Autor: Florent Selca (Mësimdhënës)
Pothuajse të gjithë jemi të ndergjegjshëm se arsimi ka ngecje permanente këto dy dekadat e fundit. Dështimet dhe pasojat janë nga më të ndryshmet.
Por fatkeqësisht çështja e arsimit asnjëherë nuk ka qenë prioritet për institucionet tona.
Duke u bazuar në eksperiencën time 18 vjeçare në arsim, po dua t’a shpreh mendimin tim se si do mund t’a rregullonim disi sistemin tonë arsimor.
Po të isha unë udhëheqës dhe përgjegjës për arsimin shqip në Kosovë, do veproja si më poshtë:
1. Të hartohen norma ligjore apo udhëzime administrative, ku lejohet përsëritja e vitit shkollor edhe për nxënësit nga klasa e parë deri në të pestën.
2. Të trajtohen mësueset-it, që të punojnë vetëm me një paralele (vetëm për klasat e para, klasën e dytë tjetri mësues-se, klasën e tretë tjetri, klasën e katër tjetri dhe klasën e pestë poashtu tjetri mësues-se). Çdo pesë vite, mësuesit të kalojnë psh nga klasa e parë në të dytën e kështu me radhë.
3. Secili-cila mësues-se të jap llogari nëse nxënësit në mbi 5 % në një klasë, nuk dinë shkrim-lexim ( klasa e parë).
4. Në fund të ciklit fillor, të organizohet një testim i përgjithshëm për nxënësit që kanë përfunduar me sukses klasën e pestë. Nësë nxënësi nuk e kalon testin mbi 45 %, të ritestohet prapë pas dy muajve dhe nëse prapë ka ngecje, nxënësi të përsërit klasën e pestë. Testimi të organizohet nga DKA-të përkatëse, por testet të jenë uniforme për të gjithë dhe të hartohen nga ekspertët e kësaj fushe.
5.Për nxënësit e ciklit të mesëm të ulët (klasa 6-9), që kanë sjellje deviante, shkollës t’i mundësohet marrja e masave disiplinore që nënkupton “ndëshkime” pedagogjike që do ndikonin në përmirësimin e atyre sjelljeve.
6. Nxënësit që kanë notën e sjelljes 1 (dobët), me automatizëm t’ju ndërrohet shkolla (me preferencën e prindit të përzgjidhet një nga dy shkollat e propozuara) . Kjo masë mund të jetë edhe disa javore ose disa mujore, ose për gjithë vitin shkollor.
7. Testi i semimaturës, të manifestoj jo vetëm suksesin e nxënësit, por edhe përformancën e mësimdhënësit.
8. Nxënësit që përfundojnë maturën, për t’u regjistruar në profilet arsimore, duhet të kenë suksesin e shkëlqyeshëm të paktën nga klasa e 10 deri 12.
Pra, në profilet arsimore mos të pranohen nxënësit që kanë suksese ndër notën 5.
9.Në secilin cikël studimesh, mos të aplikohet mbrojtja e temës së diplomës, por në vend të saj të organizohet një testim i përgjithshëm i studentëve që pretendojnë të jenë mësimdhënës. Nëse testi nuk kalohet në së paku 75 %, studenti testohet prapë pas dy muajve, nëse prapë nuk kalon, të testohet sërish pas një muaji. Nëse nuk e kalon testin as për herën e tretë, studenti humbet vitin akademik.
9 Për t’u bërë mësimdhënës, kandidati duhet të aplikoi për punë në DKA-të përkatëse. Aty ku konkursi për vende të lira të shpallet vetëm një herë në vit. Testimi të organizohet nga MASHT dhe të mbikqyret nga inspektorët e arsimit dhe zyrtarët e DKA-ve përkatëse . Në punë të pranohen më të suksesshmit në test. Gjatë gjithë atij viti shkollor, nëse ka vende të lira të bëhët sistemimi automatik i kandidatëve që janë në radhë në listën e atij testimi.
10. Të miratohet ligji që në secilen shkollë pos psikologut të jetë i inkuadruar edhe sociologu. Kjo do ndikonte në të mirën e përbashkët të secilës shkollë. Sociologu do t’i identifikonte problemet në grup dhe përmes aktiviteteve që do ndërrmerrte, do të krijonte një atmosferë më bashkpunuese dhe më të qetë për punë.
11. Përzgjedhja e drejtorëve, zëvëndësdrejtorëve, psikologëve, sociologëve, pedagogëve, sekretarëve dhe stafit tjetër pedagogjik të jetë apolitik.
12. Drejtori i shkollës të përzgjidhet nga një komision ekspertësh të rekomanduar nga MASHTI. Pra drejtori, zv-drejtori, në fund të marrin miratimin nga ministri i arsimit e jo nga kryetari i komunës. Drejtori i përzgjedhur në një institucion arsimor duhet të gëzoj mbështetjen e së paku 80 % të mësimdhënësve të atij institucioni.
13. Stafi i mësimdhënësve të kenë të drejtën e shkarkimit të drejtorit, zv-drejtorit nëse ata janë të papranueshëm për shumicën e punëtorëve të atij institucioni. Kështu do të shtohet përgjegjësia dhe llogaridhënja e secilit udhëheqës të institucionit arsimor.
14. Të miratohet një udhëzim administrativ, ku i jep më shumë kompetenca mësimdhënësit në punën e tij me nxënës. Të eliminohet puna administrative e stërngarkuar e mësimdhënësit dhe të thjeshtësohen procedurat administrative.
15. Çdo pesë vitë të riliçensohen mësimdhënësit nga një grup ekspertësh të mbikqyrur nga inspektorët e arsimit. Nëse pas tri rishikimeve të përformancës mësimdhënësi është nën nivelin e duhur, atij ose asaj t’i merret e drejta e ushtrimit të profesionit të mësimdhënësit deri në një rikualifikim të ri.
16. Mësimi të zhvillohet në dy perioda, atë vjeshtore dhe atë pranverore, ku gjysmëvjetori i parë të përfundoi rreth datës 15 janar dhe i dyti të filloi në fillim të muajit shkurt. Ndarja e mësimit në dy perioda, do e thjeshtonte punën si për nxënësit, ashtu edhe për mësimdhënësit.
17. Tekstet shkollore të rishqyrtohen dhe të jenë të përshtatshme për grupmoshën e caktuar, pasiqë në shumë tekste shkollore kemi gabime dhe mospërshtatje të tekstit me moshën e nxënësit.
18. Puna e stërngarkuar teorike të jetë e lidhur me aktivitetin praktik, aty ku teoria dhe praktika të jenë të ndëthurura mjaft mirë me njëra-tjetrën.
19. Të kërkohen ekspert nga universitetet prestigjoze botërore për të krijuar një agjensi kredibile të akreditimit. Aty ku vërehen mangësi sidomos në kuadrin akademik, të rekomandohet mbyllja e atyre degëve.
20. Shkolla të ofroi përpos aspektit edukativo-arsimor edhe mundësi argëtimi dhe aktivitete kreative për nxënësit. Një mësim mbi 180 ditësh, vetëm në ambientet e një klase, kthehet në monotoni dhe ndikon negativisht në psikikën e fëmijëve. Aktivitetet në natyrë jo vetëm që e argëtojnë dhe relaksojnë, por ato edhe e mësojnë dhe stimulojnë për dije një fëmijë. /KidsofKosova/AlbanianEducatonToday/