Një tjetër vlerësim për krijimtarinë e poetes shqiptare, Irma Kurti, me banim në Itali, e cila shpallet “Poetja e muajit” nga revista britanike “The Seventh Quarry”. Ky vlerësim i jepet për poezinë si dhe rrugëtimin e saj të suksesshëm poetik. Fitues të tjerë kanë qenë nga SHBA, Mbretëria e Bashkuar, Australia, India etj.
The Seventh Quarry është një revistë poetike që botohet në Swansea, në Uells, nga poeti dhe dramaturgu Peter Thabit Jones. Numri i saj i parë u lansua në Qendrën Dylan Thomas, në janar 2005.
Çdo botim përmban një profil poeti, disa faqe që i dedikohen një poeti të përzgjedhur midis poetëve britanikë dhe ndërkombëtarë. Revista bashkëpunon gjithashtu edhe me shtëpinë botuese Cross-Cultural Communications në Nju-Jork, drejtuar nga Stanley H. Barkan dhe ky partneritet ka kontribuar që ajo të bëhet pjesë e disa veprimtarive letrare prestigjioze në Amerikë.
Në janar të vitit 2024, Irma Kurti u përzgjodh po ashtu “Poetja e muajit” nga “Our poetry Archive”, një nga gazetat më të mëdha online në gjuhën angleze, që botohet në mënyrë periodike me pjesëmarrjen e poetëve nga e gjithë bota.
Irma Kurti ka botuar 29 libra në gjuhën shqipe, 25 në italisht, 15 në anglisht dhe 2 në frëngjisht. Të gjitha librat i dedikohen kujtimit të prindërve të saj të dashur, Hasan Kurti dhe Sherife Mezini, që e kanë përkrahur dhe inkurajuar në çdo hap. Ajo ka përkthyer gjithashtu 20 libra të autorëve të ndryshëm, si dhe të gjitha veprat e saj në italisht dhe anglisht.
Irma Kurti është një nga poeteshat shqiptare më të përkthyera dhe më të botuara në shtete të ndryshme të botës. Librat e saj janë përkthyer dhe botuar në 16 vende të botës. /Albinfo.ch