë shqipe dhe Letërsi shqipe të Fakultetit të Filologjisë e që më pas s’i vazhduan studimet. Në një shkrim në Facebook, Nagavci kishte shkruar se vendimi për këto bursa ishte marrë për shkak të shqetësimit se programet rrezikojnë mbylljen shkaku i mungesës së interesimit nga nxënësit. E për menaxhim të procesit, ajo kishte thënë se është përgjegjësi e institucioneve të arsimit të lartë. Nagavci kishte thënë se do të kërkojnë raport zyrtar e se më pas do të merren hapat e nevojshëm për adresim të çështjes.
“Në këtë kontekst, me shqetësim kemi pranuar informacione nga mediat se ka raste që përfitues të bursave kanë ndërprerë studimet e tyre. Në përputhje me parimet e transparencës dhe llogaridhënies, MASHTI do të kërkojë një raport zyrtar nga Universiteti i Prishtinës lidhur me këto raste dhe do të ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshëm për të adresuar përgjegjësitë institucionale. Njëkohësisht bashkë me menaxhmentin e UP-së dhe stafin aty do të vlerësojmë veprimet tutje me qëllim të efikasitetit të plotë në raport me masat afirmative në mbështetje të programeve të Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe”, kishte shkruar ajo. /Marrë nga KOHA.net