Ndryshe nga versionet e mëparshme të coronavirusit, të cilët, në pjesën më të madhe i lanë fëmijët rehat, varianti i ri Delta po bën një dëm të konsiderueshëm te fëmijët – veçanërisht pasi fëmijët nën 12 vjeç nuk janë vaksinuar ende.
“Varianti Delta është më ngjitës. Kjo është arsyeja pse ju po e shihni atë më shumë te fëmijët”, tha Dr Paul Offit, drejtor i Qendrës së Edukimit për Vaksinat.
Sipas Qendrave për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC), varianti Delta është më shumë se dy herë më ngjitës se variantet e mëparshme, dhe ka të dhëna që sugjerojnë se mund të shkaktojë sëmundje më të rëndë te njerëzit e pa vaksinuar, shkruan Healthline.
Meqenëse shumica e fëmijëve janë të pa vaksinuar, kjo i vë ata në një kategori më të lartë rreziku të kontraktimit të virusit.
Por, si duket varianti Delta te fëmijët dhe si mund t’i mbajmë familjet tona të sigurta?
Është ende herët për të thënë nëse ka dallime të rëndësishme në simptomat e variantit Delta kundrejt varianteve të mëparshme.
Yale Medicine raportoi se kollitja dhe humbja e nuhatjes janë më pak të zakonshme me variantin Delta, ndërsa dhimbja e kokës, dhimbja e fytit, rrjedhja e hundës dhe ethet janë ndër simptomat kryesore. “Është shumë herët për të parë studime të cilësisë së lartë në literaturën pediatrike që pasqyrojnë rritjen aktuale në variantin Delta”, tha Dr Michael Grosso, shefi mjekësor dhe kryesuesi i pediatrisë në Spitalin Huntington të Northwell Health.
“Simptomat më të zakonshme te fëmijët dhe adoleshentët duket të jenë ethe dhe kollë, me simptoma të hundës dhe gastrointestinale që ndodhin shumë më rrallë”, shtoi Grosso.
Varianti Delta mund të krijojë më shumë simptoma te më shumë fëmijë sesa kemi parë më herët në pandemi. “Sido që të jetë [varianti], prindërit duhet të qëndrojnë të vetëdijshëm për sëmundjet e tjera të shkaktuara nga COVID-19 te të rinjtë”, tha Grosso.
Një sëmundje serioze që duhet vënë re është sindroma inflamatore multisistemike tek fëmijët (MIS-C). “MIS-C, i cili është një ndërlikim i pazakontë, serioz i COVID-19, ka fillimin e tij disa javë pas infektimit fillestar”, tha Grosso.
Simptomat e MIS-C përfshijnë:
dhimbje barku
sytë e përgjakur
shtrëngim ose dhimbje në gjoks
diarre
rraskapitje
dhimbje koke
presion të ulët të gjakut
dhimbje qafe
skuqje
të vjella
Fëmijët me ndonjë nga simptomat e përmendura më sipër duhet të testohen dhe të shihen nga një pediatër. Kjo është veçanërisht e nevojshme para se fëmijët të kthehen në shkollë. Sipas Offit, nëse fëmija juaj rezulton pozitiv me COVID-19, ai duhet të izolohet dhe karantinohet derisa të mos ketë më simptoma.