Me pjesëmarrjen e mbi 250 mësuesve të gjuhës shqipe dhe të kulturës shqiptare nga vende të ndryshme të botës, është çelur në Shkodër edicioni i XVIII-të i Seminarit Kombëtar për Mësuesit e Diasporës, një ngjarje tashmë e konsoliduar që shërben si platformë bashkëpunimi, shkëmbimi përvojash dhe mbështetje për ruajtjen e identitetit kombëtar në mërgatë. Tema që përmbledh punimet e këtij viti është “Gjuha dhe kultura shqiptare në epokën digjitale”.
Në seminarin që do të zgjasë deri më 3 gusht, marrin pjesë mësues nga Italia, Greqia, Suedia, Gjermania, Kroacia, Finlanda, Norvegjia, Zvicra, Sllovenia, Austria dhe Shtetet e Bashkuara.
Kjo ngjarje, e organizuar me përkujdesje nga institucionet e arsimit në Shqipëri dhe Kosovë, ka për qëllim fuqizimin e rolit të mësuesit të gjuhës shqipe në diasporë si mbrojtës i gjuhës dhe kulturës sonë kombëtare.
Në hapje të seminarit, Negjmije Reçica, mësuese e gjuhës shqipe në Gjermani, theksoi rëndësinë historike të këtij misioni:
“Ne që mësojmë shqipen larg atdheut mbartim një mision të heshtur por jetik – një mision që nuk është vetëm arsimor, por thellësisht kombëtar,” – tha ajo, duke e përshkruar rolin e mësuesit në diasporë si një hallkë të fortë në ruajtjen e lidhjes me rrënjët.
Ministrja e Arsimit dhe Shkencës e Kosovës, Arbërie Nagavci, vlerësoi punën e mësuesve në diasporë duke thënë:
“Sot fëmijë shqiptarë anë e mbanë botës flasin, këndojnë dhe urojnë shqip. Këtë e bëjnë falë përkushtimit tuaj të përditshëm. Në 18 vitet e jetës së seminarit, ju keni ndarë përvoja, sfida, arritje dhe pengesa. Ne si qeveri kemi qenë aty për t’ju dëgjuar dhe për t’ju mbështetur.”
Ministrja e Arsimit dhe Sportit të Shqipërisë, Ogerta Manastirliu, u shpreh se ky seminar nuk është vetëm një traditë e bukur, por një mekanizëm i gjallë për të fuqizuar rrjetin e mësuesve në diasporë.
“Ky seminar është një platformë aktive ku rreh zemra e vërtetë e gjuhës shqipe. Jeni ju, mësuesit, që e mbani gjallë këtë frymë, këtë dashuri për shqipen dhe kulturën shqiptare,” – tha Manastirliu, duke shtuar se këtë vit janë më shumë pjesëmarrës se vitin e kaluar, një tregues i gjallë i rritjes së interesit dhe përfshirjes.
Ajo njoftoi gjithashtu se ka filluar pilotimi i një programi mbështetjeje financiare për mësuesit e diasporës, që aktualisht përfshin 50 mësues të gjuhës shqipe në Greqi, me synim zgjerimin e tij në vende të tjera.
Në vijim të angazhimeve institucionale, Manastirliu bëri të ditur se janë shtuar dhe përmirësuar tekstet e përbashkëta për mësimin e gjuhës shqipe në diasporë, dhe se është përfunduar përgatitja e tekstit të ri për ciklin e tretë të mësimit, që do të shpërndahet nga viti 2026.
“Kemi një plan dhe një vizion të qartë për të forcuar kërkimin shkencor në bashkëpunim me diasporën akademike. Bashkëpunimi me universitetet, studiuesit dhe mësuesit jashtë vendit është një pasuri që duhet vlerësuar dhe integruar në sistemin arsimor kombëtar,” – u shpreh ajo.
Pjesë e prioriteteve të ministrisë është edhe përfshirja e trajnimeve të vazhdueshme për mësuesit e diasporës në Programin e Zhvillimit Profesional 2026–2028, duke synuar përmirësimin e kualifikimeve dhe standardeve të mësimdhënies në diasporë.
Seminari do të vijojë punimet në ditët në vijim me panele diskutimi, sesione trajnimi dhe prezantime tematike, duke trajtuar sfidat dhe mundësitë që sjell epoka digjitale për mësimdhënien dhe ruajtjen e trashëgimisë gjuhësore dhe kulturore shqiptare në mërgatë. Në përfundim, do të nxirren rekomandime konkrete për politikat arsimore dhe strategjitë mbështetëse në dobi të mësuesve dhe nxënësve të shkollave shqipe jashtë vendit.
Temat që do të trajtohen:
Krenare Nuçi (Kosovë) – Kompetenca digjitale si element transformues në mësimdhënie: Rruga drejt mësuesit inovativ
Entela Tabaku (Suedi) – Karakteristikat e shqipes si gjuhë e origjinës në një kurs trajnimi online: Aty ku hulumtimi takon mësimdhënien.
Ermira Ymeraj (Shqipëri) dhe Aurela Konduri (Greqi) – Gjuha shqipe në diasporë: Ndërkulturalizmi dhe rolet e mësuesit në ruajtjen dhe zhvillimin e identitetit gjuhësor
Elindë Dibra (Shqipëri) dhe Alva Dani (Shqipëri) – Roli i bibliotekave digjitale në ruajtjen e gjuhës dhe kulturës shqiptare në diasporë
Sadiona Abazaj (Finlandë) – Fuqizimi i mësimdhënies së gjuhës dhe kulturës shqiptare në diasporë përmes platformave digjitale interaktive
Lindita Budini (Greqi) – Motivimi i të mësuarit të gjuhës shqipe në diasporë nëpërmjet përdorimit të teknologjisë
Etleva Mançe (Gjermani)- Digjitalizimi dhe platformat interaktive
Melita Oreškovic (Kroaci) dhe Mendu Imeri (Kroaci) – Shkolla verore e gjuhës dhe kulturës shqiptare me metodologji moderne veprimi – formë e veçantë e mësimdhënies për aftësimin e nxënësve me njohuri të reja, e mundësuar nga institucioni arsimor i shtetit pritës
Anila Kananaj (Shqipëri)- Përdorimi i Fjalorit të Madh të Gjuhës Shqipe online në mësimin e gjuhës amtare
Ilir Culaj (Kosovë) – Arkeologjia digjitale dhe ruajtja e trashëgimisë kulturore: Rasti i Ulpianës antike
Anila Berberi (Itali) – Përvoja të përdorimit të teknologjisë digjitale në mësimin e gjuhës shqipe dhe kulturës shqiptare në diasporë
Valbona Karakaçi (Shqipëri) dhe Rrezarta Draçini (Shqipëri) – Hartimi i një kurrikule dhe syllabusi universitar për mësuesit e gjuhës dhe kulturës shqiptare
Xhevat Isufi (Suedi) – Roli dhe rëndësia e mësimit digjital. Njësia mësimore: Ujvarat e Mirushës.
Albana Hasku (Itali)- Udhëtim imagjinar, nëpër Shqipëri dhe Kosovë me Udhërrëfyesin: SHKODRA
Drita Gjongecaj (SHBA) – Përdorimi i platformës Google Classroom në mësimdhënien e gjuhës shqipe
Nuhi Gashi (Kosovë) – Shkolla shqipe në diasporë dhe inteligjenca artificiale
Klarita Selmanaj (Greqi) – Gjuha shqipe në mësimdhënien digjitale: balancat mes teknologjisë dhe trashëgimisë kulturore
/Marrë nga diasporashqiptare.al