Fuqia e tregimit të shkurtër qëndron edhe në thjeshtësinë e tij të mahnitshme. Është gabim të këmbëngulësh për të pabesueshmen
Nga Mauro Covacich
A ka rregulla për ta shkruar një tregim të mirë? Do të thosha se jo. Më e shumta, ka rregulla për ta shmangur shkrimin e një tregimi të dobët. Të shkruash një tregim të mirë kërkon një dozë esenciale magjie, fati, pa të cilin edhe virtuozi më i madh i teknikave të «creative writing» mundet vetëm ta konfeksionojë një «produkt të këndshëm». Ndërsa tregimi i dobët është rezultat i naiviteteve lehtësisht të shmangshme – duke e lënë të nënkuptuar se po flasim për persona që cilëve u pëlqen të tregojnë dhe ndihen të thirrur ta bëjnë këtë gjë.
Dekalogu, në të vërtetë eptalogu (më erdhën vetëm shtatë urdhëresa) kërkon edhe një premisë tjetër: që aspiranti ta marrë këtë lojë seriozisht, jo pra si një ushtrim të thjeshtë nxitës-intelekti, por si një provë në gjendje që t’i zbulojë diçka, rreth vetes dhe të tjerëve, të cilën ende nuk e njeh. Dua të them, çdonjëri që e ka njëfarë zotësie të gjuhës dhe metrikës italiane mund të argëtohet duke shkruar një sonet: mandej, në një rrafsh tjetër, ka nga ata që ndiejnë se duhet të shprehin një emocion dhe se mund ta bëjnë vetëm përmes barrierave jetëdhënëse të atyre katër strofave. Ja, eptalogu, është për ta.
Një: Mos mendo të shkruash, mendo të jetosh. Nëse jeton plotësisht, nëse u kushton vëmendje gjërave që ndodhin përreth teje, nëse i dëgjon të tjerët dhe veten, puna më e madhe veç është kryer. Përvoja shndërrohet në shkrim, do të pretendojë një zë, një faqe.
Dy: Mos e pyet veten çka do të ishte mirë të lexosh, pyete veten nëse ajo që ke në mendje mund të shmanget. Nëse përgjigjja është po, ngrihu dhe dil bëje një shëtitje, ka me mijëra gjëra më zbavitëse se sa të sforcohesh të rrëfesh një histori. Ja ku erdhëm te puna e frymëzimit. Frymëzimi, i kuptuar si tërbim poetik i dhuruar nga zotat, mbase edhe nuk ekziston, në rregull, por as imazhi i kundërt i shkrimtarit zanatli, i shkrimtarit që lëmon dhe ngjit e mandej e mbyll në kohën e drekës, paj, as kjo s’vlen aq. Të themi se të lëmosh dhe të ngjitësh mëson (nëse je i dhënë), pro pa një ide që të të mbajë të gozhduar në karrige dhe të të detyrojë të shkruash, kurrë s’do të dalë gjë e hairit në dritë. Mirë, ta marrim me mend se ideja e tregimit është tashmë aty, në stripin e tij të bukur me llambën…
Tre: Mos shko ti te tregimi, lëre tregimin të vijë te ti. Mos e miklo, mos iu lut, mos u ul para fushës së panjollë të Wordit para se ta kesh në kokë ndonjë frazë me të cilën do ta njollosësh. S’ka gjë më frenuese se sa të detyrohesh të sajosh nga asgjëja menjë dokument Pa Titull që t’i ngul sytë në atë mënyrë mizore dhe neutrale, siç di vetëm ai. Një marifet është ta ngërthesh frazën kur vjen – në ndonjë pecetë letre, pako sheqeri, biletë metroje, s’ka rëndësi se ku – dhe ta vësh në xhep. Nëse e harron (55%) do të thotë se nuk ia vlente barra qiranë. Nëse të kujtohet, por duke e rilexuar ta shpif ( (40%), rezultati është i njëjti. Përndryshe (5 %) nis të punosh.
Katër: Mos e përhumb në gjëra sipërfaqësore, kurrfarë digresioni, kurrfarë preambule. Fuqia e tregimit të shkurtër qëndron edhe në thjeshtësinë e tij të mahnitshme. Mendoje Çehovin, mendoje Karverin, mendoje Kafkën. Është si një zhytje, s’ke çka të arnosh – një ngjarje, dy më e shumta – me rëndësi është si futesh në ujë.
Pesë: Mos jep informacione, mos shpjego, mos komento, bëj ashtu që ajo që dëshiron ta shprehësh të transmetohet nga gjestet e personazheve të tua dhe nga batutat e dialogëve të tyre. Nëse Eva është e dëshpëruar, mos shkruaj Eva është e dëshpëruar, shkruaj Eva ia ngul sytë tavanit, shkruaj flokët e saj kanë nevojë për një shampo.
Gjashtë: Mos këmbëngul te e pabesueshmja, përkundrazi këmbëngul ta bësh personazhin tënd sa më të besueshëm. Nëse është marsian, jepi lexuesit përshtypjen se, po të ishte edhe ai marsian, do të mendonte dhe do të vepronte në atë mënyrë.
Shtatë: Mos i ruaj njëmijë versione, zënë një thes memorie pa nevojë. Nëse i ke hequr qafe një herë, s’do të të pëlqejnë më.
Ja, tash je i sigurt se nuk do ta shkruash një tregim të dobët. Sa i përket atij të mirit, pyeti magjistarët.