Shkruan nxënësja Olta Fazliu: “Lotët nga të cilët lindi liria”

- Advertisement5 -

Liria nuk lindi nga fjalët e bukura, e as nga premtime të lehta. Ajo lindi nga lotët. Nga lotët e nënave që përcollën bijtë e tyre drejt një rruge pa kthim. Nga sytë e fëmijëve që mësuan shumë herët ç’do të thotë mungesa. Nga shpirtrat që u thyen, por nuk u dorëzuan.

- paragrafi 1 -

E prej saj, liria para se të ishte fjalë, ishte lot, lot që ranë nga sytë e atyre që u mësuan të jetojnë me dhimbjen, por jo me nënshtrimin. Lot që ranë në tokë si shi i rëndë, dhe toka i mpiu me premtimin që dikur do ti kthente në dritë. Në ato lot u ngjit frika, shpresa dhe besimi se një ditë kjo tokë do të merrte frymë lirshëm.

- Advertisement - M1

Ishin psherëtimat e gjata të një populli që kishte mësuar të jetonte me plagë, por jo të vdiste pa shpresë. Ku lotët ranë, ranë pa zhurmë, sepse dhimbja e vërtetë nuk bërtet. Ranë nga zemrat që kishin humbur gjithçka, përveç dinjitetit.

Secila pikë mbante brenda një histori, një emër, një jetë të lënë përgjysmë mes kujtimit dhe harresës. Lotët e fëmijëve ishin të pafajshëm, por toka i pranoi njësoj sepse edhe pafajësia paguan çmimin kur liria vonon.

Në raste kishte burra që qanin, në heshtje, me shpinë të kthyer nga bota. E lotët e tyre ishin të rëndë sepse binin nga sytë e atyre që duhej të qëndronin të fortë. Pas një kohe, toka i mblodhi gjithë lotët, i thithi ngadalë, si të donte t’i mbante mend, të bëhej dëshmitare e dhimbjes e arkiv i heshtur i sakrificës.

- Advertisement - m2

E në fund liria nuk erdhi si e papritur, erdhi e lodhur, me plagë në trup e kujtime në shpinë. Sot, kur ecim të lirë, kur flasim pa u dridhur, kur ëndërrojmë pa u fshehur, duhet ta dimë se po ecim mbi lot. Jo për t’u ndjerë fajtorë, por për të qenë të denjë. Sepse ajo nuk na u dha, ajo na u la amanet.

Olta Fazliu nxënëse e klasës X/9 në Gjimnazin “Sami Frashëri” Prishtinë