Për të gjithë mësuesit e ciklit Arsimit Fillor të cilët e kanë të domosdoshme të dinë më thjeshtë se si t’ë bëjnë vlerësimin e nxënësve, u vjen në ndihmë materiali i mëposhtëm, i cili është përgatitur nga mësuesja Violeta Kuqi. Materiali u shërben gjithashtu edhe prindërve për t’u informuar në lidhje me këtë temë.
Vlerësimi i nxënësit në klasat I-III
Vlerësimi i nxënësit në klasat I-III bëhet me përshkrim, kurse në klasat IV-V bëhet me notë. Përshkrimi i vlerësimit ka si qëllim evidentimin e anëve të forta, të dobësive dhe vështirësitë konkrete që ka nxënësi në çdo program lëndor. Mbajtja e shënimeve për ecurinë dhe përparimin e nxënësve siguron informacione të dobishme për mësuesin dhe e ndihmon në rishikimin e përmbajtjes mësimore në ato raste kur të nxënit nuk është në rezultatet e pritshme.
Vlerësimi i nxënësit për arritjen e kompetencave të fushave të të nxënit realizohet në periudha periodike tremujore, të cilat përafërsisht bien në muajt dhjetor, mars dhe qershor (në varësi të fillimit dhe përfundimit të vitit shkollor). Ai përbëhet nga vlerësimi i vazhduar, nga vlerësimi i punimeve dhe i produkteve individuale të nxënësit që tregojnë interesin e tij për të nxënë, si dhe nga vlerësimi i testimeve, i detyrave të kontrollit dhe i detyrave përmbledhëse.
Në fund të çdo periudhe për të bërë vlerësimin përshkrues të nxënësit, mësuesi mban parasysh raportet ndërmjet tri llojeve të vlerësimit:
Përgatitja dhe performanca sistematike e nxënësit (Vlerësimi i vazhduar) përbën 45 % të vlerësimit. Ky vlerësim ndahet 15% për përgatitjen e nxënësit dhe detyrat që ai bën në shtëpi; 30% për punët e detyrat me shkrim që kryen nxënësi në klasë dhe përgjigjet që jep me gojë.
Punimet krijuese dhe nismat individuale, produktet dhe detyrat specifike që nxënësi bën në grup, zhvillimi i projekteve, i veprimtarive të tjera që zhvillohen në klasë përbën 25% të vlerësimit.
Testimet, detyrat e kontrollit dhe detyrat përmbledhëse përbëjnë 30% të vlerësimit. Ato dëshmojnë qëndrueshmërinë e rezultateve (të të nxënit) të nxënësit.
Pra, për të bërë vlerësimin e nxënësit në fund të çdo periudhe, mësuesi do të mbajë parasysh sa përgatitjen sistematike të nxënësit, aq edhe qëndrueshmërinë e njohurive dhe të aftësive të fituara. Sigurisht që për nxënësin do të merret në konsideratë përgatitja që bën në shtëpi dhe interesi që shfaq për të nxënë.
Në arsimin fillor, nga klasa e parë deri në klasën e tretë, si për vlerësimin në fund të çdo periudhe, ashtu edhe për vlerësimin përfundimtar në fund të vitit shkollor, në regjistër, nxënësi merr vlerësim për përmbushjen e rezultateve të kompetencave të fushave të të nxënit/ lëndëve.
Vlerësimi vjetor lëndor i nxënësit bëhet duke pasur parasysh vlerësimin përmbledhës (përfundimtar) të nxënësit sipas kompetencave të fushës/ lëndës.
Nga klasa I-III vlerësimi vjetor bëhet me kodet e niveleve të vlerësimit 1- 5, në klasat IV-V bëhet me notat 4-10.
Në klasat I-III vlerësimi i nxënësit realizohet me 5 nivele vlerësimi si më poshtë:
Niveli 1. “Arritje të pakënaqshme”, kur nxënësi nuk përmbush kërkesat bazë të të nxënit. Nxënësi që paraqet arritje të pakënaqshme plotëson pak detyra; ka nevojë të kujtohet shpesh për të bërë detyrat dhe është rrallë herë i motivuar; detyrat i mungojnë, janë të paplotësuara, të pasakta dhe mund t’i dorëzojë me vonesë; Rrallë dëgjon me vëmendje, merr pjesë në diskutimet në klasë dhe bashkëpunon me nxënësit e tjerë.
Niveli 2. “Arritje që kanë nevojë për përmirësim”, kur nxënësi ka arritur vetëm pak nga kërkesat bazë të të nxënit dhe kërkohet mbështetje dhe punë e vazhdueshme nga ana e tij dhe e mësuesit. Nxënësi që paraqet arritje që kanë nevojë për përmirësim është i motivuar për të plotësuar detyrat, megjithatë disa prej tyre mund të mos i zhvillojë plotësisht; herë
pas here duhet kujtuar që të bëjë detyrat; ndonjëherë dëgjon me vëmendje dhe merr pjesë në aktivitete dhe diskutime në klasë dhe punon bashkërisht në grupe.
