Siguria në shkollat e Kosovës dhe rreth tyre mbetet shqetësuese, pasi vetëm për gjashtë muaj nga Policia e Kosovës janë regjistruar mbi 230 raste, ku përfshihen incidente dhe vepra penale, në të cilat janë përdorur armë të ndryshme.
Policia e Kosovës i ka thënë KosovaPressit se gjatë këtyre gjashtë muajve janë evidentuar lëndime të rënda trupore, vjedhje, kanosje dhe sulme nga më të ndryshmet.
“Policia e Kosovës, gjatë gjashtëmujorit të fundit ka evidentuar 236 incidente në shkolla dhe përreth tyre. Policia të gjitha incidente i trajton bazuar në procedurat policore, aty ku ka elemente të veprave penale, inicion raste penale të cilat trajtohen në koordinim me institucione tjera”, thuhet në përgjigjen me shkrim të Policisë.
Njohësi i arsimit, Rinor Qehaja, ka thënë se problemi i dhunës dhe sigurisë së nxënësve në shkolla, ka nevojë për një qasje dhe përkujdesje institucionale.
“Mësimdhënësit duhet të kenë vetëdijen më të rritur, duhet të kenë përkrahje më të madhe, ngritje të kapaciteteve të tyre për një empati më të madhe për analiza të sjelljeve të fëmijëve të ndryshme që mund të jenë në situata dhe si rezultat i problemeve të ndryshme emocionale dhe joemocionale. Kjo duhet të jetë kompetencë e çdo mësimdhënësi, mirëpo nuk arrihet vet si vetiniciativë por duhet të vjen përkrahje në këtë rast nga psikologu i shkollës që me transmetuar si dije dhe nga institucionet qeveritare, në këtë rast nga MASHT-i, drejtorit komunale që me organizuar programe të zhvillimit profesional për mësimdhënës dhe psikologë që na garantojnë identifikimin në klasë të problemeve të ndryshme të nxënësve”, tha Qehaja.
Qehaja u shpreh se përgjegjësia për rastet e sigurisë në shkolla i takon edhe pranisë së psikologëve në shkolla. Sipas tij, shkollat kanë nevojë për psikologë të cilët marrin seriozisht rastet e nxënësve dhe jo psikologë, të cilët qëndrojnë të mbyllur në zyre.
“Pa dyshim që në vlerësimin tonë, duhet psikologë të përkushtuar jo vetëm si psikologë të pozitave administrative që qëndrojnë mbyllur në zyre por psikologë që janë të mishëruar me komunitetin e shkollës që janë në komunikim të vazhdueshëm me mësimdhënës, që i përkrahin mësimdhënësit, e rritin vetëdijen dhe mësimdhënësve për me i identifikuar ato raste të nxënësve që kanë probleme. Ata mësimdhënës me i raportuar tek psikologu dhe psikologu me shumë pasion dhe përkushtim me u marrë me këtë rast”, shtoi Qehaja.
Po ashtu, edhe Naile Rrustolli, psikologe e fëmijëve u shpreh se nëse do të ishte rritur prezenca e psikologëve në shkolla, edhe rastet e dhunës së fëmijëve do të ishin më të pakta.
“E theksova prind, shkollë dhe fëmijë ka të bëjë me atë se prindi është i interesuar për gjendjen e fëmijës, përveç faktorëve nëse fëmija ka qenë, ka pas dhunë në shtëpi ka qenë pre e dhunës nuk ka marrë mbështetjen e duhur emocionale prej familjes, këtu luan rol edhe shkolla meqenëse shkolla duhet të ofrojë ambient të shëndetshëm të sigurt, klimë pozitive të shkollës ku fëmija ndihet i pranuar dhe jo i gjykuar, në momentin në të cilin nuk mund të realizohet ky bashkëpunim në mes tre palëve nëse nuk ofrohet kjo klima atëherë do të thotë lindin konflikte të tilla që përfundojnë me fatalitet”, tha Rrustolli.
Ndërkaq, drejtoresha e Arsimit në Komunën e Prishtinës, Besianë Musmurati, tha se përpos kamerave të vendosura në shkolla, këtë vit kanë filluar me implementimin e disa metodave në mes mësimdhënësve dhe prindërve për të zbuluar problemet më të cilat hasin nxënësit, në mënyrë që më pas të raportohen te psikologët.
“Ne kemi bërë për herë të parë planin e veprimit për sigurinë në shkolla dhe kemi buxhetuar 1.5 milion euro do të bëjmë çdo vit për sigurinë e nxënëseve, kemi vendos kamera për sigurinë e nxënësve. Kështu që kemi marrë masa të cilat kemi filluar me implementim tani më, plani veprimit është tre vjeçar dhe ka aktivitet që do të jenë gjatë gjitha kohës, për herë të parë në Prishtinë kemi bërë edhe një vlerësim si lloj pilotimi me universitetin e Prishtine dhe parlamentin e psikologjisë, ku kemi bërë disa parametrave të sigurisë i kemi matë në disa shkolla të Prishtinës, nëse nuk gaboj kanë qenë pesë dhe po e bëjmë filtrimin me të dhënave dhe të shohim se çka kanë thënë prindërit, nxënësit dhe mësimdhënësit për pikat e sigurisë dhe plani është që të studiojmë si studim që edhe veprimet që i marrim të jenë të bazuara në fakte, sepse shumë shpesh ndodh që dizajnojmë politika të reja pa pas të dhëna konkrete se çka ndodh në shkollë…. Në bazë të dhënave kemi me dizajnuar aktivitete specifike për secilën shkollë, në qoftë se një shkollë ka probleme me bullizëm në atë shkollë do të fokusohemi që të zbatojmë politika kundër bullizmit … Nëse e një shkollë ka qenë shumë çështje rrethi siguri fizike do të investojmë më shumë në aspektin e rritjes se sigurisë fizike e kështu me radhë”, tha Musmurati.
Kohëve të fundit Policia e Kosovës ka organizuar disa aksione të kontrollit të nxënësve pranë shkollave në kryeqytet, ku edhe ka hasur në disa armë./ kp