Gati 20 milionë euro ka mbërritur kostoja e subvencionimit të prindërve për blerjen e teksteve shkollore sivjet.
E buxheti i dedikuar nga Qeveria e Kosovës për blerjen e librave për vitin shkollor 2024/25 është 13.8 milionë euro.
Këtë vit janë subvencionuar nxënësit nga klasa e parë deri në të nëntën. Sipas Ligjit për Botimin e Teksteve Shkollore, shteti e ka për obligim t’i blejë çdo vit librat për nxënësit nga klasa e parë deri në të pestën. Ndërsa ata të nivelit të mesëm të ulët një vit furnizohen me tekste shkollore të reja, ndërsa në vitin tjetër punojnë me libra të gjeneratës së kaluar.
Njëjtë si këtë vit edhe në vitin 2022, janë blerë librat për nxënësit nga klasa e parë deri në të nëntën, por atëkohë përmes procesit të negocimit me shtëpitë botuese. Kostoja e librave në total ishte 16 milionë euro.
Bazuar në të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës, këtë vit janë katër mijë nxënës më pak se para dy vjetësh në nivelin e obligueshëm të shkollimit.
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës dhe njëherësh anëtar i ish-Komisionit hetimor për blerjen e librave shkollor, Bekim Haxhiu, ka thënë se metoda e subvencionimit është keqpërdorim i buxhetit të shtetit.
“Subvencionimi i teksteve shkollore këtë vit do të kalojë shumën mbi 20 milionë euro, bazuar në numrin e nxënësve sa është, edhe pse ka rënie të numri të nxënësve, vlera monetare për blerjen e teksteve shkollore do të shkojë duke u rritur dhe kjo ka të bëjë vetëm me një metodë dhe kjo është keqpërdorimi dhe i hajnisë me këtë proces që po e ushtron Ministria e Arsimit që është proces krejtësisht i kundërligjshëm”, ka thënë Haxhiu.
Për koston e teksteve shkollore, KOHA ka dërguar pyetje edhe në Ministri të Arsimit por tash e një javë nuk ka pranuar përgjigje.
Nxënësit nga klasa e parë deri në të pestën subvencionohen me nga 80 euro për tekste shkollore. Ndërsa ata të nivelit të mesëm të ulët me nga 110 euro.
Metoda e subvencionimit ka filluar në vitin 2023, me vlerësimin e Ministrisë se kjo praktikë ndalë abuzimin e buxhetit të shtetit. MASHTI i ka shpërndarë falas librat për nxënësit e shkollave fillore që nga viti 2008.
Por vitin e kaluar ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, njoftoi se ka ndryshuar mënyrën e shpërndarjes së teksteve shkollore, për shkak të dështimit të marrëveshjes me shtëpitë botuese për furnizimin e shkollave me libra, meqë sipas saj, shtëpitë botuese kanë ofertuar çmime shumë më të larta sesa ato që i vendosin në libraritë e tyre.
Vitin e kaluar kostoja për subvencionimin e teksteve shkollore ishte 11 milionë euro. Vjet janë subvencionuar tekstet shkollore për nivelin fillor, ndërsa për nivelin e mesëm të ulët, mjete janë ndarë vetëm për mjete mësimore.
Keqpërdorime me tekste shkollore pati evidentuar edhe një raport i auditorit para dhjetë vjetësh, ku është thënë se një mori librash në vlerë prej 500 mijë euro kanë përfunduar në bodrume të shkollave.
Për keqpërdorimet në të kaluarën, por edhe për subvencionimin e blerjes së teksteve shkollore, në fillim të prillit Kuvendi themeloi komisionin hetimor. Por këtij komisioni i kaloi afati i mandatit pa arritur t’i invervistojë të gjithë personat e përfshirë. / Marrë në KOHA.net