E diel, 19 Janar, 2025

“Si mësues i gjuhës shqipe më duhet të përballem çdo ditë me 70 nxënës”

- Advertisement1-

“Si mësues i gjuhës shqipe më duhet të përballem çdo ditë me 70 nxënës. Kam planifikuar strategjinë me të cilin do t’i përballoj, motoja e së cilës është ‘E keqja mundet me të mirë’, e shoqëruar ndonjëherë me politikën e ‘kulaçit e kërbaçit'”.

Shkrim nga Luan Stafasani.

- Advertisement -

Në kuadër të kualifikimit të brendshëm si dhe detyrimit për të mbajtur kumtesa përpara kolegëve kam zgjedhur si temë “Menaxhimi i klasës”. Gjithmonë më ka intriguar ideja e menaxhimit të nxënësve në klasë e po ashtu vlerësojmë ndarjen e eksperiencave të mësuesve me njëri-tjetrin në këtë fushë e për këtë temë e gjithmonë kam ndjerë një lloj bezdie ndaj mentorëve të arsimit në qendër e në bazë tek rreken të na kualifikojnë me materiale të përkthyera nga literatura e huaj.

“E lehtë të lëshosh receta, e vështirë është të merresh vesh me njerëz” -do thoshte Kafka. Rregulli i shkrimit të një teksti e kërkon përkufizimin e gjësë për të cilën do të flasësh e kështu do duhet të them se në mënyrë të thjeshtëzuar termi menaxhim do të thotë udhëprirje, drejtim, organizim i PME. Mirëpo përveç aftësisë që unë si mësues duhet të kem si menaxhues i klasës, para së gjithash duhet të menaxhoj së pari veten time. E keqja e punës larg qendrës së banimit shoqërohet dhe me të mirën e saj që gjatë kohës që unë përshkruaj udhën me makinën time, bisedoj me alter egon, që gjendet te secili prej njerëzve.

I them vetes se profesionin e ke zgjedhur me mend si pasion,si misionar,jo thjeshtë si rrogëtar. Mund të ishe bërë shumëçka, por zgjodhe rolin e mësuesit, ndaj s’të mbetet veçse ta interpretosh sa më mirë ketë rol. Roli kërkon përqendrim. Profesioni i mësuesit më bën nder, më jep mundësinë të jem në vëmendje të komunitetit. Gjithçka që s’lidhet me profesionin e misionin tim do ta lë jashtë portës së shkollës.

“Janë nxënësit, pa jemi ne” -them shpesh mes kolegëve të mi. Çdo ditë lexoj poezinë “Në mundsh” të Kiplingut dhe letrën e presidentit amerikan Linkoln, drejtuar mësuesit të djalit të tij. Në punën time më prin thënia e Hygoit: “Ndërgjegjja është zëri autentik i Zotit”.

Klasat ku jap mësim kanë në përbërje 70 nxënës, të cilët vijnë më së shumti nga fshatra të ndryshëm që rrethojnë qytetin e Klosit. Nxënësit përfaqësojnë kultura të ndryshme rurale, bartin problematika të mprehta sociale të familjeve të tyre si: emigracioni, papunësia, varfëria e thellë, divorci, alkoolizmi apo kumari. Si rrjedhim këto klasa dallohen për nivelin e ulët mësimor e kulturor dhe jo rrallë paraqesin probleme që lidhen me mirëmenaxhimin e klasës.

