Alket Zeqollari, 15-vjeçari nga Pogradeci ka tërhequr vëmendjen me një shpikje të veçantë, një pajisje inteligjente që përmes impulseve valore është në gjendje të zbulojë objekte dhe njerëz, madje edhe të identifikojë fytyrat e tyre.
Ky “radar sigurie” i ndërtuar nga vetë ai, tregon jo vetëm njohuri teknike, por edhe një pasion të thellë për teknologjinë dhe inovacionin.
Në një kohë kur teknologjia shpesh shihet si burim varësie për të rinjtë, Alketi e ka shndërruar atë në një mjet krijimtarie dhe zhvillimi personal.
Familja e tij, pavarësisht mundësive të kufizuara, po e mbështet financiarisht për të çuar përpara këtë projekt.
Megjithatë, rasti i tij ngre edhe një çështje më të gjerë, mungesën e mbështetjes nga institucionet lokale dhe shtetërore për të rinjtë me ide novatore, që me ndihmën e duhur mund të ktheheshin në talente premtuese për vendin.