Niveli 3. “Arritje të kënaqshme”, kur nxënësi ka përmbushur kërkesat bazë të të nxënit dhe, kur me mbështetjen e mësuesit, arrin të përparojë. Nxënësi që paraqet arritje të kënaqshme zakonisht është i motivuar dhe i përqendruar në detyra; i plotëson detyrat në kohë; zakonisht dëgjon me vëmendje, merr pjesë në diskutim dhe në aktivitetet e klasës dhe bashkëpunon në grup.
Niveli 4. “Arritje shumë të kënaqshme”, kur nxënësi përmbush plotësisht dhe me cilësi kërkesat e të nxënit të programit lëndor. Nxënësi që paraqet arritje shumë të kënaqshme është i vetë-motivuar; i plotëson detyrat me kënaqësi; shpesh kërkon dhe vihet përpara sfidave; dëgjon me vëmendje, merr pjesë në diskutim dhe në aktivitetet e klasës dhe punon bashkërisht në grupe.
Niveli 5. “Arritje të shkëlqyera”, kur nxënësi paraqet talent në një lëndë a në një fushë të caktuar. Nxënësi që paraqet arritje të shkëlqyera kërkon sfida; plotëson detyrat me entuziazëm; ndërmerr iniciativa; merr pjesë në veprimtari të ndryshme jashtëshkollore, në konkurse, gara, emisione etj.; merr përgjegjësi për të zgjeruar rritjen personale dhe akademike.
Vlerësimi i nxënësit në klasat IV dhe V
Vlerësimi në bazë të kritereve të mësipërme, kryesisht në bazë norme krahasuese, është i justifikueshëm për nxënësit deri në klasën e tretë të arsimit fillor. Në këtë moshë sundon aspekti social, motivues i vlerësimit në raport me aspektin e njohurive dhe të aftësive intelektuale.
Në klasën e IV dhe V fillon të rritet pesha e aspektit njohës në vlerësimin e nxënësit. Ndonëse nuk hiqet dorë nga aspekti social, emocional e motivues i vlerësimit, në klasën IV dhe V vlerësimi nuk bazohet më në kriterin e normës, pra të vlerësimit të nxënësit duke e krahasuar me një nivel tjetër me anë të përdorimit të shprehjeve të tilla, si: më saktë se, më mirë se, më shumë se, më shpejtë se, i kënaqshëm, i pakënaqshëm, shumë i kënaqshëm etj., të cilat nënkuptojnë një pikë referimi, deri diku subjektive, krahasimin dhe për rrjedhojë edhe për vlerësimin.
Miratimi i niveleve të arritjes së kompetencave që synon të unifikojë kriteret e vlerësimit në nivel kombëtar, bazohet në vlerësimin e referuar ndaj një kriteri të përcaktuar, i cili ka në bazë aftësitë intelektuale të nxënësit dhe shkallën e njohuritë që lidhen dhe shprehen përmes tyre.
Ky sistem vlerësimi zbatohet për arsimin bazë dhe të mesëm. Në këtë sistem zbatohet vlerësimi me notë: nga nota 4 (pakaluese) në notën 10 si nota më e lartë.
Arritjet e nxënësve në klasat 4-12 ndahen në 4 nivele si më poshtë:
Niveli I – Nota 4 (pakaluese)
Niveli II – Notat 5 dhe 6
Niveli III – Notat 7 dhe 8
Niveli IV – Notat 9 dhe 10.
Për këtë arsye, vlerësimi në klasat IV dhe V do të shërbejë si pikë lidhje ndërmjet vlerësimit në klasat I-III me ciklet më të larta.
Vlerësimi “Shkëlqyeshëm” që përdoret si motivues në vlerësimin përshkrues në klasat I-III, në përgjithësi përdoret për nxënësit që janë mbi nivelin më të lartë të kërkuar nga kurrikula. Në këtë kategori hyjnë talentet, për të cilët arsimi ka programe të veçanta.
Për këtë arsye në klasën e IV dhe V nivelet e arritjeve përputhen me ato të klasave I-III dhe VI-XII si më poshtë:
Klasa I-III Niveli Klasa IV-V
Arritje të shkëlqyera 5 (talenti) Ekselenca (10+)
Arritje shumë të kënaqshme 4 Nota 9 – 10
Arritje të kënaqshme 3 Nota 7 – 8
Arritje që kanë nevojë për përmirësim 2 Nota 5 – 6
Arritje të pakënaqshme 1 Nota 4
*Marrë nga udhëzuesi për zhvillimin e kurrikulës së re në arsimin fillor (klasat I-V)
©Portali Shkollor-