Shkruan Vaxhid Sejdiu: Vazhdojnë sukseset e Shkollës Shqipe në Arbon të Zvicrës

- Advertisement -

Rëndësia e mësimit të gjuhës shqipe në diasporë është e pazëvendësueshme. Gjuha amtare është ura e fuqishme që lidh gjeneratat e reja me atdheun, me kulturën dhe me identitetin kombëtar. Ruajtja dhe përvetësimi i saj është detyrë e secilit prej nesh, sepse përmes saj fëmijët tanë rriten më të vetëdijshëm, më të lidhur me rrënjët e tyre dhe më të pasur shpirtërisht.

- paragrafi 1 -

Të lumtur pa masë, nxënësit e shkollës shqipe në Arbon të Zvicrës, me libra në duar, dhuratë e Qendrës së Botimeve për diasporën dhe ambasadës shqiptare.

- Advertisement -

Dhe në këtë fillim viti shkollor vazhdojnë sukseset e “Shkollës Shqipe” në mbarë Zvicrën. Në mesin e tyre dallojmë klasën e mësuese Artjola Ferizit në Arbon të Zvicrës.

Mësimi zhvillohet çdo të shtunë, nga ora 09:30 deri më 11:15, në lokalet e shkollës fillore të Arbonit. Nxënësit e parë të kësaj pike ishin: Ajana, Lea, Justini, Anisi, Zejdi, Besiana, Ajani, Siari, Alhambra, Arta, Sema, Lorena, Eliasi, Elisa, Blediani, Aureli, Roena, Roani, Lorisi etj. . Sot ky numër është trefishuar, duke iu bashkëngjitur edhe nxënës të tjerë që me entuziazëm e padurim marrin pjesë në orët e mësimit të gjuhës amtare, nën udhëheqjen e përkushtuar të mësueses Artjola Ferizi.

Interesimi i fëmijëve është i madh – ata tregojnë kureshtje dhe gëzim të veçantë sa herë mësojnë një fjalë të re shqipe ose lexojnë vargjet e para në gjuhën e prindërve të tyre. Ky interes lidhet ngushtë me kujdesin e prindërve, të cilët e shohin shkollën shqipe si një thesar të çmuar për ruajtjen e gjuhës dhe kulturës kombëtare të fëmijëve të tyre.

- Advertisement -

Një gjest i veçantë u bë që në ditën e parë të mësimit: çdo nxënës mori dhuratë librat shkollorë të sjellë nga Ambasada e Republikës së Shqipërisë. L.A.P.Sh. “Naim Frashëri” në Zvicër është mirënjohës për furnizimin e shkollave shqipe me tekste shkollore nga të gjithë faktorët – nga Qendra e Botimeve për Diasporën, Ministritë e Arsimit dhe të Jashtme të Shqipërisë e të Kosovës, si dhe ambasadat përkatëse në Zvicër. Pa këtë mbështetje të vazhdueshme, puna jonë do të ishte shumë më e vështirë.

Gjithmonë e kemi thënë dhe do ta përsërisim: vetëm duke bashkëpunuar, duke u përkushtuar dhe duke vepruar bashkë mund ta ruajmë e ta forcojmë gjuhën shqipe në diasporë. Çdo bankë e mbushur me fëmijë në një shkollë shqipe është një fitore për identitetin tonë kombëtar dhe një investim i çmuar për gjeneratat e ardhshme.

Ky hap i ri në Arbon është dëshmi e gjallërisë, unitetit dhe vullnetit tonë të përbashkët që gjuha shqipe të ruhet dhe të zhvillohet edhe në mërgatë, duke i dhënë brezave të rinj dritën e diturisë dhe krenarinë kombëtare.