Si mësues i gjuhës shqipe më duhet të përballem çdo ditë me ta. Kam planifikuar strategjinë me të cilin do t’i përballoj, motoja e së cilës është “E keqja mundet me të mirë”, e shoqëruar ndonjëherë me politikën e “kulaçit e kërbaçit”. Si fillim i përshëndes miqësisht, i numëroj me sy, hedh mungesat duke u interesuar rreth arsyeve të mungesës së tyre, madje kur vijnë u them se e kemi ndjerë mungesën e tyre. Pasi kam marrë mungesat, para se të fillojmë me temën e mësimit, i falënderoj për vëmendjen që do t’i kushtojnë orës së mësimit. Kjo mënyrë të thëni që ia drejtoj ndonjërit që nuk është “online”, kam vënë re se është shumë motivuese dhe i bën nxënësit të vëmendshëm. Mundohem t’i angazhoj të gjithë në punë sipas nivelit që përfaqësojnë. Duke lëvizur vazhdimisht në bankat e nxënësve e kam më të lehtë t’i menaxhoj. Kur dalloj dikë se po merret me gjëra pa lidhje me orën e mësimit, i them se nuk është vendi e koha për këto gjëra. Ka ndodhur ndonjëherë të ketë debate të ashpra dhe mes dy nxënësve. Jam ndalur dhe kam kërkuar të qetësohen e të përpiqen të arsyetojnë. Shpesh ju kujtoj dhe motivin e një poezie të Camajt: “Në fjalë sqarohen dhe toka e qielli bashkë, e jo më njerëzit”.

- Advertisement -rrrrrrr

Vetë lënda e letërsisë me komentet e pjesëve më mundëson pëqasjen e ngjarjeve e personazheve me realitetin ku jetojmë. Herë pas here kur vërej ndonjë shmangie, shpërqëndrim a ndërhyrje të pa vend, ju kujtoj se jam duke bërë punën time. Po flas për ta e kështu që meritoj respekt e korrektesë, nëse do t’i kem ato prej tyre sigurisht do t’ju kthehen, në të kundërt pala që humbet më së shumti janë ata. Në përparësitë e punës sime janë po ashtu rregullat dhe kërkesat e lëndës e të miat si mësues. Përpiqem që krahas rregullimit të ambientit në mënyrë sa më të pranueshme të nxis debatin konstruktiv mes nxënësve në lidhje me çeshtjet e mësimit. Madje jo rrallë ju them se roli i mësuesit është si i menaxherit të orës së mësimit, që konsiston në krijimin e një klime të ngrohtë komunikimi, mbajtjen e rregullit të fjalës, qartësimit të përgjigjeve të sakta, angazhimit të të gjithë nxënësve pa rënë në grackën e braktisjes së fshehtë. Po fjala e parë ju takon atyre. Metaforën: “Mësuesi duhet të ketë gojë të vogël e veshë të mëdhenj” e kuptojnë më së miri.

Duket se mësuesi është nga modelet më të rëndësishëm në jetën e njeriut. Ne si mësues përpiqemi të bëjmë më të mirën, sepse edukimi është çelësi i përparimit të një shoqërie. Por ndoshta edhe diçka duhet thënë së fundmi: Të fajësosh mësuesit për mosarritjet e nxënësve është si të fajësosh mjekun për sëmundjen e pacientit. Mësuesit harxhojnë ditën e tyre me edukimin, shpjegimin, kujdesin, vlerësimin e nxënësve të tyre ndaj dhe vlerësimi e respekti i nxënësve, prindërve e shoqërisë për mësuesit duhet të njohë të tjera nivele.

Nga Luan Stafasani

/ portali shkollor /

Share

Të fundit

Të tjera nga kategoria

Drejtoresha e shkollës “Elena Gjika” pret në takim themeluesin e PISA-s

Shkolla "Elena Gjika" në Prishtinë ka njoftuar se drejtoresha Zana Zeqiri ka pritur në...

Nxënësit e shkollës “Vaçe Zela” kujdesen çdo ditë për bimët e mbjella në kopshtin e shkollës

Ministrja e Arsimit, Ogerta Manastirliu, ka publikuar foto të nxënësve të shkollës “Vaçe Zela”,...

Pensionohet mësuesi Sadik Krasniqi nga Drenasi pas 42 viteve në arsim

Sot, në një ditë plot emocione dhe mirënjohje, nxënësit, kolegët dhe banorët e Llapushnikut...

Mbajtja e trajnimeve – SBASHK vjen me njoftim të fundit

SBASHK ka publikuar emrat e dy grupeve të pjesëmarrësve nga Peja për trajnimin "Aplikimi...