“Shtëpia-shkollë” e familjes Hertica në Prishtinë është shpallur zyrtarisht shtëpi muze. Kështu ka bërë të ditur kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, shkruan AlbanianEducation.net.
Ai ka theksuar se kjo shtëpi ka shënuar një moment të rëndësishëm në kujtesën historike të arsimit në Kosovë.
Sipas tij, ky vendim nuk përfaqëson vetëm një akt institucional, por një nderim të thellë për guximin, sakrificën dhe dashurinë për dijen dhe atdheun që tregoi familja Hertica.
Postimi i tij:
“Shtëpinë-Shkollë” të Herticëve, sot nuk e shpallëm vetëm shtëpi muze, por e nderuam një akt të jashtëzakonshëm guximi, sakrifice dhe dashurie për dijen dhe atdheun.
Në vitet më të vështira të historisë sonë, kur arsimi në gjuhën shqipe ishte i ndaluar dhe fëmijët tanë rrezikonin të mbeteshin pa të ardhme, familja e Mehmet Herticës hapi dyert e shtëpisë dhe e shndërroi atë në shkollë.
Ajo shtëpi nuk ishte më vetëm një strehë por ishte një dritë shprese, një vend rezistence dhe një simbol i qëndresës sonë si popull.
Përjetësisht mirënjohës 🙏