Komiteti këshillues i qeverisë e ka rekomanduar vaksinën “Pfizer” për fëmijët mbi moshën 12 vjeçe të mërkurën, pasi Administrata për Ushqim dhe Ilaçe e ka zgjeruar autorizimin për vaksina edhe për këtë grupmoshë në fillim të javës
Fëmijët e moshës mbi 12-vjeçare në SHBA mund t’i përvjelin mëngët për ta marrë vaksinën kundër COVID-19, duke ia ofruar prindërve dhe shkollave mundësinë për t’i liruar masat kundër pandemisë dhe duke e sjellë vendin një hap më afër kontrollimit të virusit.
Komiteti këshillues i qeverisë e ka rekomanduar vaksinën “Pfizer” për fëmijët mbi moshën 12 vjeçe të mërkurën, pasi Administrata për Ushqim dhe Ilaçe e ka zgjeruar autorizimin për vaksina edhe për këtë grupmoshë në fillim të javës.
Ja çfarë duhet të dini:
A janë të njëjtat vaksina sikurse ato për të rriturit?
Po. Doza dhe koha e dhënies së vaksinës janë të njëjta; dy dozat jepen me tri javë ndërmjet.
Ku mund t’i marrin vaksinat fëmijët?
Barnatoret, njësitet shtetërore dhe vendet e tjera që tashmë janë duke i vaksinuar njerëzit mbi 16 vjeç me vaksinën “Pfizer” duhet ta mundësojnë dhënien e vaksinave për të gjitha grupmoshat.
Shkollat gjithashtu janë duke u përgatitur për ta organizuar procesin e vaksinimit në mënyrë që të ndihmojnë në përshpejtimin e fushatës. Dhe për shkak se prindërit mund të ndihen më rehat me mjekët dhe pediatërit e tyre, zyrtarët shëndetësorë janë duke punuar që vaksinat të jenë më shumë në dispozicion nëpër klinika private.
A do të ketë nevojë për kujdestarë?
Do të jetë i nevojshëm pëlqimi i prindërve, por mund të dallojë se si mund të merret.
Për shembull, për vaksinimet në klinikat që ndodhen në shkolla prindërit mund ta japin pëlqimin me anë të nënshkrimit, ka thënë dr. Nirav Shah, drejtor i Qendrës për Parandalim dhe Kontrollim të Sëmundjeve në Maine dhe kryetar i Asociacionit të Zyrtarëve Shtetërorë dhe Territorial të Shëndetësisë.
Në Qarkun Montgomery në Pennsylvania të gjithë njerëzit nën 18 vjeç duhet të shoqërohen nga prindi apo kujdestari. Dëshmia e kujdestarit dhe mosha e fëmijës nuk janë duke u kontrolluar, ka thënë Kelly Cofrancisco, zëdhënëse e qarkut, ku të martën ka filluar vaksinimi i adoleshentëve.
Si është miratuar vaksina për fëmijët?
Studimi i fazës së fundit të vaksinës “Pfizer” e ka dëshmuar sigurinë dhe efikasitetin e vaksinave në 44 mijë njerëz mbi moshën 16 vjeçe. Studimi më pas ka kërkuar që rreth 2,200 fëmijë të moshës 12 deri në 15 vjeçe të shikojnë nëse kanë ndonjë reagim pas dhënies së vaksinave.
Asnjëri nga fëmijët, që kishin marrë vaksinat në studim, nuk ishin infektuar me COVID-19, krahasuar me 16-vjeçarët që i kanë marrë vaksinat testuese. Në të është konfirmuar se vaksinat te të rriturit ishin shumë efektive.
Fëmijët janë përcjellë për dy muaj pas marrjes së dozës së dytë si pjesë e studimit.
Pse vetëm vaksina “Pfizer”?
Sepse vetëm kompania “Pfizer”, që e ka krijuar vaksinën me partnerin gjerman “BioNTech”, i ka kryer studimet te adoleshentët më të rinj. “Moderna” së fundmi ka thënë se sipas rezultateve përfundimtare të studimit te 12 deri 17-vjeçarët ata janë shumë të mbrojtur dhe nuk kishin shfaqur efekte anësore, por rregullatorët ende duhet t’i rishikojnë rezultatet para se t’u ofrohet të rinjve.
Cilat efekte anësore priten?
Efektet e zakonshme anësore ishin të ngjashme me ato që priteshin te të rriturit dhe përfshijnë plogështinë, kokëdhembjen, dhembjen e muskujve dhe ethet. Përveç dhembjes në krah, ku merret vaksina, efektet e tjera ka gjasa të shfaqen pas dozës së dytë.
Dr. Michael Smith, drejtor i Klinikës Infektive në Qendrën Shëndetësore të Fëmijëve në Duke, ka theksuar se të rinjtë priren të kenë sistem imunitar më të fortë dhe reagojnë më mirë ndaj vaksinave. Kjo gjë e shpjegon se pse efektet anësore janë më të zakonshme në grupmoshën nga 12 deri në 15 vjet, sesa te të rriturit, ka thënë ai.
Kjo është arsyeja pse fëmijët nën 12 vjeç po testohen me doza të ndryshme.
A munden fëmijët që në të njëjtën kohë t’i marrin vaksinat rutinore?
Qendrat për parandalim dhe kontrollim të sëmundjeve kanë thënë se janë duke i përditësuar udhëzimet në mënyrë që procesi i vaksinimit rutinor të vazhdojë përkrah atij kundër COVID-19. Gjithashtu ka këshilluar që të ketë hapësirë dyjavore mes vaksinimeve të tjera, në mënyrë që të monitorohen njerëzit për efekte potenciale anësore.
Kur do të mund të vaksinohen fëmijët më të vegjël?
Ende është e paqartë se sa shumë kohë do të marrin testimet e vazhdueshme apo rishikimet e rregullatorëve. Por dr. Anthony Fauci, eksperti më i mirë i sëmundjeve infektive në SHBA, së fundmi ka sugjeruar se mund të ndodhë këtë vit.
Pse duhet të vaksinohen fëmijët?
Edhe pse fëmijët nuk janë aq të rrezikuar për t’u sëmurë rëndë nëse infektohen, zyrtarët e shëndetësisë kanë theksuar se megjithëkëtë nuk janë të parrezikuar.
Fëmijët e vaksinuar janë çelës për t’i dhënë fund pandemisë, pasi fëmijët mund të infektohen dhe ta shpërndajnë virusin te të tjerët, edhe nëse nuk sëmuren vetë.